E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputete e bashkiake, promotore te dhunes

Ish-trajneri i Kombëtares, Neptun Bajko, ka opsionin e vet për zgjidhjen e krizën aktuale të futbollit shqiptar dhe zhbllokimit të situatës, që ka prodhuar edhe kolapsin. "Unë dua të shtroj një pyetje. Është futbolli që zgjedh individin, apo individi fushën e futbollit, duke arritur të ndryshojë imazhin apo personalitetin e munguar të tij para se të futet në futboll? Mendoj se në Shqipëri ka ndodhur kjo e dyta. Individët që dinë të fitojnë e kanë kapur futbollin në momentin më të vështirë ekonomik të tij, për qëllimet e përcaktuara mirë. E njëjta mënyrë solli në krye edhe presidentin aktual të futbollit tonë. Ky është një nga mëkatet e mëdha komunitet futbollistik. Përse jam kaq i ashpër? Gjithmonë milionerët që nuk kanë pasur kurrë të bëjnë me futbollin nuk vijnë për të shpëtuar atë, nëse brenda qëllimit të tyre nuk përfshihen dhe fitimet, përpos rritjes së personalitetit të tyre. Shqipëria futbollistike vuan nga zbatimi i ligjeve apo rregullat e përcaktuara qartë, sic i kanë dhe vendet e zhvilluara dhe me futboll profesionist. Kjo ka lejuar, që në futbollin tonë të shfaqen fenomene tërësisht negative, të cilat duan kohë të minimizohen dhe shmangen plotësisht, fenomen që janë të dënueshme nga kodi moral dhe ai civil. Bota për imazhin paguan miliona, te ne edhe për këtë gjë donatorët i kanë paguar milionat".
Bajko sjell një shembull: "Për këtë unë dua t'i referohem një futbolli shumë të madh, francezit Erik Kantona, i cili në një moment të vështirë të karrierës së tij tha: ‘Jemi ne, të cilët qajmë e derdhim lot kur humbasim nga futbolli, të cilin e kemi nisur qysh në moshën 4-vjec, dhe jo këta drejtues, të cilët nuk dinë shumë nga kjo lojë dhe sot drejtojnë sistemin e tij, prej të cilit vjelin miliona, pa i dhënë futbollit, por duke i marrë". I njëjti fenomen, nga të njëjtat shkaqe, po ndodh në vendin tonë.
Si ka mundësi që kryetarët e Bashkisë, deputetë, bëhen presidentë të klubeve të futbollit? Ka drejtues bashkiakë që merren deri te menaxhimi i futbollistëve, për të mos harruar se shumë prej tyre bëhen edhe promotorë e nxitës së dhunës. Rasti i deputetit që pranon se rreh arbitrin flet shumë. Një gjë është e qartë, pas kësaj fshihen edhe interesa të tjera", - thotë Bajko.
BAJKO per...
... Futbollin
Është shfrytëzuar maksimalisht nga të gjithë, duke blerë imazhin e këtij sporti popullor, nga njerëz që nuk kanë pasur kurrë të bëjnë me futbollin, përvec interesave të tyre të përkohëshme.
... Presidentët
Shumë pak i kuptojnë trajnerët, pasi nuk e njohin futbollin. Duke mos ditur të njohin as veten në lidhje me futbollin, e kanë më të lehtë të përcmojnë meritat e trajnerëve.
... Trajnerin
Është pasuri kombëtare, është institucion më vete, i cili nuk i bindet kurrë askujt kur bëhet fjalë për cështje profesionale, përvec bindeve të tij, të përsosura në terren edhe si edukator.
... Futbollistët
Janë vetë futbolli i materializuar në praktikë. Nuk janë vetëm lojtarë, por idhujt e brezave të tërë. Nuk duhet të manipulohet më ta, pasi mund të ndikojnë në shkatërrimin e imazhit.
... Tifozët
Vlen një aksiomë. Më mirë një shembull i mirë se sa një mijë fjalë. Në ndeshjet e Kombëtares janë shembulli më i mirë, në ndeshjet e kampionatit, shpesh herë bëjnë më të shëmtuarën.
... Dhunën
Fenomeni me negativ që po pushton cdo ditë fushat e futbollit shqiptar, duke mos njohur kufi, nëse luhet në futbollin profesionist apo atë amator.
... Politikën
Ka pasur gjithmonë se politika ka pasur nevojë për sportin dhe e ka shfrytëzuar atë, sidomos gjatë fushatave elektorale për të marrë votat e një pjesë të njerëzve të papartishëm.
... Konfliktin
Për konflikti i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e
Sporteve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit kam vetëm një mesazh proverbial. "Kur dy elefantë zihen, vuan bari".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›