E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria bën nderet e fundit, legalizon dhe 5100 ndërtime

Qeveria miratoi mbrëmë në mbledhjen e saj të radhës dhe të fundit para zgjedhjeve parlamentare listën me emrat e personave që përfitojnë legalizim të ndërtimit që kanë kryer në tokat e zëna.

Qytetet që përfitojnë nga vendimi i qeverisë janë Durrësi, Berati, Tirana, Lezha, Elbasani dhe Korça. Dosjet e këtyre ndërtimeve kanë kaluar më parë nga Agjencia e Legalizimit të Zonave Informale-ALUIZNI. Listat përfshijnë 5113 ndërtime që u përkasin 6200 familjeve, me një sipërfaqe rreth 1.85 milionë metra katrorë. Qeveria po përpiqet ta përfundojë procesin e legalizimit të zonave informale brenda afatit të zgjedhjeve për të fituar sa më shumë vota. Bëhet fjalë për rreth 350 mijë ndërtime informale, legalizimi i të cilave shkakton impakt pozitiv në rritjen e elektoratit demokrat. Megjithatë, shumë ekspertë të pronave mendojnë se banorët e zonave informale nuk e kanë ende në dorë certifikatën e pronësisë, për aq kohë sa nuk regjistrohen në hipoteka. Të legalizuarit e rinj marrin një dokument që quhet "leje legalizimi" dhe që juristët e konsiderojnë si të barasvlershme me "aktin e koalidimit" që pushteti vendor lëshon për ndërtesat e reja. Para se të legalizuarit të marrin certifikatë pronësie mbi tokën e tyre, do të duhet që qeveria të shpronësojë pronarët e tokës mbi të cilën është ndërtuar pa leje. Të legalizuarit e fundit kanë nën përdorim parcela toke prej rreth 300 metrash katrorë secili. Nëse toka e zënë ka një çmim prej 3 mijë lekësh për metër katror, qeverisë i duhet të shpenzojë 43 milionë euro për kompensimin e pronarëve, para këto që do t‘u merren taksapaguesve, shumica e të cilëve nuk përfiton as tokë për legalizim dhe as fond kompensimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›