E Diel, 1 Nëntor 2026

Naço: Çmimi i energjisë nuk do të ndryshojë

25/11/2011  Ligji i ri për energjinë pritet të votohet sot me shumicë të cilësuar votash

Debate mes mazhorancës dhe opozitës për kohën e miratimit të këtij ligji

Çmimi i energjisë elektrike nuk do të ketë rritje në të ardhmen dhe ligji i ri që pritet të miratohet në seancën e sotme plenare do të favorizojë akoma më shumë konsumatorin shqiptar. Deklarata u bë dje nga vetë ministri i Ekonomisë Nasip Naço në seancën e djeshme plenare të Kuvendit, ku gjatë diskutimit me deputetët e pranishëm në seancë në lidhje me projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin për energjinë”, Naço u shpreh se “kjo është një lehtësi që nuk shkon vetëm në favor të shtetit, por dhe në favor të konsumatorit shqiptar, të cilët unë i siguroj se pas aprovimit të këtij ligji nuk do të njohin rritje të çmimit të energjisë dhe nuk do të kenë rritje të energjisë elektrike”. Me miratimin e këtij ligji synohet të shtohen në treg edhe aktorë të rinj, duke sjellë liberalizimin e tregut të energjisë, konkurrencën dhe natyrisht uljen e kostove të saj. Në këtë ndryshim ligjor synohet që konsumatorët e energjisë të lidhur me rrjetin nga 110 kW e lart të transmetimit të energjisë dhe ata që konsumojnë mbi 50 milionë kwh/vit energji elektrike, të konsiderohen klientë të kualifikuar dhe të furnizohen me energji elektrike në treg të lirë nga furnizuesit e kualifikuar.

Debati për energjinë

Për socialistët projektligji u vlerësua pozitivisht, pasi ai shërben si rrugë që liron KESH-in nga borxhet e mëdha të krijuara nga CEZ-i dhe lehtëson konsumatorin familjar nga rritjet vjetore të çmimit të energjisë. “Kjo nuk justifikon faktin që ju e vonuat”, - iu drejtua socialisti Harasani ministrit Naço. Por deputeti tjetër i PS-së Arben Ahmetaj ka shkuar më tej, duke hedhur dyshime mbi ndershmërinë e vendimit të qeverisë. “Vonimi i ligjit ka rënduar xhepat e qytetarëve prej vitesh, ka 7 vjet që ky ligj nuk është në parlament. Pse tani ky ligj?” - pyeti Ahmetaj. Pyetjes së Ahmetaj iu përgjigj ministri i Financave Ritvan Bode. “Ky ligj nuk është vonuar aspak. Ligji u jep fund faturave afrofe dhe abuzimeve ndaj qytetarit të kompanive që menaxhojnë energjinë”, - tha Bode. Ndërsa deputeti Erion Braçe akuzoi drejtuesit e ministrisë së drejtuar nga LSI-ja, duke theksuar se kanë përfituar më shumë se 40 milionë euro në vit duke favorizuar kompanitë e mëdha që operojnë në vend, të cilat, sipas Braçes, nuk janë më shumë se 10 të tilla, të cilat konsumojnë energji sa 1 milion familje shqiptare. Miratimi i ligjit për energjinë pritet të bëhet sot, pasi u shty për shkak të mungesës së deputetëve të mazhorancës në sallë. Në rendin e punimeve të sotme në Kuvendin e Shqipërisë përveç diskutimit në parim të Buxhetit për vitin 2012 deputetët pritet të miratojnë projektligjet “Për sektorin e energjisë elektrike”, “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”. Projektligji për disa ndryshime në projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike, i ndryshuar”. Braçe e Naço

“Mos hidhni topin nga njëri krah në krahun tjetër për klientë të cilët tashmë nuk ju duhen më, dhe tani po i braktisni si asgjë, duke na u shfaqur se po e bëni këtë në emër të mbrojtjes së konsumatorëve. Unë dua të di: sa është shuma që CEZ-i i ka borxh KESH-it? Sa është borxhi që KESH-i u ka bankave?” - pyeti Erion Braçe. Naço tha se sot kompania “CEZ” i ka KESH-it një borxh rreth 50 milionë euro, OST-së 20 milionë euro dhe të tjerë i kanë asaj rreth 20 milionë euro.

Gramoz Ruçi

“Pati akuza të ndërsjella se janë bërë lobime të ndryshme nga kompani të ndryshme korruptive lidhur me këtë çështje. Nuk do të jemi në sallë që të plotësojmë ata që u mungojnë juve për kuorumin tuaj, se ndryshe të gjithë ato akuza që hodhët ndaj krahut tonë... Atëherë, lotimet ku janë bërë, te kryeministri, që mungon? Janë bërë te ministri i Financave, janë bërë te koalicioni që ju qeverisni Shqipërinë? Prandaj siguroni kuorumin tuaj, të vijnë të lotuarit këtu. Ndryshe ju nuk keni kuorum dhe ne nuk marrim pjesë në votim.”

Astrit Patozi

“Me sa duket, është shumë e vështirë që të ndahen nga politika bllokuese që aplikuan pa sukses gjatë këtyre dy vjetve që shkuan, por gjithsesi unë dëshiroj t’u kujtoi kolegëve të mi të opozitës se nuk testohet maxhoranca as për ligjin e energjisë, as për interesat e klientëve të kualifikuar. Maxhoranca testohet me buxhetin e shtetit, që është nesër, dhe opozita ka një mundësi për ta testuar nesër mazhorancën. Dhe po nesër, që do miratohet buxheti i shtetit, ne kemi mundësinë të miratojmë edhe dy ligjet e lëna peng nga opozita sot.”

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›