Ciklet e studimit, si ndryshojnë diplomat
Zirina Llambro
Me ndryshimet e propozuara në ligjin e arsimit të lartë diplomat universitare dhe masterat do të kenë emërtime të reja. Do të ndryshojnë edhe kushtet e pranimit në doktoraturë, ndërsa masterat e nivelit të dytë, që u hapën vitin e shkuar, do të mbyllen. Punonjësit e administratës që kanë vrapuar të bëjnë një master të këtij lloji për të përfituar shtesë në pagë sipas ligjit, shumë shpejt nuk do ta kenë më këtë shans. Me heqjen e MND-ve pritet të ndryshojnë edhe aktet nënligjore për qëllimet e shpërblimit shtesë për postet e punës në sektorin publik. Shtohet mbrojtja e gjuhës angleze me testin internacional Toefel. Kjo paralajmërohet në relacionin e Këshillit të Ministrave dërguar Parlamentit. Në përfundim të ciklit të parë të studimeve që zgjat 3 vjet, nuk do të përfitohen më Diploma të Nivelit të parë (DNP). Ato do të quhen Diploma Universitare “Bachelor”. Kjo diplomë do të jetë baza e piramidës universitare. Nga sa bëjnë me dije specialistët e MASH, do të ketë përmirësime në kurrikulat e këtij cikli, në mënyrë që ato të jenë sa më të orientuara drejt tregut të punës. Për të marrë një “Bachelor” studentit do t’i duhet të grumbullojë 180 kredite. Më tej, ata mund të ndjekin ciklin e dytë të studimeve. Në përfundim të tij nuk do të lëshohen më diploma të nivelit të dytë (DND), por diploma universitare “Master i shkencave”. Nga sa pohojnë ekspertët që po merren me hartimin ndryshimeve, kurrikulat dhe kriteret e pranimit të këtij cikli studimi do të “forcohen” ndejshëm, pasi këtë diplomë duhet ta ndjekin studentët që dëshirojnë të shkojnë edhe në nivelin e tretë të studimeve. Zotërimi i një “Masteri të shkencave” me ligjin e ri do të jetë kusht për doktoraturën. Ndërkaq, nuk do të këtë më “Mastera të Nivelit të Dytë” (MND). Këto studime po i ndjekin aktualisht studentë të cilët kanë diploma 4-vjeçare (Diploma të integruara të nivelit të dytë). “Këto studime mund të njihen pjesërisht ose plotësisht për studentët e doktoratës, në përputhje me përcaktimet në statutet e IAL-ve. Pas një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” do të përshtaten në programe studimi për diplomën “Master”. Projektligj nuk bën asnjë konvertim apo ekuivalencë tjetër të MND-ve me diplomat e ciklit të dytë. Kjo diplomë do të njihet si MND për kohën që ka ekzistuar. Kësisoj kjo diplomë nuk është konsideruar edhe në procesin e njohjes së diplomave të huaja. Në dispozitat kalimtare të projektligjit thuhet se do të bëhet ekuivalentimi i diplomave të lëshuara më parë me ato aktuale. “Studentët e regjistruar në një program studimi para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë studimet e tyre me të njëjtin program studimi për kohëzgjatjen e parashikuar të tij. Studentët mbetës do të marrin një diplomë në varësi të afateve të studimeve të tyre dhe të kurrikulës”, thuhet në nenin 34 të ligjit. Universitetet duhet që brenda një viti të përshtatin programet e studimit në përputhje me kërkesat e përcaktimet e këtij ligji.
Kreditet për diplomat
Programet e ciklit të parë diploma “Bachelor” 180 kredite Programet e ciklit të dytë diploma “Master i shkencave” 120 kredite Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë 300 kredite Programet e studimeve “Master” 90 kredite Programet e studimit të ciklit të tretë 180 kredite Programet e studimeve specializuese afatgjata 120-240 kredite