E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi nxjerr topin nga “burgu”

Mund ta japësh edhe figurativisht kryelajmin sportiv. Topi "fryn" topin. Pango shtrëngon duart me Dukën. Topi bashkon "armiqtë". Janë qindra variante për një kryetitull. Por, më i rëndësishmi është shumë i thjeshtë. Futbolli shqiptar rikthehet në arenën ndërkombëtare. Fituesit e vërtetë – të dyja palët në konflikt e pretendojnë këtë – nuk janë as ministri Pango dhe as kreu i FSHF-së, Duka, madje as Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Por, topi. Ai i lojës së futbollit. Topi ndërkombëtar. I "burgosur" dhe i "shfryrë" për më shumë se një muaj, teksa ndodhej herë në "qelinë" e Pangos dhe herë në atë të Dukës. Telenovela e konflikteve në futbollin shqiptar dhe pezullimit të përfaqësimit në arenën ndërkommbëtare zhvilloi të enjten në selinë më të rëndësishme të shtetit shqiptar, atë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, serinë e fundit përpara se "topi kuqezi" të rifitojë të drejtën e rikthimit të dytë në familjen botërore e europiane. Të dy protagonistët e mëdhenj pretenduan fitoret e tyre në ring, por mesa duket i fituari i madh është futbolli.
DUKA
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka vuajtur jo pak gjatë konfliktit 3-vjecar. Herë me tone agresive, herë me akuza direkt ndaj Pangos e këshilltarëve të tij, 2-herë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit është i bindur plotësisht se nuk ka fituar ai personalisht, por futbolli shqiptar dhe i është i pari që flet për mediat. "Duka, i qeshur nga takimi me Pangon? Jam natyrë e qeshur në përgjithësi, jo vetëm në takimin me Pangon. Kam qenë në zyrën e Presidentit të Republikës dhe kjo është një kënaqësi personale", - thotë bosi i futbollit shqiptar. Më pas, serioz dhe direkt e në temën e nxehtë. "Sot, edhe sic jeni të informuar, në këtë takim të iniciuar nga Presidenti (Topi) kemi zhvilluar një debat për zgjidhjen e krizës. Besoj se kemi arritur, jo besoj, por kemi arritur në një konsensus, i cili rezulton në firmosjen e statutit nga ministri (Pango). Në të njëjtën kohë Federata Shqiptare e Futbollit do të pezullojë zbatimin e atij neni, për të cilin ministri ka pretendime deri në një kohë të dytë". Presidenti i FSHF-së nuk harron të falënderojë Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me të cilin ishte takuar edhe dy herë të tjera brenda këtij viti, privatisht, më 4 janar 2008 dhe zyrtarisht, më 31 mars 2008. "Me kontributin e përbashkët dhe kryesisht të Presidentit, bëhet i mundur regjistrimi i statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit në Gjykatën e Tiranës, dhe pas marrjes së këtij konfirmimi, duke ia cuar edhe organizmave ndërkombëtare, në bazë edhe të premtimit të FIFA-s, do ta heqi këtë pezullim të përkohshëm të Shqipërisë. Do të ngrihet një grup pune i përbashkët nga FIFA, UEFA, MTKRS-ja dhe FSHF-ja për të zgjidhur të tërë cështjet e tjera të mbetura pezull". Duka shfaqet shumë serioz dhe me zë të plotë (është dhe pronar i pularisë më të madhe në Shqipëri, "AIBA") dhe nuk shfaq asnjë hije dyshim mbi marrëveshjen. "Ratë dakord të gjithë me udhëzimin e FIFA-s e UEFA-s? Kemi biseduar gjatë dhe kemi gjetur këtë zgjidhje me Presidentin e Republikës. A i jepet fund procesit gjyqësor, a do të tërhiqet ministria? Ministri ka deklaruar para Presidentit se nuk ka asgjë në lidhje me gjyqin, por do të kontribuojë në lidhje me regjistrimin e statutit të Federatës.
