Ligji i arsimit, të gjitha ndryshimet për universitetet
Zirina Llambro
Me gjithë kundërshtimet e universiteteve, ligji i arsimit të lartë i ndryshuar është tashmë në Parlament. Pasi është miratuar nga Qeveria, ai do të diskutohet sot në komision. Veç cikleve të studimeve dhe emërtimeve të reja të diplomave, janë bërë ndryshime edhe në decentralizimin e vendimmarrjes si dhe mënyrën si do të miratohen programet e studimeve. Nëse ligji merr “OK” nga votimi në Parlament, degët e reja në universitete publike apo private nuk do të hapen më nga Këshilli i Ministrave, por nga Ministria e Arsimit. “Hapja dhe mbyllja e programeve të reja të studimit si për institucionet publike, ashtu edhe për ato private bëhet me urdhër të ministrit”, thuhet në pjesën e shtuar në nenin 23 të projektvendimit. Mbetet e njëjtë mënyra si procedohet me hapjen ose mbylljen e universiteteve publike dhe private. Për to vendos Qeveria. Me argumentin se departamentet e fakulteteve janë shumë të mëdha, ligji i ri synon riorganizimin e tyre. Struktura e re parashikon njësi më të vogla. Shefi i departamentit do të jetë personi kyç jo vetëm për procesin mësimor, por edhe për atë kërkimor si dhe zhvillimin e burimeve njerëzore.
QSU dhe pedagogët
Sakaq parashikohen ndryshime edhe në organizimin e fakulteteve të fushës së shëndetësisë. Po kështu përcaktohet statusi i qendrave spitalore universitare (QSU) si dhe mënyra e qeverisjes së tyre. Këto qendra nuk do të qeverisen nga një drejtor i vetëm, por nga një bord, i cili do të emërojë drejtorin e përgjithshëm dhe nëndrejtorët e spitalit. Shefat e shërbimeve duhet të kenë të paktën gradën shkencore “Doktor”, përvojë pune në fushën në fjalë si dhe të ketë bërë kërkime dhe botime shkencore. Sipas Ministrisë së Arsimit, në rekrutimin e pedagogëve në institucionet e larta publike përzgjedhja është bërë duke mos zbatuar standarde të njëjta. Në nenin 27 pika 3 përcaktohet se tashmë titullari emëron një nga tre kandidatët e radhitur të parët në vlerësimin e bërë nga komisioni ad-hoc. Në nenet 7 e 8 të projektligjit propozohet raportimi nga dekanët një herë në vit në mbledhjet e hapura, ku marrin pjesë edhe studentë të këshillave të fakulteteve. Kjo praktikë sipas MASH zbatohet në të gjitha universitetet perëndimore. Projektligji zgjat mandatin e këshillave të studentëve nga 1 në 2 vite. Ministria e Arsimit bën me dije se për këto ndryshime janë bërë këshillime të gjera me konferencën e rektorëve, këshillin e arsimit të lartë e të shkencës si dhe me profesoratin e studentët. “Për këtë qëllim janë organizuar konferenca e seminare të shumta. Janë marrë në konsideratë edhe përfundimet paraprake të dy agjencive të huaja. Por ndërkohe që prej disa muajsh komuniteti universitar deklaron vazhdimisht se ministria i ka bërë ndryshimet në ligj pa u konsultuar me ta. Madje dekanë e rektorë publikisht janë shprehur se ndryshimet e bëra bien ndesh me Kushtetutën. Sa u përket efekteve financiare, në relacion thuhet se ato nuk janë të drejtpërdrejta. “Efekti më i ndjeshëm financiar është ai që lidhet me zgjatjen e kohës së studimeve me 1 semestër në diplomën ‘Master’, që është i domosdoshëm për të arritur, së bashku me studimet “Bachelor” numrin e 270 krediteve.
Ndryshimet kryesore në ligjin e arsimit
Shtohet neni 19/1
1-Organet drejtuese të qendrave spitalore universitare drejtohen nga bordi dhe drejtoria e përgjithshme.
