E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Franc Konomit, dëshmon gruaja



Etleva Delia

Bashkëshortja e Franc Konomit, u paraqit dje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku dëshmoi në lidhje me vrasjen e bashkëshortit të saj, për katër orë me radhë para grupit hetimor. Bashkë me të shoqen e 42-vjeçarit, Franc Konomi, policia ka marrë në pyetje edhe nëntë të afërm të personit që u vra me armë zjarri, më 8 korrik 2010, në afërsi të Ushtarit të Panjohur në Tiranë. Burime të policisë së Tiranës kanë thënë se të afërmit e Franc Konomit, të cilët u morën në pyetje ditën e djeshme, nuk kanë dhënë dëshmi të rëndësishme që mund të ndihmojnë hetimin apo zbardhjen e ngjarjes. Asnjëri prej të afërmve, nuk ishte në dijeni për ndonjë kërcënim apo paralajmërim të mundshëm ndaj Franc Konomit. Bashkëshortja e tij, Rovena Pojana, me të cilën Franc Konomi ka dy fëmijë, ka treguar për policinë se i shoqi jetonte mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, pasi ai udhëtonte shumë. Këto udhëtime të shpeshta, nuk i kishin dhënë asaj mundësinë që të ishte në dijeni të ndonjë problemi që mund të kishte Franc Konomi. "I vetmi problem i tij që dija unë kohët e fundit, ishte fakti se kishte mbetur pa para. Edhe makinën me të cilën ishte ditën që e vranë, ia kishte blerë dikujt, por ende nuk ia kishte dhënë paratë, pasi nuk kishte", mësohet të ketë deklaruar në polici Rovena Pojana. Sa i përket ndonjë shqetësimi apo konflikti që Franc Konomi mund të ketë pasur muajt e fundit, bashkëshortja e 42-vjeçarit ka thënë në polici se nuk është në dijeni për asgjë të tillë.
DESHMIA E GRUAS
"Prej gati dy vitesh jetonim thuajse të ndarë". Kështu e ka nisur dëshminë e saj, dhënë dje para oficerëve të Policisë së Tiranës, Rovena Pojana, bashkëshortja e Franc Konomit. Ajo ka treguar se fillimisht është lajmëruar nga babai i Konomit, Stefani, se i shoqi ishte plagosur në Tiranë dhe duhej të vinte nga Gjermania, bashkë me fëmijët, sepse gjendja e tij ishte e rëndë. Më pas kanë qenë të afërmit e saj në Durrës, ata që i kanë treguar të vërtetën dhe ajo është nisur me avionin e parë nga Frankfurti në drejtim të Tiranës. "Jeta e Franc Konomit ishte mes Gjermanisë dhe Tiranës, për të mos thënë që ai më shumë kohë kalonte në Shqipëri sesa në Gjermani. Kjo ka bërë që edhe unë të mos jem shumë në brendësi të problemeve të tij, apo të më fliste për ndonjë gjë që e shqetësonte", mësohet të ketë deklaruar Pojana. Sipas saj, që prej kohës kur u shpall i pafajshëm nga drejtësia shqiptare për ato vepra penale që e akuzonin vite më parë, Franc Konomi ka bërë një jetë të qetë, që e ndante me të dhe fëmijët në Gjermani, por nuk linte pas dore as prindërit, Stefanin dhe Kristinën, që jetojnë në Tiranë. "Përveç disa problemeve ekonomike që Franci kishte kohët e fundit, unë nuk di të ketë pasur ndonjë problem tjetër. Para disa javësh, kur mori makinën e re, në të cilën edhe e vranë, me tha se e kishte marrë me borxh dhe ende nuk ia kishte paguar paratë, personit që ia kishte blerë", ka deklaruar bashkëshortja e Franc Konomit.

Dosja ‘Konomi’, analizë polici-Prokurori
TIRANE - Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vicaj së bashku me zv.drejtorin Artan Cuku, kanë zhvilluar dje rreth mesditës një takim me grupin hetimor të prokurorisë së Tiranës, në lidhje me hetimet që po zhvillohen për vrasjen e Franc Konomit. Drejtuesit e Policisë së Tiranës, të shoqëruar edhe nga shefat e sektorëve të hetimit, kanë qëndruar për rreth një orë në Prokurorinë e Tiranës. Dje në këtë institucion mësohet se është zhvilluar një analizë e hollësishme e hetimeve të zhvilluara deri tani në lidhje me ekzekutimin e Franc Konomit, i cili u qëllua me armë javën e kaluar, teksa po nxirrte nga parkimi makinën e tij me targa TR 06 26 S. Burimet nga organi i akuzës nuk kanë bëtë të ditura detaje nga takimi, por thanë se krerët e policisë dhe drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, së bashku me grupin hetimor, kanë biseduar në hollësi në lidhje me provat e dëshmitë e grumbulluara deti tani, si dhe me pistat hetimore që po verifikohen. Ngjarjet e vjetra në të cilat Franc Konomi ishte lakuar në vitet 1990, hakmarrja, trafiku i drogës dhe konfliktet për gjobëvënie janë pistat kryesore që po hetohen. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›