Ministria e Drejtësisë teston 13 avokatët e rinj të shtetit
TIRANE - Ministria e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit testuan dje avokatët e shtetit për 13 vende vakante në këtë institucion. Ministria e Drejtësisë pohoi dje se: "Në mbështetje të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe Agjencisë Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, Avokatura e Shtetit, projekti Spanjoll AECID në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, kanë realizuar me sukses procesin formues të Avokatëve të Shtetit, nga data 28 prill 2010 deri më 30 qershor 2010". Kështu, në përmbyllje të këtij trajnimi paraditen e djeshme në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua provimi përfundimtar, nga i cili pritet të plotësohen 13 vende vakante për Avokatë Shteti në nivel ministrie dhe në nivel vendor. Kjo ishte faza e dytë e testimit të këtyre avokatëve, të cilët u trajnuan nga ekspertë të huaj dhe vendas, ndërsa pritet që gjatë ditës së sotme të dalin rezultatet e provimit përfundimtar dhe pas kësaj nisja e punës për avokatët e rinj të shtetit. Rekutimi i avokatëve të rinj sipas, Avokates së Përgjithshme të Shtetit, Ledina Mandia do të sjellë forcimin e mëtejshëm në kapacitetet e këtij institucioni shumë të rëndësishëm për shtetin ligjor. "Zbatimi i projektit do të përmirësojë organizimin e brendshëm dhe formimin e Avokaturës së Shtetit të Shqipërisë, e për më tepër duke ushtruar në mënyrë më efikase funksionin mbrojtës të Shtetit përballë gjyqeve, do t'i lejojë të marrë funksione të tjera si vlerësimi paraprak i kontratave dhe marrëveshjeve juridike të ndërmarra nga shteti, vlerësimi i projektligjeve, si dhe të përfaqësojë shtetin shqiptar përballë gjyqeve ndërkombëtare të organizmave ndërkombëtarë, ku Shqipëria aderon, si Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe përballë Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian", pohuan dje burime nga Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë avokatja Mandia me rastin e zhvillimit të këtij testimi tha: "Avokatura e Shtetit është një institucion kyç për t'u garantuar të gjithë qytetarëve cilësinë juridike të veprimeve të Shtetit, duke evituar në shumë raste dërgimin e çështjes deri në gjyq dhe ta mbrojë atë me efikasitet kur kjo gjë të ndodhë".