Deputetët e Kombit, nisin festimet e 100-vjetorit me Skënderbeun

100 Vjet Shtet Shqiptar
Kuvendi organizon ceremoni mbarëshqiptare
Të ftuar parlamentarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Berisha: Jemi një komb një qëndrim
Parlamenti shqiptar ka çelur dje, me një ceremoni solemne, vitin e aktiviteteve për 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Kremtimet e 100-vjetorit kanë nisur më një datë simbolike, 17 janarin, ditë e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tek i cili simbolizohet bashkimi i shqiptarëve.
Në ceremoninë e zhvilluara në sallën e seancave plenare morën pjesë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përfaqësues të Kuvendit të Malit të Zi dhe Maqedonisë, gjithashtu dhe ambasadorët Ettore Sequi dhe Eugen Volfarth. Në këtë ceremoni morën pjesë dhe ish-kryetarët socialistë të Kuvendit, Ylli Bufi e Servet Pëllumbi. Gjithashtu ra në sy dhe pozicionimi i ish- kryetarit të Kuvendit, njëherësh deputet i çregjistruar nga Grupi i PS-së, Kastriot Islami, i cili ka qëndruar në krahun e majtë të Kryeministrit Berisha. Në këtë ceremoni nuk kanë munguar as deputetët e opozitës, të cilët përfaqësoheshin nga nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle dhe një grup deputetësh.
Deklarata
Kreu i qeverisë, Berisha, u shpreh se kjo ditë do të mbetet nga më të shënuarat në historinë e Parlamentit të kombit shqiptar, pasi janë mbledhur së bashku në një sallë deputetët shqiptarë nga të gjitha viset e kombit, të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Unë mendoj se kjo përbën arritjen më të madhe të këtij shekulli për ne, përbën nderimin më të madh ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që flijuan rininë dhe jetën e tyre për këtë ditë, për qindra, mijëra, miliona shqiptarë, që me mundin dhe djersën e tyre dhanë ndihmesën në këtë ditë, për arritjen e kësaj dite, theksoi Kryeministri. Sipas Berishës, në aspiratat e shqiptarëve qëndron parimi Një komb, një qëndrim, asgjë smund të ndalë dhe copëtojë shpirtin e një kombi, trupin po, por shpirti është një i pandarë, shpirti i një kombi është liria e tij, liria e tij është një e pandarë, ndaj lavdi Zotit, ne vijmë sot të lirë në këtë sallë, sepse qëndruam së bashku.
Mirënjohja
Kryeministri Berisha i bëri dje homazh edhe kombit amerikan, udhëheqësit e të cilit, të frymëzuar nga liria, i janë gjendur pranë dhe kanë ndihmuar shqiptarët të mbijetojnë si komb në trojet e tyre dhe të prosperojnë gjatë këtyre 100 vjetëve. Ne kemi fituar beteja nga më të vështirat dhe më të paimagjinueshmet, sepse kemi pasur fatin e madh të kemi mbështetjen e kombit të madh amerikan, Kongresit dhe Presidentit të këtij vendi. Ne jemi një komb perëndimor dhe nuk kemi ndonjë lidhje gjaku me kombin amerikan, por mbështetja e këtij kombi për shqiptarët buron nga pasioni i këtij kombi për lirinë, deklaroi Berisha. Me tej, Kryeministri pohoi se aspirata më e madhe e të gjithë qeverisë është aderimi në Bashkimin Europian.
Le të bëjmë gjithçka, që të bëjmë çdo ditë e më shumë qytetarët shqiptarë, më të lirë, më të begatë, më të sigurt, të bëjmë gjithçka për projektin tonë të madh, projektin e shqiptarëve në Europë, përfundoi Berisha.
