Deputetët e PS do paguajnë këstet e kredisë së Xhindit
Deputetët socialistë vendosën dje që t’i paguajnë familjes Xhindi këstet e kredisë për shtëpinë e blerë në Tiranë. Fatmir Xhindi kishte marrë një kredi prej 5 milionë lekë të reja për një periudhë 25- vjeçare për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Por pas vrasjes së tij, familja Xhindi u vështirësua shumë në pagesën e këstit të kredisë, sa banka kërkoi sekuestrimin e shtëpisë. Ishte deputetja Valentina Leskaj, që ka kërkuar dje në mbledhjen e grupit socialist që të gjithë deputetët deri në fund të këtij legjislacioni të jepnin një kontribut për të ndihmuar familjen e ish kolegut të tyre të vrarë për të shpëtuar shtëpinë nga sekuestrimi. Deputetët vendosën dje të paguajnë secili nga 1 mijë lekë të reja në muaj për të përballuar këstin e apartamentit në Tiranë për familjen Xhindi. Kreu socialist Rama dje gjatë mbledhjes së deputetëve është shprehur se detyrimet e mëparshme të pagesës së kësteve janë shlyer nga disa deputetë të PS, duke bërë të mundur mosrrezikimin dhe heqjes së sekuestros nga gjykata për apartamentin e familjes Xhindi. Pak ditë më parë banka ka kërkuar sekuestrimin e banesës së deputetit të vrarë socialist Fatmir Xhindi. Vendimi është marrë kur është pranuar nga togat e zeza të kryeqytetit kërkesa e bankës, nga e cila ish-deputeti i ekzekutuar mbrëmjen e dy majit të vitit të kaluar, ka tërhequr kredinë në vitin 2000. Shkak për konfiskimin nga banka të banesës së ish-deputetit të Roskovecit është mospagesa e kësteve të kredisë nga familjarët e tij. Gjykata ka pohuar në vendim se më datë 25 shtator 2000 midis bankës dhe deputetit socialist Fatmir Xhindi është lidhur një kontratë huaje, në bazë të së cilës banka si subjekt huadhënës i ka dhënë Xhindit si subjekti huamarrës shumën 5 milionë lekë të reja. Afati i kontratës ishte përcaktuar 25 vjet duke filluar nga data e lëvrimit të huasë. Palët kishin parashikuar në kontratë të drejtën e huadhënësit për të kërkuar kthimin e huasë në rast të mospagimit nga huamarrësi të tre kësteve mujore.