Deputetët e “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, gati për thyerjen e bojkotit seancën e ardhshme
“Opozita s’mund të rrijë jashtë parlamentit në këto momente të rëndësishme për Shqipërinë”
Grupi i deputetëve opozitarë, kritikë të qëndrimeve politike të pa precedentë dhe egoiste të Edi Ramës, kanë gati një projekt-rezolutë, për rikthimin e PS në Kuvend, e cila pritet t’i dorëzohet menjëherë grupit parlamentar socialist.
Në një thirrje dërguar prej tyre, të gjithë deputeteve të tjerë të zgjedhur socialistë thuhet se “ I kërkojmë të gjithë deputetëve të opozitës të rishikojnë vendimin për bojkotin e Kuvendit dhe të jenë prezent në seancën kuvendore të datës 16 nëntor me synimin për ta bërë grupin kuvendor të opozitës pjesëmarrës në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Nisur nga fakti i konfirmuar tashmë se PS nuk ka ndërmend t’i rikthehet jetës parlamentare, por përkundrazi i ka dhënë jetë zvarritjes rrugëve dhe shesheve të vendit, pa pjesëmarrës, pa mbështetës si një parti e lënë në harresë, në mëshirë të fatit, pjesëtarët e “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, duket se më në fund kanë gjetur një platformë konkrete për t’i dhënë frymë jetës politike.
Duke marre shkas nga vendimi i 27 ambasadoreve te vendeve te Bashkimit Europian 5 deputetet socialiste thonë se ditën e hënë ata duhet te jene pjese e institucioneve parlamentare. Me ane te kësaj thirrjeje te hartuar nga deputetet e mendimit ndryshe synohet qe edhe deputetet e tjerë socialiste t’i bashkohen nismës për të hyrë në Kuvend. Vendimi i pesë deputetëve ka qenë i paralajmëruar. Për disa ditë me radhë ata e kanë bëre të qartë se do të jenë në Kuvend në momente te rëndësishme të procesit të integrimit të vendit tonë.
E gjithë kjo është përllogaritur si një kundërpërgjigje ndaj klikës bojkotuese të Edi Ramës dhe njëherazi për t’i dhënë një goditje të rëndë kësaj politike mercenare.
Në kushtet kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për konsensusin politik dhe ideimin e debatit alternativ, për t’i bërë ballë sfidave të integrimit në BE dhe realizimin e procesit të liberalizimit të vizave, një pjesë e opozitës është e gatshme që seancën e radhës parlamentare të jetë prezent në sallë.
Deputeti Marko Bello, i njohur si një nga zërat më kritikë kundër Ramës dhe shpurës së tij destabilizuese, u shpreh dje se “në këto momente historike për Shqipërinë, opozita nuk mund të ngelet jashtë parlamentit. Këto janë momente historike për vendin, ndaj jemi shprehur për prezencën e opozitës në parlament. Ne kemi gati një projekt-rezolutën të cilën do ia prezantojmë grupit parlamentar. Mendoj se kolegët do të reflektojnë dhe seancën e ardhshme duhet të jemi në parlament”, deklaroi Bello.
Deputeti socialist theksoi se për sa kohë edhe komuniteti ndërkombëtarë ka dënuar qëndrimin e opozitës, nuk ka asnjë lloj justifikimi tjetër.
“Faktori ndërkombëtarë ka theksuar shprehimisht se roli i opozitës është në parlament dhe jo në rrugë”, shtoi Bello.
Nga ana e tij edhe deputeti i PS-së Arben Malaj ka deklaruar se Partia Socialiste duhet të jetë në Parlament për të marrë pjesë në sfidat integruese të vendit. Malaj i ka bërë thirrje deputetëve të PS-së të hyjnë në Kuvend sepse sipas tij është një obligim që PS-ja të futet në Kuvend dhe të japë kontributet në proceset e rëndësishme të vendit. Malaj duke përshëndetur pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian theksoi se tashmë ka ardhur momenti që PS-ja të jetë pjesë e institucioneve dhe të japë kontributin e saj për proceset e integrimit.
Gjithashtu Malaj theksoi se PS-ja duhet të jetë parti e alternativës dhe nuk mund të pranojë vetëm opsionin kundër duke shtuar se mesazhi për bashkëpunim politik nga Bashkimi Evropian ishte shumë i qartë.
Kësisoj, në prag të shthurjes totale të Partisë Socialiste dhe bllokut fatkeq të hienave destabilizuese, Edvinit nuk i ngelet gjë tjetër veçse të shpallë kapitullimin dhe të lejojë rikthimin e plotë të PS-së në parlament. E kjo, duhet të ndodhë në përputhje me detyrimin dhe përgjegjësitë që ata deputetë, morën mbi supe kur u besuan nga ajo pjesë e elektoratit, më 28 qershor. Ndaj edhe rikthimi në parlament dhe marrja pjesë në proceset e integrimit të vendit në bashkëpunim me mazhorancën, është detyra parësore e opozitës politike.
Sigurisht, e rëndësishme për tu treguar ndërkombëtarëve se Shqipëria zotëron një klasë politike të maturuar dhe që kurrsesi aspirata integruese e vendit nuk mund të cenohet aspak nga çmenduritë aventureske të një karikature politike që, si Enveri në kohën e tij, shpërfill rekomandimet e ndërkombëtarëve.