Depresioni, vetëvritet me pistoletë në kokë 23-vjeçari
25/06/2009 Elbasan 24.6.2009 vetëvritet me pistolete një i ri nga Elbasani. Kastriot Meci 23 vjeç me banim në Komunah të komunës Mollas në Elbasan u vetëvra dje me pistoletë në banesën e tij. Ngjarja ka ndodhur në mesditë. 23-vjeçari është izoluar në një nga dhomat e shtëpisë pikërisht në kohën kur familjarët nuk ndodheshin në banesë. Pasi është mbyllur i vetëm në dhomë ka ngritur pistoletën dhe ka mjaftuar një plumb i vetëm në kokë që të gjejë vdekjen e menjëhershme. Krismat kanë tërhequr vëmendjen e familjarëve dhe fqinjëve përreth. Ata kanë nxituar për tek dhoma dhe pasi kanë çelur derën me forcë kanë gjetur të vrarë e me pistoletë në dorë 23-vjeçarin. Për Kastriot Mecin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Vdekja ka qenë e menjëhershme për shkak se plumbi e ka marrë në kokë. Më pas është lajmëruar policia. Një grup i përbërë nga policia, ekspertët dhe hetuesit kanë shkuar në fshatin Kamunah. Grupi hetimor ka marrë në pyetje familjarë për të mësuar arsyet e vetëvrasjes së të riut. Sipas të dhënave të para, rezulton se kohët e fundit Kastriot Meci po kalonte çaste të rënda depresive. Ende nuk ka një pistë të saktë për të përcaktuar arsyet që detyruan të riun të ndërmarrë aktin fatal. Sipas policisë, vetëvrasja ka ndodhur për motive të dobëta. Megjithatë, një ndër pistat e hetimit është edhe ajo e lidhjeve sentimentale. Grupi hetimor po punon për të zbardhur motivet e vërteta të vetëvrasjes. Çështja i ka kaluar Prokurorisë së Elbasanit.