Durrës, kapet hajduti serial 11- vjeçar
DURRËS- Policia e Durrësit ka mundur që të kapë dje një fëmijë të mitur, i cili pak ditë më parë kishte kryer vjedhjen e një makine. Bëhet fjalë për një fëmijë 11-vjeçar, i cili ishte kthyer në një hajdut serial të hoteleve dhe makinave të qytetit. Edhe këtë herë fëmija është kapur teksa po kryente një tjetër vjedhje në një hotel. Pas arrestimit është mësuar se fëmija me inicialet M. C është nga Tirana dhe çdo ditë udhëton drejt Durrësit ku kryen vjedhje të ndryshme. “Gjatë hetimeve që po bëhen rezultoi se ky shtetas është personi i dyshuar për vjedhjen edhe të tre familjeve kosovare të vendosura në një hotel në plazhin e Durrësit ku janë marrë shuma të konsiderueshme parash, me të cilat turistët kishin planifikuar që të kalonin pushimet verore në plazh”,- thanë burimet e policisë. Sipas tyre, hetimet e bazuara në gjurmët që ka lënë në vendngjarje e nxjerrin fëmijën autor të shumë veprave të tjera penale por mosha e vogël e shpëton nga burgu. “Ai konsiderohet i papërgjegjshëm ndaj ligjit pasi përfiton nga mosha e mitur (nën 14 vjeç) nuk mban përgjegjësi penale. Po punohet për të zbuluar vjedhjet e tjera të kryera prej tij dhe për të gjetur sendet e vjedhura por fëmija është lënë i lirë”,- thanë dje hetuesit durrsakë.