PANGO
Ministri i Ministrisë Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pango, me atë që pohoi për mediat, la të kuptohej se ishte ai fituesi i madh në konfliktin e pazakontë midis shtetit dhe futbollit shqiptar, që solli edhe pezullimin e Shqipërisë nga FIFA e UEFA, respettivisht më 14 mars dhe 28 mars, dhe që solli edhe anulimin e dy ndeshjeve miqësore të Kombëtares A dhe një zyrtare të U-21. Pango bën ritualin tipik për mediat. "Do t'u them vetëm pak fjalë, por dëshiroj t'i mi riprodhoni saktësisht". Më pas një pozë triumfatori, është gati 190 cm dhe i sheh të gjithë nga lart. "U realizua ajo që kam kërkuar qysh më datën 20 shkurt 2008, kur kam nënshkruar statutin e FSHF-së, me tha: "Jam ndeshur me një nga paradokset më të jashtëzakonshme. Ky është i njëjti nen, por është për FIFA-n, nuk është për FSHF-në. Është njëlloj sikur një atribut të NATO-s, që e ka për të ndërhyrë në raste emergjente, ta ketë dhe Shqipëria nesër meqë është e NATO-s". Pango është në ditën e tij më të mirë, që nga koha kur është ministër. Madje, as tri reklamat kushtuar turizimit shqiptar e që kanë kushtuar 300 mijë euro dhe i shef rregullisht në televizionin prestigjioz amerikan "CNN". "FIFA ra dakord po ashtu sikundër edhe presidenti, që ky nen është antiligjor të ngrijë dhe statuti të jetë i firmosur, sic e kam firmosur, më 20 shkurt, më përjashtim të këtij neni 53. Pra, u pa e arsyeshme, ajo që kam thënë më 20 shkurt. Ky nen do të ngrijë deri në momentin kur një grup ekspertësh të vijnë në Tiranë dhe të bëjnë ndryshimet përkatëse, që do të arrijë të sjellë edhe heqjen e pezullimit. Kur do ta mbarojë punën ky grup? Besoj se shumë shpejt. Thelbi është ky, UEFA dhe FIFA ranë dakord që ky nen nuk është i përshtatshëm. Besoj se jeni të qartë".
TOPI
Presidenti pas Dukës e Pangos, në axhendën e tij ka takim me botuesit e mediave krysore në Shqipëri, por përmes komunikatës së shtypit ai jep versionin e tij në lidhje me impenjimin e tij të pazakonshëm për të zgjidhur nyjen gordiane të futbollit. "Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë dhe zhvilloi një takim pune me Ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango dhe me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka", - thuhet në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të Presindit, president.al. "Gjatë takimit institucional, të iniciuar nga Kreu i shtetit, u diskutua rreth pezullimit të ekipeve tona kombëtare të futbollit nga veprimtaritë ndërkombëtare sportive dhe gjetjes së një zgjidhjeje përfundimtare të kësaj cështjeje tepër shqetësuese dhe me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme kombëtare. Presidenti Topi shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë e plotë institucionale për të inkurajuar këtë proces brenda kompetencave ligjore dhe kushtetuese dhe për të shërbyer si katalizator për zgjidhjen e menjëhershme të kësaj cështjeje duke gjetur mirëkuptimin dhe gatishmërinë e palëve për arritjen e një kompromisi dhe zgjidhjeje ligjore dhe afatgjatë.
TAKIMI
I paralajmëruar 24 orë më parë për takimin e "trojkës" Topi-Pango-Duka në orën 11:00, interesimi i medias ishte i jashtëzakonshëm në hyrjen e dytë kryesore të Presidencës. I pari shfaqet ministri i MTKRS-së, Ylli Pango (hyri me "Audin" e tij zyrtar brenda oborrit të Presidencës ) dhe pak sekonda më pas, edhe presidenti i FSHF-së, Duka, i cilin hyn nga një portë më e vogël më këmbë. Pak dialogë në zyrën "katërkëndore" të Topit, të shoqëruar edhe me buzëqeshje për kamerat e televizioneve, dhe më pas bisedime, të cilat nuk dihen nëse kanë pasur brenda ndonjë shënjë përulje të Pangos, apo nervozimi të Dukës. pas gati 40 minutash Pango dhe Duka shfaqen njëkohësisht në oborrin e brendshëm të Presidencës, ku nuk mungon edhe ndonjë batutë midis Pangos, i cili shpëtoi nga njolla e zezë e pezullimit, dhe Dukës, në triumfin e radhës, teksa ka kujtuar ndoshta, se pas "thyerjes së gozhdës" së ish-ministrit Bujar Leskaj, edhe "shigjeta e helmatisur" e Pangos, nuk ishte ngulur në trupin e tij.
