Deputetët e PD: Varri masiv, apel për pastrimin e inst.
Pasi mbajtën një minutë heshtje në nderim të tyre, deputetja e PD-së, Mesila Doda tha se "qëndrimi ynë këtu sot është për të rikujtuar krimet makabre të atij regjimi, i cili duhet të dënohet nga ne dhe të gjithë brezat që do të vijnë. Njerëzit që kanë dhënë vendime, ata që kanë vrarë dhe ekzekutuar, sot nuk mund të vazhdojnë më të qëndrojnë në drejtim dhe nuk mund të vazhdojnë të jenë më në krye të Gjykatave". Ndërsa, deputeti demokrat Genti Strazimiri, tha se ky vend duhet të jetë "një vend pelegrinazhi, ku të përkujtohet historia e dëshmorëve të fjalës së lirë, e atyre që humbën jetën në këto gërxhe". Nga ana e tij, deputeti demokrat Eduard Halimi konfirmoi vendosmërinë e maxhorancës për t'i shkuar deri në fund qëllimit të saj, që gjyqtarët dhe politikanët që kanë dënuar njerëz të pafajshëm të largohen nga skena publike. "PD është partia që ka ardhur në emër të lirisë dhe ajo është e vendosur që t'i shkojë deri në fund idealeve demokratike. Persekutorët nuk do të gjejnë paqe asnjëherë", tha ai. Pak ditë më parë, u gjetën eshtrat e 19 personave, që mendohet se janë viktima të krimeve të diktaturës komuniste. Eshtrat u gjetën në sajë të kërkimeve të djalit të njërit prej atyre qindra të dënuarve nga diktatura.