Dy vjedhje brenda ditës, asnjë autor
Brenda 24 orëve shënohen dy vjedhje në Qarkun e Elbasanit dhe në të dy rastet, policia nuk ka emra autorësh. Burime zyrtare të policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se rreth orës 11:00 të së hënës, 47-vjeçari Xhemal Muça, banues në fshatin Katjel, Komuna Rrajcë, Librazhd, ka denoncuar vjedhjen e makinës së tij, të cilin e kishte parkuar në aksin rrugor Përrenjas-Pogradec. Mësohet se automjeti tip "Mercedes Benz 200", pa targa, është gjendur i braktisur, në aksin rrugor Pogradec - Qafë-Thanë, në vendin e quajtur "Guri i Kuq", vetëm disa orë më pas. Ndërkohë, në lagjen "Sul Papri" në Elbasan është vjedhur një çantë me konfeksione me një vlerë rreth 20 mijë lekësh, të cilat pronari i tyre i kishte lënë në makinën e parkuar përpara pallati ku banonte. Policia po punon për zbardhjen e vjedhjeve.