Zjarri shkrumbon fabrikën e mishit, më e madhja në vend
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Një zjarr i papritur ra mëngjesin e djeshëm në fabrikën e përpunimit të mishit "Meat Master", më e madhja në veri të vendit. Flakët përpinë një prej 4 reparteve të fabrikës që ndodhet në zonën industriale në Shkodër, duke shkaktuar brenda pak minutash një dëm prej 3 milionë eurosh. Zjarri rrezikoi disa biznese që ndodhen në këtë zonë, por ndërhyrja e zjarrfikësve e izoloi atë për të mos u përhapur në vatra të tjera. Sipas policisë dyshohet se një shkëndijë elektrike përfshiu repartin e paketimit në këtë fabrikë, pronë e vëllezërve Kimça, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Sikurse mësohet nga burimet zyrtare të policisë, zjarri ra rreth orës 01:30 të së enjtes. I pari që diktoi rënien e zjarrit ka qenë roja i fabrikës, i cili sapo pa flakët që dilnin nga godina vrapoi me shpejtësi te reparti zjarrfikës që ndodhet rreth 200 metër larg. Me të marrë njoftimin, efektivi i zjarrfikësve të qytetit të Shkodrës ka shkuar me shpejtësi pranë fabrikës për shuarjen e zjarrit. Njëkohësisht në ndihmë të zjarrfikësve të Shkodrës kanë mbërritur edhe ata të rretheve të Lezhës dhe Malësisë së Madhe. Ata kanë punuar gjatë gjithë natës dhe vetëm në orët e paradites së djeshme është arritur shuarja përfundimtare e flakëve. Në vendin e ngjarjes shkoi dhe drejtori i policisë së Shkodrës dhe drejtuesit vendorë, të interesuar mbi fatin e një prej aktiviteteve prodhuese më të mëdha në zonë. Ekspertët përcaktuan se zjarri ka përfshirë vetëm repartin e paketimit të mishit, duke e shkrumbuar tërësisht atë, ndërsa falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve është shmangur depërtimi i flakëve në repartin e përpunimit të mishit. Një grup hetimor nisi nga puna për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit. Njëkohësisht grupi hetimor ka marrë në pyetje rojen e fabrikës. Ai mësohet të ketë pohuar se si rezultat i prishjes së motit gjatë mesnatës frynte erë e fortë, e cila herë pas here shkaktonte bashkimin e telave të tensionit të lartë, që kalonin mbi çatinë e repartit të paketimit të mishit. Në një moment, gjatë krijimit të shkëndijave elektrike njëra prej tyre ka arritur që të përçohet në çatinë e fabrikës, duke provokuar zjarrin. Burime nga policia bëjnë të ditur se pronarët e kësaj fabrike kanë shprehur besimin e plotë tek fjalët e rojes dhe se nuk mendonin që të kishte ndonjë variant tjetër për shkaqet e rënies së zjarrit. Ato kanë pohuar se në bazë të dokumenteve që dispononin, vlera e dëmit material arrin në 3 milionë euro. Mësohet se fabrika zhvillonte një aktivitet prej rreth 15 vitesh. Pronarët e saj e kishin siguruar në kompani sigurimi dhe pritet që të bëhet kompensimi për rikuperimin e dëmit. Megjithë dëshminë e rojes, policia po pret përgjigjen e ekspertëve nëse bëhet fjalë për ndonjë zjarr të qëllimshëm.