PS rrëzon bustin e Enverit në miting, Edi Rama: Përse dua të jem kryeministër
Aristir Lumezi
Socialistët çelën dje fushatën elektorale me simbolika të forta. Mitingu hapës u zhvillua në Qytetin Studenti, aty ku 19 vjet më parë, lëvizja studentore çoi në krijimin e Partisë Demokratike dhe pluralizmit shqiptar nën thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Edi Rama iu rikthye sërish dje këtij slogani, duke revokuar ndarje njëherë e mirë nga e kaluara, jo vetëm e Berishës, por nga të 18 vitet e historisë pluraliste. Në një video, e cila tregonte vitin 1990, kur Edi Rama, pedagog i Arteve, bisedonte me studentët për pluralizmin dhe demo-kracinë, jepeshin pamjet e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991, kur studentët dhe qytetarët festonin rrugëve të Tiranës për rrëzimin e sistemit. Në asnjë nga mitingjet apo takimet e tyre elektorale, socialistët nuk kanë shfaqur pamjet e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit. Këto pamje janë shfaqur vetëm nga demokratët, duke i revokuar si arritjet e demokracisë dhe pluralizmit që nisi me rrëzimin e simboleve të sistemit monist në vend. Pamjet e shfaqura dje janë komentuar nga shumë pjesëmarrës në mitingun hapës të fushatës elektorale dhe tregojnë qartë se Edi Rama po sfidon edhe atë pjesë të socialistëve që janë nostalgjikë të atij sistemi, për shkak të prejardhjes së PS-së nga Partia e Punës. Mitingu i djeshëm dha mesazhin e qartë të Edi Ramës, se socialistët duhet të shohin vetëm përpara dhe të mos i referohen më një historie që nuk ka sjellë asgjë të mirë në vitet e pluralizmit që rrodhën pas përmbysjes së bustit të Enverit. Që dje për Ramën ka nisur përmbysja e madhe, për të bërë siç thotë ai “gjëra që askush s’do të mund t’i besonte se mund të realizoheshin”. Ndryshe nga mitingjet e tjera, dje në fushën sportive të Qytetit Studenti shumica e pjesëmarrësve ishin të rinj të kryeqytetit, vullnetarë të PS-së që mbushnin fushën dhe shpatet e saj. Më të paktë ishin pensionistët, veteranët që zakonisht kanë qenë të parët që mbushnin sheshet e mitingjeve.
Ruçi
Në vijim të kësaj simbolike, mitingu çelës i fushatës së socialistëve u hap nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, i cili edhe pse më i vjetri në listën e kandidatëve për deputetë, kërkoi lënie pas të politikës së vjetër. “Me këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë do ta kujtojnë Gërdecin dhe do të votojnë kundër qeverisë së Gërdecit. Në këto 30 ditë ne do të zgjedhim PS-në, ne do të zgjedhim Edi Ramën. Në 30 ditë Sali Berisha dhe qeveria e tij do të mbeten vetëm një e kaluar dhe do të harrohen shumë shpejt. Në çdo moment kur Berisha e pati mundësinë, ai na ktheu shpinën dhe tani është koha t’i kthejmë ne atij shpinën. Është koha që ai duhet të iki. Në 30 ditë ne kemi një mundësi të madhe, t’i tregojmë atij se ndihemi qytetarë, në 30 ditë ne mund të ndahemi nga politika e tij e vjetër, nga politika e frikës, nga politika e ndasive, nga politika e nepotizmit, nga politika e klanizmit dhe të nisim politikën e re për ndryshim, që ofron shpresë, që ofron mundësi për një të ardhme më të mirë. Kjo është diferenca midis tij dhe Edi Ramës. Politika e vjetër i ktheu shpinën qytetarëve shqiptarë, politika e re i vë ata në radhë të parë. Edi Rama prezanton shpresën, Edi Rama prezanton besimin, Edi Rama përfaqëson ndryshimin që na duhet dhe që ne e meritojmë”, tha Ruçi. Duke bërë thirrje për bashkim me ekipin e Edi Ramës, Ruçi tha se kjo politikë shikon përpara. “Dhe unë ju them se me Edi Ramën si kryeministër i Shqipërisë, vijnë shumë të mira për shqiptarët. Bashkohuni pra me ne, të marrim fatin e së ardhmes tonë, bashkohuni me ne të çlirohemi nga politika e vjetër. Bashkohuni me ne që të ecim përpara”, tha Ruçi.
