E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Opozita të japë garanci për marrëveshjen

18-01-2012 / Gazeta 55

Mazhoranca, apel opozitës, që t’i kthehet bashkëpunimit për reformat e Brukselit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, shprehu dje vendosmërinë e mazhorancës për t’i qëndruar të gjitha reformave për integrimin evropian.
Patozi tha në një prononcim për mediat se, “mazhoranca është plotësisht e vendosur që t’i qëndrojë të gjitha reformave, t’i qëndrojë asaj për të cilën ne kemi rënë dakord, në mënyrë që të ecin paralelisht reforma zgjedhore, komisioni për ndryshimet në rregullore, por edhe ligjet me 3/5”.
Ndërkohë, në emër të Partisë Demokratike, Astrit Patozi shprehu shqetësimin për qëndrimin e mbajtur një ditë më parë nga opozita në Kuvend,e cila me votën e saj prishi marrëveshjen për votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, të nevojshme për integrimin e vendit.
“E nisëm me këmbën e prapme sesionin e parë të vitit 100 të ditëlindjes së shtetit. PS apo opozita në përgjithësi hodhi poshtë një marrëveshje shumë të rëndësishme dhe këtë e bërë me një lehtësi të habitshme. Dje (pardje) gati na u tha, se, nuk mund të respektohet një marrëveshje me armikun dhe unë kam përshtypjen që ky është koncepti që ka Edi Rama për kundërshtarin politik”, tha kryetari i grupit parlamentarë të PD-së, Astrit Patozi.
Kryetari grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi i cilësoi si kontradiktore deklaratat e Ramës sipas të cilit, opozita nuk ka një marrëveshje me mazhorancë por me qytetarët.
Patozi tha se, “jemi tërësisht të çuditur dhe të befasuar nga ky qëndrim i papritur i opozitës, në një kohë që ne mezi kishim vendosur një klimë normaliteti në mbyllje të sesionit të shkuar”.
Përtej këtyre qëndrimeve, kryetari i grupit kuvendor demokrat Patozi tha se shpresonte që qëndrimi i shprehur një ditë më parë në Kuvend nga ana e opozitës me votë të jetë emocional dhe ajo t’i rikthehet rrugës së bashkëpunimit.
Mazhoranca e lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit, por kërkon garanci nga opozita, që ka ende shanse për konsensus.
“Uroj që ky të jetë një qëndrim emocional dhe i përkohshëm dhe t’i kthehemi bashkëpunimit, pasi opozita duhet të japë garancitë e saj, nëse i qëndron apo jo marrëveshjes, çka flet dhe për seriozitetin e saj dhe nëse i qëndron ajo po axhendës së integrimit që do të na mundësonte marrjen e statusit kandidat”, përfundoi Patozi.
Së fundi Patozi u shpreh se nuk beson që qëndrimi i opozitës për prishjen e marrëveshjes së bashkëpunimit për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar është i lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri.
Marrëveshja e arritur në nëntor të 2011 konsistonte në ngritjen e dy komisioneve parlamentare, një për reformën zgjedhore dhe një për rregulloren e Kuvendit, gjithashtu dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›