2-Bordi është organi më i lartë drejtues, që kryesohet nga ministri i Shëndetësisë, ose zv.ministri i deleguar prej tij dhe ka në përbërje 4 anëtarë.
a-Rektorin e institucionit të arsimit të lartë.
b-Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë.
c-Kryetarin e këshillit të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë.
ç-Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të sigurimeve të kujdesit shëndetësor.
3-Bordi miraton politikat dhe strategjitë e zhvillimit, si dhe harton programet tekniko-financiare të veprimtarisë së qendrës, në përputhje me politikat qeverisëse për shëndetësinë, arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe planin e zhvillimit strategjik të universitetit.
4-Funksionet e bordit:
a-I propozon Kryeministrit dy kandidatë për emërim në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të qendrës spitalore.
b-Zgjedh në bazë të konkursit të zhvilluar kandidaturat për nëndrejtorë të përgjithshëm dhe ia dërgon ata për emërim drejtorit të përgjithshëm.
c-Zgjedh përgjegjësin e shërbimit në QSU
Neni 21 pika 5 ndryshohet
Drejtori i qendrës Ndëruniversitare përzgjidhet me konkurs të hapur. Kandidati fitues propozohet nga ministri i Arsimit dhe emërohet nga Presidenti i Republikës.
ishte
1.1 Studimet e ciklit të parë:
c) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë e nivelit të parë (DNP) në fushën e arsimimit të kryer.
behet
1.1 Studimet e ciklit të parë:
c) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
ishte
1.2.1. Programet e studimeve të ciklit të dytë:
a) programet e studimeve të ciklit të dytë japin njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim të pavarur në një fushë brenda një specialiteti.
c) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë e nivelit të dytë (DND) në fushën e arsimimit të kryer.
behet
1.2.1. Programet e studimeve të ciklit të dytë:
a) programet e studimeve të ciklit të dytë u japin të diplomuarve që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti.
c) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
ç) Studentët e këtij programi studimi duhet të japin edhe provimin e gjuhës angleze me testin internacional Toefel
ishte
1.2.2. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë:
a) institucionet e arsimit të lartë në fusha të veçanta ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku.
b) programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite.
c) në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diplomë e integruar e nivelit të dytë (DIND) në fushën e arsimimit të kryer.
behet
1.2.2. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë:
a) institucionet e arsimit të lartë në fushat e mjekësisë, veterinarisë dhe arkitekturës ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku.
b) programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite.
c) në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
ç)Studentët e këtij programi studimi duhet të japin edhe provimin e gjuhës angleze me testin internacional Toefel
ishte
1.2.3. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë”:
a) programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të parë, arsimim dhe trajnim të mëtejshëm profesional.
b) programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë” realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit.
c) në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma “Master i Nivelit të Parë” (MNP) në fushën e arsimimit dhe trajnimit të kryer.
behet
1.2.3. Programet e studimeve “Master”:
a) programet e studimeve “Master” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional.
b) programet e studimeve “Master” realizohen me së paku me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është se paku 1 vit.
c) në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma universitare “Master” në fushën e arsimimit dhe trajnimit profesional të kryer.
d) IAL kanë të drejtë të pranojnë kandidatë që kanë fituar diplomë “Master” në studimet e ciklit të dytë për diplomën universitare “Master i Shkencave” dhe të vendosin kritere për njohjen/transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit, që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë.
ç)Studentët e këtij programi studimi duhet të japin edhe provimin e gjuhës angleze me testin internacional Toefel.
1.3.1. Programet e studimeve të doktoratës:
b) këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë edhe 60 kredite për studime të organizuara.
c) kandidatët që kanë diplomë të nivelit të dytë dhe diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, të përcaktuar në pikën 1.3.4 të këtij neni, nuk janë të detyruar të grumbullojnë 60 kredite të studimeve të organizuara teorike. Këta paraqesin disertacionin e doktoratës, sapo të kenë plotësuar kushtet e tjera, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave për studimet e doktoratës.
1.3.1. Programet e studimeve të doktoratës:
b) në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i Shkencave”.
c) këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë 40 deri në 60 kredite për studime të organizuara teorike.
ç)studentët e këtij programi studimi duhet të japin edhe provimin e gjuhës angleze me testin internacional Toefel.