E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetet e PD Tryeza e thirrur nga opozita per reformen ne drejtesi propagandistike

Partia Demokratike vlerëson tryezën e thirrur nga opozita për reformën në drejtësi, si një veprimtari thjesht e vetëm propagandistike.

Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, shprehen se veprimtaria e socialistëve do të kishte qenë një event me të vërtetë shpresëdhënës, nëse në nisjen e kësaj tryeze, lideri i PS-së Edi Rama do u kishte kërkuar ndjesë publike shqiptarëve për bllokimin mbi tre vjeçar, që i ka bërë çdo nisme reformuese në fushën e drejtësisë.

Në deklaratën e tyre, komisionerët demokratë theksojnë se, në fakt zoti Rama kishte përgatitur një veprimtari propagandistike, me të cilën qartazi synon të pengojë edhe më tej procesin e reformave dhe të angazhimeve intergruese të Shqipërisë. Dallimi i vetëm, sipas demokratëve, është se këtë herë bllokimin po kërkon ta realizojë nëpërmjet veglave të verbëra të Partisë Socialiste në gjirin e drejtësisë.

Ligjvënësit demokratë, nënvizojnë se jo më kot ndërhyrjet më të zëshme iu lanë në dorë një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, zotit Ardian Dvorani dhe një prokurori të Prokurorisë së Përgjithshme, zotit Shkëlqim Hajdari. Të dy përfaqësuesit e drejtësisë, sipas deputetëve demokratë, merrnin pjesë në këtë veprimtari partiake (mesa duket me urdhër të Shefit), në kundërshtim flagrant me statusin, detyrën dhe funksionin e tyre shteteror.

Komisionerët e Partisë Demokratike, në këtë reagim të tyre, shprehen se kryesocialitit Rama, mesa duket i intereson më fort keqpërdorimi i njerëzve të vet brenda drejtësisë, sesa respektimi qoftë dhe formalisht i pavaresisë së organeve të drejtësisë.
Për deputetët demokratë, me këtë veprimtari Edi Rama ka dashur tu tregojë shqiptarëve se për të drejtësi e mirë, Prokurori e mirë apo Gjyqësor i mirë, janë vetëm drejtësia, Prokuroria apo Gjyqësori i ushtarëve dhe vasalëve kamikaze.

Anëtarët demokratë, të Komisionit parlamentar të Ligjeve, thotë se nuk pajtohen me këtë vizion të mbrapshtë antireformë. Deputetët demokratë, thonë se janë të sigurt se rruga e reformës është e papajtueshme me shfaqe të tilla të nënshtrimit grotesk të përfaqësuesve apo organeve të drejtësisë. Sipas tyre reforma bëhet me përkushtim, idealizëm e vetmohim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›