Xhevat Ademi
Deputeti i Maqedonisë, Xhevat Ademi, i ftuar në Kuvendin e Shqipërisë me rastin e festimeve të 100-vjetorit, u shpreh se integrimi i shqiptarëve në BE nuk ka kthim mbrapa. Fakti që shqiptarët e Maqedonisë mbase nuk kanë realizuar gjithë ëndrrën e tyre për të qenë të barabartë tërësisht me komunitetin maqedonas, përfundimisht janë në rrugë të mbarë, sepse proceset eurointegruese të rajonit në radhë të parë janë interesi ynë strategjik kombëtar dhe nga kjo rrugë, fatmirësisht, kthim prapa nuk ka, deklaroi Ademi.
Mehmet Bardhi
Deputeti i Malit të Zi, Mehmet Bardhi, deklaroi dje në Kuvendin e Shqipërisë se: Teposhta më e madhe ishte atëherë kur në 48-n u mbyllën dhe na i mbyllën kufijtë me Shqipërinë. Atëherë ne na këputën një damar të qafës. Prandaj, zonja dhe zotërinj deputetë dhe të gjithë ju shqiptarë, le të jetë dhe kjo e sotmja, ky Kuvend me përfaqësues, me deputetë nga të gjitha viset shqiptare, një vazhdim i lidhjes së damarit të këputur, i shërimit të plotë.
Jakup Krasniqi
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh gjatë ceremonisë së festimeve me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, se Shqipëria, shteti i shqiptarëve, do të rrojë për jetë të jetëve. Në këtë përvjetor jubilar, prandaj, skam arsye dhe sdua ta fsheh për asnjë çast, për asnjë rrethanë, ndjenjën e krenarisë, mbushjen emocionale, kënaqësinë njerëzore. E kundërta do të më dukej pozë e çnatyruar. Për jetë të jetëve, Shqipëria më vehte, e lirë dhe e mosvarme, tha Krasniqi!
Kryetarja e parlamentit pret parlamentarë nga trojet shqiptare
Topalli: Të gjithë bashkë në Kuvendin tonë
Anëtarësimi në NATO, Rruga e Kombit dhe lëvizja e lirë u kry
Nën kujdesin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në sallën e seancave janë çelur zyrtarisht festimet me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Topalli ka pritur që në ambientet e jashtme të Kuvendit personalitet e ftuara nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Dekori festiv dhe muzika e përzgjedhur kanë shoqëruar seancën solemne të kalendarit të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit. Pavarësia është kryefesta jonë kombëtare, që festohet në të gjitha viset e trojet shqiptare, nga çdo shqiptar kudo në botë. Ne sot kujtojmë e kremtojmë në liri, ditëlindjen tonë, 28 Nëntorin 1912, vitin e flamurit. Në çdo kohë, kombi mbeti i vendosur në besimin se mbrojtja e Lirisë, e shtetit, e aktit themelues, Kushtetutës, respektimi i vlerave e i parimeve te mëdha dhe i ligjeve të vendit është detyra jonë e madhe, e të gjithëve, deklaroi Topalli. Sipas kryeparlamentares, liria është vlera më e çmuar, e cila ndër vite u është mohuar shqiptarëve. Ne shqiptarët bashkuam të njëjtin shpirt që gjeti Kastrioti, që lindi rilindjen tonë kombëtare, që lindi shtetin shqiptar. Në Shqipëri, shqiptarët rifituan lirinë 20 vite më parë. Në Kosovë, pavarësia u krye 4 vite më parë. Anëtarësimi i Shqipërisë në aleancën e lirisë u kry, Rruga e Kombit u kry, liria e lëvizjes u kry. Kështu, ne do të shkruajmë edhe kapitullin tjetër në historinë shqiptare. Sot, nga Kosova, nga trojet tona në Maqedoni, Mal i Zi etj., jemi të gjithë bashkë në vendtakimin tonë, në ditën tonë, me flamurin tonë, me lirinë e gjuhën tonë, në Kuvendin e Shqipërisë, deklaroi kryetarja e Kuvendit.
Kreu i PS reagon në Twitter
Rama: Skënderbeu dhe Europa do turpëroheshin nga drejtësia