E Shtunë, 31 Tetor 2026

OST: Rrjeti i energjisë në Tiranë në gjendje të papranueshme

Rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike në Tiranë është në gjendje të papranueshme dhe kërkon ndërhyrje urgjente. Kjo u deklarua dje nga administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Arben Ibroja, i cili prezantoi projektin për forcimin e rrjetit elektrik në kryeqytet. “Kërkesa për energji elektrike është rritur me ritme tepër të larta. Për vitin 2010, afërsisht 33% e energjisë që është për nevojat e vendit përdoret vetëm për Tiranën. Këto linja 110 kv kanë një vjetërsi prej 40 apo 50 vjet. Korridoret e mëparshëm të linjave ajrore të transmetimit janë zënë nga ndërtesat e reja. Trasetë e këtyre linjave gjenden tashmë tërësisht brenda zonave urbane.”- deklaroi administratori i OST-së.

Nga ana tjetër CEZ shpërndarje ka deklaruar kohë më parë se kompania është në një proces intensiv për marrjen e një huaje prej 100 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), për të investuar në rrjetin e amortizuar të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, i cili ka një impakt negativ në nivelin e humbjeve teknike dhe joteknike, të cilat mbeten ende ndër më të lartat në Europë. Në vitin 2009, CEZ Shpërndarje investoi në rrjetin elektrik shqiptar 3.9 miliardë lekë dhe në vitin 2010 plani i investimeve ishte 4.5 miliardë lekë. Për vitin 2011 plani i investimeve parashikon një shumë prej 4.9 miliardë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›