Depresioni, vetëhelmohet me medikamente e reja
Një vajzë e re ka tentuar t‘i japë fund jetës, duke u vetëhelmuar me mbidozë ilaçesh. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Muhur të po kësaj komune në rrethin e Dibrës, ku një vajzë e re me inicialet M.T., ka gëlltitur një sasi të konsiderueshme paracetamoli. Fatmirësisht, 26-vjeçarja është pikasur në kohë nga të afërmit e saj, të cilët e kanë çuar me urgjencë, mbrëmjen e së hënës në spitalin e Peshkopisë në gjendje të rëndë. Pas kujdesit të bluzave të bardha dhe marrjes së mjekimit, vajza ka mundur të dalë nga gjendja e rëndë intoksikuese që i kishte shkaktuar mbidoza e ilaçeve dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve të policisë, mësohet se M.T. prej disa kohësh kishte dhënë shenja depresioni, për shkaqe ende të panjohura. Mendohet se një gjendje e rënduar psikologjike ka ndikuar që vajza të tentojë të vetëflijohet, por fatmirësisht është ndaluar në kohë nga familjarët e saj. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje është duke punuar për hetimin dhe përcaktimin e shkaqeve që e çuan 26-vjeçaren drejt tentativës së vetëvrasjes.