Ben Blushi: Kundërshtari më i madh i shqiptarëve është varfëria
Kandidati socialist në Korçë, Ben Blushi, deklaroi dje se shqiptarët janë të barabartë vetëm në varfëri. Duke përmendur faktin se ka qenë protagonist në lëvizjen studentore që solli ndryshimin e madh për Shqipërinë, Blushi thekson se “sot Shqipëria nuk është ajo për të cilën luftuam, për të cilën kemi punuar dhe ëndërruar”. “Përpara 19 vjetësh, ashtu si mijëra studentë nga gjithë Shqipëria kam qenë në këtë shesh duke kërkuar rënien e komunizmit, hapjen e vendit ndaj botës, liri, demokraci, mirëqenie dhe dinjitet. Përpara 19 vjetësh, edhe unë si gjithë shqiptarët, besova se Evropa ishte shumë afër, se Evropa ishte e jona, se Evropa na takonte, se Evropa ishte toka, qëllimi dhe arsyeja me të cilën dhe për të cilën na kishte ndarë historia. Përpara 19 vjetësh besova sinqerisht se mund të ktheheshim në Evropë, duke ndryshuar historinë dhe Shqipërinë. Por sot kthehem në këtë shesh si një burrë 40-vjeçar dhe akoma e kam të vështirë t’i them vetes se ajo që besoja kur isha student, sot është përmbushur”, tha Blushi. Sipas tij, kundërshtari më i fortë i shqiptarëve është varfëria. “Regjimi i varfërisë që kemi sot na ka braktisur si fëmijë, na ka harruar si të moshuar, na ka izoluar si shqiptarë, na ka turpëruar si evropian. Shqiptarët nëse kanë një armik, ajo është varfëria e tyre, nëse kanë kundërshtar ajo është qeveria e tyre, nëse kanë një problem kjo është varfëria, e cila ushqehet përditë nga paaftësia e qeverisë shqiptare”, deklaroi Blushi. Duke përmendur dështimet e qeverisë që e kanë larguar Shqipërinë nga Europa, Blushi theksoi se nga rruga e shqiptarëve për në Europë na ndajnë vetëm 30 ditë. “28 qershori është fitorja e parë e Europës në Shqipëri”, tha Blushi.
Deputetët
Në mitingun e djeshëm hapës të fushatës së tyre, socialistët kishin ngjitur në podiumin e tij të 140 kandidatët për deputetë. Ata ishin ulur sipas qarqeve, ndërsa përfaqësues të qarqeve përshëndetën mitingun elektoral. Në rreshtin e parë të kandidatëve ishin rreshtuar 32 kandidatët e qarkut të Tiranës, duke filluar me Edi Shalsin dhe që përfundonin me Sajmir Tahirin. Por në rreshtin e parë të podiumit ishte ulur dhe kandidatja që prin qarkun e Gjirokastrës, Arta Dade, sekretare për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste, ndërsa kandidatët e tjerë të këtij qarku ndodheshin në rreshtat e brendshëm të podiumit.
Eduart Bejko, thirrje kundër LSI
Eduart Bejko, kandidati i PS-së në qarkun e Beratit, u shpreh se ishte i zhgënjyer nga Lëvizja Socialiste për Integrim, duke shpjeguar në këtë mënyrë arsyet pse u largua nga kreu i kësaj partie në qytetin e Beratit. Kandidati socialist, në profesion mjek, bëri thirrje që shqiptarët të votojnë Partinë Socialiste të Edi Ramës. Me deklaratën e tij në këtë miting socialistët konfirmojnë edhe njëherë se bashkëpunimi me LSI-në mbetet i largët edhe pas zgjedhjeve. Disa ditë më parë, kryetari socialist Edi Rama u shpreh në një emision televiziv se do të qeverisë me koalicionin e tij “Bashkimi për Ndryshim”.
Fatmir Hoxhaj: Tek Rama shohim shpresën
Kandidati i qarkut të Kukësit, tropojani Fatmir Hoxhaj, mbështeti projektin e PS-së për të ndryshuar Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij në mitingun e djeshëm, Hoxhaj shprehu bindjen se pas 28 qershorit Edi Rama do të ndryshojë jetën e tropojanëve dhe të të gjithë shqiptarëve. “Unë kam qenë bashkë me qytetarët e Tropojës kur Edi Rama ka vizituar disa herë këtë qytet dhe tek ai ne shohim shpresën e një ndryshimi të madh, që do të nisë pas 28 qershorit”, u shpreh Hoxhaj. Sipas tij, Tropoja në këto 18 vjet është lënë në harresë të plotë dhe aty politika e vjetër ka nxitur përçarjen e vjetër. Sikur të mos mjaftonte kjo, u shpreh Hoxhaj, Tropoja nuk e meriton harresën në të cilën ajo është lënë nga zhvillimi, shkollimi, shëndetësia etj.
