Deputetë të Serbisë sot e nesër në Kosovë

Deputetët e Kuvendit të Serbisë do të qëndrojnë në Kosovë sot e nesër, njofton Tanjug. Sipas këtij burimi vizitën e ka organizuar Zyra për Kosovën e Qeverisës së Serbisë.
Ata do të mbajnë një mbledhje me rektorin dhe dekanët e Universitetit të Prishtinës, siç e quan Beogradi Universitetin serb në Mitrovicë, do të bisedojnë me zëvendësdrejtoren e Zyrës për Kosovën, Malinka Mitroviq, me përfaqësuesit e komunave të pjesës veriore të Kosovës dhe titullarë të tjerë ilegjitimë serbë.
Sipas kumtesës së Zyrës për Kosovën, deputetët e Serbisë do të vizitojnë Kombinatin “Trepça” dhe manastirin Sokolica në Banjskë, ndërsa të premten do të vizitojnë Graçanicën. Po ashtu njoftohet se gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Kosovë do të vizitojnë Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit, transmeton koha.
Në kumtesë nuk theksohet nëse do të kenë ndonjë kontakt me zyrtarë të Kosovës e as nëse kanë pasur nevojë të kërkojnë ndonjë leje për këto vizita.
Nga autoritetet e Kosovës deri m tash s’ka pasur asnjë reagim./Indeksonline/