E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, peshkaqeni Tigër kapet në 100 metra thellësi

Kur janë nxjerrë rrjetat, peshkaqeni 3.5 metër ishte ende i gjallë. Peshkatarët: Hera e parë që kapim një të tillë

VLORË- Një peshkaqen i rrezikshëm i llojit “Tigër” është kapur dje nga peshkatarët në bregdetin e Vlorës. Ka qenë peshkarexha “Amerika”, e cila me kapiten Thoma Diamantin dhe ekuipazhin e tij prej tre personash kanë kapur kafshën e rrezikshme rreth 11 milje larg bregut të detit, në Gjirin e Vlorës. Sipas peshkatarëve, peshkaqeni është kapur në rreth 100 metra thellësi, në vendin e quajtur “Kepi i Gjuhëzës”.Ai ishte rreth tre metra e gjysmë, me peshë 4.5 kv dhe ishte ende i gjallë kur ka mbërritur në mol. Sipas peshkatarëve, mësohet se ky është nga llojet më të rrezikshëm të peshkaqenëve dhe ishte afruar në ujërat e gjirit të Vlorës për ushqim, por edhe për shkak te ngrohjes së ujërave detare. Ata thonë se me këtë gjah kanë hequr të paktën ditën e punës pasi, egërsira nuk i ka lënë të gjuajnë duke trembur gjahun.

Thoma Diamanti, kapiten i anijes, pohon se ka pasur edhe raste të tjera kur janë evidentuar egërsira të tilla, kryesisht ndërmjet Karaburunit dhe Sazanit. “Ka qenë ora rreth gjashtë e mëngjesit kur hodhëm rrjetat dhe vetëm gjysmë ore pas kësaj pamë se rrjeta peshonte shumë. E kuptuam se ishte diçka jo e zakonshme dhe kur mezi e kemi ngritur lart, pamë në vend të peshqve e të karkalecave e të tjerë gjah që prisnim, peshkaqenin. Kishim edhe frikë, pasi ai ishte i gjallë dhe mund tëna sulmonte. Tërhoqëm rrjetat pasi egërsira tremb peshqit e tjerë dhe u kthyem këtu në Triport, ku edhe kemi pikën e mbërritjes”,- thanë peshkatarët. Peshkaqeni Tigër është i rrezikshëm për njerëzit por në përgjithësi, sipas peshkatarëve, ky lloj peshkaqeni rri në thellësitë mbi 100 metra metër nën ujë dhe nuk afrohet në afërsi të bregut të detit ku edhe ndodhen pushuesit. Ata kanë qetësuar edhe pushuesit e shumtë të bregdetit të Vlorës duke shpjeguar se ai nuk i afrohet asnjë herë bregut. Ky është rasti i parë këtë sezon vere që peshkaqenët shfaqen në ujërat e gjirit të Vlorës. Zakonisht një gjah i tillë kërkohet nga të gjitha restorantet e Vlorës ku serviret si një gatim i rrallë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›