Alarmi për bombë bllokon për një orë Kakavijën
GJIROKASTËR- Alarm i rremë për ekzistencën e një bombe ka vënë në gatishmëri punonjësit e doganës dhe policisë kufitare greke të Kakavijës. Një telefonatë anonime e mbërritur në sallën operative në stacionin kufitar grek të Kakavijes në orën 09:00, paralajmëronte shpërthimin e një bombe e cila do të shkatërronte komplet terminalin e udhëtarëve dhe doganën greke në kufirin me Shqipërinë. Fill pas marrjes së kësaj telefonate, janë lajmëruar specialistët e lokalizimit të mjeteve shpërthyese në Janinë të cilët kanë mbërritur mjaft shpejt. Në fillim të parët që janë lëshuar në aksion kanë qenë tre qen antiminë, të cilët kanë ardhur vërdallë në tërë ndërtesën e më pas ka hyrë skuadra e policisë. Për gati 90 minuta, puna në pjesën greke të Kakavijes është paralizuar. Radhët e automjeteve që vinin në drejtim të Shqipërisë arritën mbi një km. Grekët nga ana e tyre nuk kanë lejuar afrimin e çdo personi apo dhe automjeti në një rreze deri në 750 metra katrorë për shkak të forcës shpërthyese që mund të shkaktonte lënda plasëse. Pasi kanë kryer inspektime tepër të imtësishme deri edhe në detaje të papërfillshme, grekët kanë lejuar punonjësit të rikthehen në detyrë ndërkohë që kanë lajmëruar edhe palën shqiptare për këtë ngjarje. Në orën 10:40 minuta çdo gjë është rikthyer në normalitet dhe emigrantët që prisnin në largësi kanë kaluar pa probleme nga të dy anët e kufirit. Sipas palës greke, rasti i djeshëm është i dyti brenda tri muajve të fundit që përsëritet. Edhe në muajin maj të këtij viti, Kakavija greke ka qenë objekt i një kërcënimi për vendosjen e një bombe por që rezultoi thjesht një alarm i rremë.