Depresioni, vret veten me çifte 50-vjeçarja
TIRANE - Një grua 50-vjeçare vrau veten mesditën e djeshme, pasi u qëllua me një armë gjahu që bashkëshorti i saj mbante në shtëpi. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:00, në apartamentin e një pallati në rrugën "Ali Demi", në Tiranë. Viktima Luljeta Koldashi, 50 vjeç dhe në momentin kur është vetëqëlluar me çifte, ndodhej vetëm në shtëpi. Fqinjët që kanë dëgjuar krismën e armës, kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe efektivat e Komisariatit nr.1 shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes. Fillimisht policia dyshoi për një ngjarje aksidentale, nga ndonjë qitje e pavullnetshme që mund të kishte kryer 50-vjeçarja, duke zhvendosur armën nga një vend në tjetrin, por pasi u morën në pyetje të afërmit e saj, rezultoi se ajo prej kohësh vuante nga depresioni. Madje sipas tyre, ajo kishte tentuar edhe herë të tjera vetëvrasjen, në mënyra të tjera, por është penguar nga ata. Ndërsa këtë herë ajo ka shfrytëzuar momentin kur ndodhej e vetme në banesë dhe është vetëvrarë.