HAPAT
Pas ngrirjes së nenit 53, ministri Pango do të firmosë statutin sipas udhëzimit të FIFA-s, ndërkohë që FSHF-ja, pas miratimit edhe në Asamblenë e saj do ta cojë atë më pas në gjykatë për të regjistruar. Më 2 maj pritet që të hiqet edhe pezullimi i Shqipërisë nga FIFA. Për këtë qëllim do të ngrihet një grup punë "katërsh", në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues të MTKRS-së, FSHF-së, FIFA-s e UEFA-s, për të artikuluar një nen tjetër të statutit të FSHF-së, që të respektojë ligjet e shtetit shqiptar, autonominë e federatë, por të kënaqë edhe ndërkombëtarët.
Neni 53
Neni 53 i FSHF-së, i amenduar në nenin 60 thotë shprehimisht: "Federata Shqiptare e Futbollit është pronare ekskluzive e të gjitha të drejtave që rrjedhin nga aktivitetet nën juridiksionin e saj, pa kufizim në kohë, në vend, në përmbajtje dhe në ligje".
Nga pezullimi te rikthimi
14 mars 2008
FIFA mori vendimin të pezullojë pa afat Shqipërinë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, zyrtare e miqësore për shkak të ndërhyrjes së rëndë politike në FSHF.
17 mars 2008
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe ministri Pango u takuan kokë me kokë në ministri pas vendimit të dhënë nga FIFA e UEFA, por pa prodhuar asnjë rezultat konkret.
20 mars 2008
UEFA ripërsëriti qëndrimin e FIFA-s, pas së cilës u anuluan tre takime ndërkombëtare, duke i lënë 60 ditë afat shtetit shqiptar për të ndryshuar qëndrimin ndaj FSHF-së.
21 mars 2008
Gjashtë klube të Kategorisë Superiore firmosën një peticion, ku kërkohej dorëheqja e presidentit Duka, nëse kreu i FSHF-së nuk do të zgjidhte konfliktin brenda pesë ditësh.
24 mars 2008
12 përfaqësuesit e Kategorisë Superiore pas një takimi të gjatë me Komitetin Ekzekutiv e Dukën vendosën të anulonin bojkotimin e kampionati dhe protestat.
27 mars 2008
Presidenti i FIFA-s, Blater: "Mund të miratoni cdo ligj që doni për sportin, por nëse federata juaj e futbollit dëshiron të jetë pjesë e FIFA-s duhet të respektohet statuti i saj".
31 mars 2008
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pret në selinë e Presidencës një përfaqësi të FSHF-së, ku garanton influencën e tij për zgjidhjen e konfliktit brenda standardeve.
15 mars 2008
Në FSHF dhe MTKRS mbërrin faksi i dyfishtë i dërguar nga FIFA-UEFA, që propozon edhe ngrirjen e nenit 53 dhe firmosjen e statutit të FSHF-së nga ana e ministrit Pango.
16 mars 2008
Ministri i Sporteve, Ylli Pango pret në selinë e MTKRS-së, sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Arben Bici, më të cilin arrin edhe marrëveshjen e kërkuar nga FIFA-UEFA,
16 mars 2008
Pango komunikon me FIFA-n e UEFA-n për t'i bërë të ditur faktin se pranonte propozimin e tyre për të firmosur statutin e FSHF-së me kushtin e ngrirjes së nenit problematik 53.
16 mars 2008
Armand Duka mbledh Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së për të marrë miratimin e ngrirjes së nenit 53. Presidenti i Republikës publikon takimin e ditës së enjte, në orën 11:00
17 mars 2008
Ministri Pango: "U realizua ajo që kam kërkuar qysh më datën 20 shkurt 2008, kur kam nënshkruar statutin e FSHF-së, me përjashtim të nenit 53. Iu hap rruga heqjes së ezullimi i Shqipërisë".
17 mars 2008
Presidenti i FSHF-së, Duka: "Kemi arritur arritur në një konsensus, i cili rezulton në firmosjen e statutit. FSHF do të pezullojë zbatimin nenit 53 deri në një kohë të dytë"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›