“Përse dua të jem unë kryeministri”
Aristir Lumezi
“Për një Shqipëri si gjithë Evropa”, ishte kryefjala e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në fjalën e hapjes së fushatës zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 qershorit. Lideri socialist shpalosi programin elektoral të partisë së tij, duke iu referuar ëndrrës 18-vjeçare të shqiptarëve për ta parë vendin pjesë të Bashkimit Evropian. Lëvizje pa viza drejt vendeve të BE-së, reforma të thella në arsim, shëndetësi, drejtësi e rend, çeljen e vendeve të reja të punës, zgjidhjen e problemit të pronave dhe shpërndarjen e certifikatave të pronësisë, luftë kundër korrupsionit, investime dhe masa për mbrojtjen e ambientit, premtoi Rama. Kreu socialist shpjegoi pse kërkon të bëhet kryeministër i shqiptareve pas 28 qershorit. Rama deklaroi se fillimi i një historie të re duhet nisur nga ndryshimi i mënyrës se si janë bërë gjërat në vitet e fundit, duke ndryshuar rrënjët e politikës qeverisëse të këtij vendi. “Ja pse dua të bëhem kryeministër”, theksoi Rama, duke përmendur zgjidhjet për shumë probleme që shqetësojnë vendin. “18 vite më parë doli një rrymë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, kjo është ëndrra që më nxori dhe mua në rrugë atëherë dhe më ka sjellë përsëri këtu për t’ju thënë se dua ta sjell qeverinë dhe politikën tek ju, duke e çuar në çdo fshat, duke e bërë instrument ndryshimi në duart e të gjithëve ju”, u shpreh kreu socialist. Në vijim kreu socialist tha se pas ardhjes në pushtet të socialistëve do të formohet një qeveri e re kombëtare dhe një vullnet i ri atdhetar, që shembullin e transformimit të Tiranës do ta zbatojë në gjithë Shqipërinë. Kreu socialist gjatë fjalës së tij i është drejtuar një qytetari, i cili hodhi thirrje kundër Berishës. Rama tha se nuk jemi këtu për të sharë Berishën, por për të treguar se çfarë ne mundim të bëjmë më mirë se ai. Rama tha dje gjatë fjalës së tij se PS-ja do të ndahet njëherë e përgjithmonë nga politika e vjetër. “Do të ndahemi prerazi, me thikë, nga politika e vjetër e abuzimit të skajshëm me pasuritë tona të përbashkëta natyrore, duke i dhënë fund praktikës së komprometimit të së ardhmes për t’i hapur rrugë investimeve që bazohen në teknologjitë e së shkuarës”, tha Rama. Në vazhdim kreu socialist tha se forca e besimit që i ka dhënë ndryshimi i Tiranës, e ka bërë të dëshirojë një ndryshim të tillë për të gjithë Shqipërinë, përmes një qeverie kombëtare me një vizion qytetar. “Kryeqytetasit që prej 18 vitesh jetojnë me ndryshimin e madh të Tiranës, duan një ndryshim edhe më të thellë. Për t’ia dhënë këtë ndryshim unë i kërkoj atyre votën për kryeministër më 28 qershor, bashkë me PS-në. Ndërsa të gjithë shqiptarët që e duan Shqipërinë të ndryshuar, siç ka ndryshuar Tirana, unë i them se jam këtu për të bërë të mundur bashkë me ta”, theksoi kryetari i opozitës. Kryesocialisti nënvizoi se me fitoren e 28 qershorit do t’u jepet zgjidhje pyetjeve të njerëzve, se pse Shqipëria nuk është në Bashkimin Evropian dhe pse shqiptarët nuk janë të lirë të lëvizin në Evropë. “Të gjithë jemi sonte këtu se nuk ka arsye që Shqipëria të jetë pa shtet, pa mbështetje për bujqit dhe pa arsim për të rinjtë, në 28 qershor ne do t’i marrim në dorë”, tha Rama. Kreu socialist ka përmendur problemet në arsim, duke thënë se pas 30 ditësh do t’i shpallet luftë analfabetizmit, problemet në shëndetësi, duke theksuar se spitalet do të shndërrohen në hapësira ku shfaqet solidariteti për njëri-tjetrin, problemet e mjedisit duke premtuar pastrimin e Shqipërisë nga plehrat dhe mbeturinat urbane. Kreu socialist ka reaguar edhe për kërkesën e kryeministrit Berisha, i cili i ka bërë thirrje të dorëhiqet nga posti i kreut të Bashkisë së Tiranës. “Berisha i ka drejtuar topat e baltës drejt bashkisë dhe PS-së me një fushatë të dëshpëruar, për t’i shpëtuar humbjes së pashmangshme, më 28 qershor. I gjori kryeplak i politikës së vjetër më kërkoi mua të iki nga detyra e bashkisë, pa i pyetur ata që më zgjodhën”, u shpreh Rama. “Ne do të fitojmë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë”, e mbylli fjalën e tij kreu i Partisë Socialiste, duke u pasuar nga prezantimi i hitit “Çohu”, që do të jetë kolona zanore e PS-së në këto 30 ditë të fushatës zgjedhore.
