E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekanët: Ligji cenon rëndë autonominë



Ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë sipas Universitetit të Tiranës bien ndesh me Kushtetutën. Ato sjellin diferenca mes diplomave të lëshuara më parë dhe të tjerave që do jepen në vijim. Po kështu, shkollat e larta publike nuk janë përfshirë në hartimin e këtij drafti. Pas letrës së dërguar Kryeministrit të vendit pak muaj më parë, krerët e universiteteve kanë nisur të reagojnë publikisht. Disa ditë më parë rektori i UT, Dhori Kule, theksoi se këto ndryshime asgjësojnë autonominë e shkollave të larta. Dje dekanët e Fakultetit të Histori-Filologjisë dhe të Shkencave Sociale kundërshtuan projektligjin e arsimit të lartë, i cili sipas tyre cenon lirinë akademike dhe financiare. Dekani i Shkencave Sociale, Dhori Karaj, sqaroi se ky projektligj ngurtëson të gjitha burimet financiare, çka e bën të vështirë përmirësimin e kushteve në fakultete dhe në kundërshtim me Kushtetutën lejon ministrinë të ndërhyjë në përmbajtjen e universiteteve.”Në këto kushte universiteti publik e ka shumë të vështirë të konkurrojë me privatin, tek i cili ministria nuk ushtron të njëjtin kontroll”, tha Karaj. Ndërkaq, dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, theksoi se drafti krijon probleme për sa i përket ciklit të diplomave. Ndryshe nga ç’thuhej në ligjin e arsimit të lartë, tashmë të gjithë studentëve që kanë përfunduar ‘Masterin e Nivelit të Dytë’ nuk u njihet me si ‘Master Shkencor’. Dekanët shprehen se drafti është hartuar pa u konsultuar më parë me ta dhe që është në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas krerëve të universitetit të Tiranës, janë një sërë nenesh që bien ndesh me ligjin themeltar të shtetit. “Pikat 3 dhe 4 të nenit 33 të projektligjit diskriminojnë studentët që kanë përfunduar studimet. Me rregullimin që propozohet në projekt, diplomat e mëparshme dhe ato që do të lëshohen deri në përshtatjen e programeve do të kenë një vlerë akademike më të ulët se ato që janë lëshuar dhe lëshohen aktualisht, duke prekur rëndë kështu interesat e dhjetëra-mijëra personave. Praktikisht në tregun e punës, me këtë rregullim do të krijohet një pabarazi, për shkak të vlerësimit të ndryshëm të diplomave në fuqi prapavepruese, duke vendosur në pozita diskriminuese një shtresë të tërë të diplomuarish të mëparshëm në raport me vlerësimin e ri të diplomave, gjë që bie ndesh me nenin 18 të Kushtetutës”, sqarojnë krerët e UT. Po kështu, theksohet se neni 10 i projektligjit bie ndesh me parimin e rëndësishëm, mbi të cilin ndërtohet dhe funksionon arsimi i lartë, atë të autonomisë institucionale parashikuar nga neni 5/7 i Kushtetutës, të cilën ligji duhet ta garantojë. Projektligji gjithashtu në nenin 33, paragrafi i fundit, bën të pavlefshme diplomat “Master i Nivelit të Dytë”, të hapura me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky rregullim mund të sjellë edhe një reagim të fortë të fituesve të këtyre diplomave dhe të studentëve aktualë”, argumentojnë krerët e universitetit më të madh në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›