E Shtunë, 31 Tetor 2026

I masakruari i Lushnjes, ende pa identitet

Policia ka bërë publike të dhënat e personit të vrarë e të djegur me shpresën se do të identifikohet nga qytetarët

Hetuesit: Mendojmë se është emigrant, po pyesim familjet e zonës që kanë njerëz jashtë

LUSHNJE- Identiteti misterioz i viktimës që u gjet dy ditë më parë në fshatin Grabian të Lushnjes duket se po mban peng hetimet e policisë për të zbuluar shkaqet dhe autorët e masakrimit të tij. E gjendur përballë kësaj situate Policia e Shtetit kërkon ndihmën e komunitetit për të identifikuar kufomën duke bërë të ditur të dhënat fizike të tij. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaruan ditën e djeshme se janë në pritje të çdo informacioni që do t’u sigurojnë qytetarët për të zbuluar identitetin e viktimës i cili aktualisht ndodhet në morgun e Tiranës.

Identifikimi

“Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin eviktimës dhe për çdo informacion qytetarët mund të telefonojnë në numrin publik pa pagesë 129” thuhej në deklaratën lëshuar ditën e djeshme nga policia e shtetit. Kufoma e gjetur dy ditë më parë është e seksit mashkull, me gjatësi trupore 1.68 cm, mosha 18-25 vjeç, me flokë ngjyrë të zezë të qethur shkurt e të lyer me xhel, sytë bojë qielli. Ai mbante veshur një bluzë të zezë, në pjesën e përparme të bluzës ka mbishkrimin “EMPORIO-ARMANI”. Gjithashtu në momentin që është vrarë kishte veshur pantallona treçerekëshe doku me ngjyrë bezhë, si dhe atlete ngjyrë gri me mbishkrimin “NIKE”. Të gjithë personat të cilët kanë dijeni për identitetin e personit me këto të dhëna fizike mund të ndihmojnë policinë për të dhënë gjeneralitetet e tij, pasi sipas policisë nga kontrolli fizik që iu krye nuk i është gjetur asnjë dokument identifikimi. Ndërkohë që grupi hetimor është në pritje të zbulimit të identitetit të viktimës e cila do të lehtësonte dhe zbulimin e autorëve të vrasjes së tij.

Hetimi

Nga ana tjetër, agjentët e policisë së Lushnjes kanë “zbritur” në fshatra duke pyetur të gjithë banorët nëse kanë parë apo jo ndonjë lëvizje të dyshimtë gjatë dy ditëve të fundit. “Ne po punojmë me banorët pasi për momentin ata janë shpresa e vetme për të zbardhur ngjarjen. Dyshimi kryesor është se bëhet fjalë për një emigrant, i cili është vrarë sapo ka ardhur nga jashtë. Për këtë arsye kemi shkuar në shtëpitë e të gjithë familjeve të zonës që kanë njerëz jashtë. Jemi duke parë fotografitë e emigrantëve, të cilat po krahasohen me ato të viktimës”,- thanë dje burimet e policisë së Lushnjes. Sipas tyre në morgun e spitalit nuk është afruar asnjë familjar apo person tjetër që të jetë interesuar për identitetin e viktimës. Bazuar në këtë fakt, hetuesit mendojnë se kufoma është shpënë aty nga ndonjë zonë tjetër për të fshehur gjurmët e krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›