“Pse dua të bëhem kryeministër”
Për të ndryshuar Shqipërinë si Tiranën Për t’i shpallur luftë analfabetizmit Për një shëndetësi për qytetarët Për një bujqësi që do ndryshojë jetën e fermerit Për të bërë fermerët pronarë të tokave të tyre Për të realizuar lëvizjen pa viza drejt vendeve të BE Reforma të thella në drejtësi e rend Për hapjen e vendeve të reja të punës Për luftën kundër korrupsionit Për investime dhe masa për mbrojtjen e ambientit
Shiu prish finalen
Videoklipi i “Çohu” nën një shi të rrëmbyer
Shiu që ra mbrëmë për rreth gjysmë ore ka prishur finalen e mitingut të djeshëm. Të pranishmit në mitingun e djeshëm, që kishin nisur të largoheshin për shkak të shiut që sapo kishte filluar, nuk patën mundësi të shikonin të plotë videoklipin e këngës “Çohu”, e cila do të shoqërojë socialistët në këtë fushatë elektorale. Shiu i rrëmbyer që nisi në fund të fjalës së Edi Ramës, bënë që edhe deputetët të lenë karriget e tyre në podium për t’i shpëtuar shiut. Edi Rama dhe “West Side Family” realizuan një videoklip në të gjithë ato vende ku Rama ka shkelur vetë në të gjithë Shqipërinë. Videoklipi fillonte nga miniera e Bulqizës, vazhdonte me Metalurgjikun e Elbasanit, në tragetin që të çon në Tropojë dhe në një peshkarexhe në Durrës, ku Rama përsëriste premtimin se do të ndryshojë vendin, ndërsa u kërkonte qytetarëve të çoheshin për të arritur këtë qëllim.
Djali i Ramës, Grigori në miting
Djali i kryetarit socialist Edi Rama, Grigori, ishte dje i pranishëm në mitingun hapës të fushatës elektorale të të atit. Ai është parë nën shoqërinë e vajzave të Vullnetarëve të PS-së, por dhe të djemve të grupit “West Side Family”, prapa kuintave të podiumit ku qëndronin kandidatët. Por kur Edi Rama është ngjitur në podium, Grigori është ulur në një nga karriget para foltores për ta ndjekur nga afër të atin.
Fjalimet e përfaqësuesve
Mitingu i djeshëm ishte konceptuar si një përshëndetje dhe shprehje e shpresës ndaj PS-së e përfaqësuesve të ndryshëm nga të 12 qarqet e vendit. Përzgjedhja e tyre është bërë në bazë të grupeve të interesit dhe kategorive që ata përfaqësonin. Një ndër to dhe një anëtare e shoqatës së të verbërve, e cila shprehu mbështetjen e saj se pas 28 qershorit dhe kërkesat e saj do të realizohen.
PD: Rama mblodhi pinjollët e diktaturës
Partia Demokratike reagoi dje pas mitingut të PS-së, duke akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se kishte mbledhur në qytetin Studenti pinjollët e diktaturës. "Sot Edi Rama, hapi fushatën elektorale në qytetin studenti duke patur në njërin krah si gonxhe të politikës së re Ministrin e Brendshëm dhe të Sigurimit të diktaturës, famkeqin Gramoz Ruci që skuqi me gjakun e ëngjëjve të demokracisë, studentëve liberatorë rrugët dhe sheshet e qytetit studenti të Tiranës dhe Shkodrës dhe në krahun tjetër Ministrin tjetër të Enver Hoxhës Skënder Gjinushin", tha zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.