Wikipedia mbyll dyert për 24 orë
Enciklopedia më e madhe online, Wikipedia, ka mbyllur dyert që nga mesnata. Greva e paralajmëruar ka për qëllim mbrojtjen e internetit dhe vetë enciklopedisë nga censura.
Wikipedia dhe fondacioni Wikimedia vendosën për grevën 24-orëshe të versionit në anglisht pas diskutimeve të nxehta në lidhje me modifikimet e ligjit për të drejtën e autorit dhe atë kundër piraterisë.
Protestës së Wikipedias i janë bashkuar edhe faqe të tjera si faqja e lajmeve Reddit dhe blogu Boeing Boeing.
Uebmasterat e këtyre faqeve të mëdha janë kundër modifikimeve të debatueshme në ligjin për të drejtën e autorit dhe atë kundër piraterisë.
Sipas themeluesit të Wikipedia, Jimmy Wales, mbrojtësit e ligjit kundër piraterisë e kanë portretizuar veten si mbrojtësit më të mëdhenj të së drejtës së autorit, por ndryshimet që ata propozojnë nuk kanë asnjë lidhje me atë që ata duan të arrijnë. Problemi është se ligji është aq keq i shkruar, sa që nuk do të ketë asnjë lloj impakti. Ai nuk do të ndalojë piraterinë, por e vetmja gjë që do të dëmtojë është ata që punojnë në mënyrë të ndershme.
Akti që po debatohet në Dhomën e Përfaqësuesve kërkon të ndalojë rrjedhjen e parave në uebsajte që promovojnë piraterinë. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë publikoi të shtunën një deklaratë, në të cilën dukej se rreshtohej përkrah atyre që e kritikonin ligjin.
Nëse do të miratohet, ligji i jep të drejtë shtetit që të ndërhyjë në faqen e internetit, duke kërkuar heqjen e materialeve të paautorizuara nga autori ose mbylljen e uebsajtit.