E Diel, 1 Nëntor 2026

Depresioni, 43- vjeçari vetëvaret në shtëpinë e vjehrrit

Pogradec, Perlat Panaskuari i kishte kërkuar fëmijëve të shkonin me të në Berat, por ata kishin zgjedhur gjyshërit

POGRADEC- Depresioni i shkaktuar nga mungesa e fëmijëve ka shtyrë një 43- vjeçar nga Berati që të vrasë veten në shtëpinë e vjehrrit të tij në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Buçimas kur Perlat Panaskuari i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur me kordonin e një lavatriçe në trungun e një druri arre në fund të kopshtit të vjehrrit të tij, Mimin Gora.

Perlat Panaskuari prej disa ditësh kishte udhëtuar nga Berati për në fshatin Buçimas, ku jetonte vjehrri i tij Mimin Gora. Ai ka takuar fëmijët 18 dhe 16 vjeç, të cilët prej shumë kohësh qëndronintek shtëpia e gjyshërve. Madje djali Xhersi ishte rritur që fëmijë i vogël deri në moshën 18 vjeç tek i gjyshi i tij, Mimin Gora me profesion veteriner. Sipas të afërmve në fshatin Buçimas, Perlati iu ka thënë fëmijëve që të shkojnë me atë në Berat por djali i tij nuk i është bindur duke i thënë se ai do të qëndronte tek gjyshi dhe tek gjyshja që e kishin rritur. Më pas Perlati si me shaka e ka marrë më vetë vajzën e tij 16- vjeçare Fantinën dhe i ka thënë: “Po t`i zemra e babit, nëse vdes unë a do të çosh tek varri një tufë me lule?” Vajza është tronditur duke i thënë të atit me lot në sy që t’i linte këto ide. Në këtë moment Perlati e ka ndërprerë dialogun dhe ka dalë me disa shokë në pikën turistike në Drilon ku mësohet se ka konsumuar alkool në sasi të konsiderueshme. Sipas të afërmve, Perlati është kthyer në shtëpi në një gjendje të rënduar pasi ai vuante edhe nga diabeti. Në këtë kohë ai u ka thënë njerëzve të nuses se të nesërmen do të nisej për në Berat.

Por në mesnatë ai është ngritur nga shtrati dhe pa u vënë re nga askush ka marrë në banjë kordonin e lavatriçes. Ai ka dalë nga shtëpia dhe pasi ka shkuar në fund të bahçes, ka lidhur kordonin në trungun e një druri arre dhe ka kryer vetëvarjen. Rreth orë 05.00 të mëngjesit, xhaxhai i Valbonës, bashkëshortes së tij ka dalluar së largu një diçka të varur në degë dhe ka kujtuar se është ndonjë xhaketë e harruar. Por kur është afruar ka dalluar trupin e pa jetë të Perlatit. Menjëherë ai ka njoftuar të afërmit e tjerë dhe policinë. Hetuesit kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë dërguar kufomën për në morg. Ekspertiza mjeko –ligjore ka treguar se vdekja ka ardhur si rezultat i asfiksimit nëpërmjet mbytjes nga kordoni. Astrit Gora, i afërm i familjes ka thënë se Perlati ka pasur shumë stres pasi kishte shitur shtëpinë për të paguar borxhet dhe që nga ajo kohe jetonte me qira. Por as shitja e shtëpisë nuk e ka shpëtuar nga borxhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›