Zgjerohet harta, 1400 ha nën ujë, evakuohen 10 familje
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Megjithëse niveli i shkarkimeve është ulur dje me 500 m3 ujë në sekondë, harta e zonave të përmbytura në Shkodër është zgjeruar.
Sipas burimeve nga shtabi i emergjencës, sipërfaqja që ndodhet nën ujë arrin në 1400 ha. Krahas zonave të Nënshkodrës, nën ujë ndodhen edhe lagjet periferike të qytetit, si ajo e Ajasëmit dhe e Livadheve, por pa probleme për banesat. Drejtuesit vendorë të komunave të Dajçit, Berdivës, Bushatit dhe Ana e Malit i kërkojnë Qeverisë që të ngrejë sa më shpejt grupet e vlerësimit të dëmeve për të përcaktuar faturën financiare për fermerët e Nënshkodrës. Banorët thonë se në dy përmbytjet e para, në bujqësi dëmi nuk ishte i madh pasi tokat ishin të pambjella, por, kësaj radhë ka ndodhur e kundërta. Sipas specialistëve të bujqësisë në rreth, vlerësimi duhet bërë menjëherë pasi kulturat bujqësore nëse qëndrojnë 72 orë nën ujë, bimët e mbjella shkatërrohen fare duke e vështirësuar vlerësimin e saktë të dëmeve në favor të fermerëve. “Mëngjesin e djeshëm është zgjeruar ndjeshëm gjeografia e sipërfaqeve të përmbytura në rrethin e Shkodrës të cilat llogariten të jenë rreth 1400 ha tokë bujqësore.
Problematike është situata në fshatin Obot të komunës ana e Malit, i cili është izoluar për shkak të bllokimit të rrugës lidhëse me pjesët e tjera të rrethit. Ndërsa në fshatin Ashtë, 10 banesa rrezikojnë shembjen për shkak të erozionit të tokës nga lumi Drin”, bënë të ditur burime nga shtabi. Mësohet se pjesëtarët e këtyre familjeve në Ashtë janë evakuuar për të parandaluar çdo rrezikim jete tek këta banorë. Shtabi i emergjencave u mblodh dje për të marrë në analizë situatën. Mësohet se rreth 50 për qind e sipërfaqeve të mbuluara nga uji janë toka bujqësore. Ato sapo ishin tharë dhe fermerët kishin filluar t’i mbjellin me kultura për blegtorinë për të fituar kohën e humbur. Përmbytja e radhës iu ka kushtuar dëme të konsiderueshme fermerëve pasi prodhimet bujqësore janë i vetmi burim jetese për ta. Në fshatin Kosmaç rreth 5 ha tokë janë sera të cilat janë ngritur me kredi dhe me projekte të miratuara nga Ministria e Bujqësisë. Krahas përmbytjeve në zonat e Nënshkodrës, gjatë ditës së djeshme vërshim të ujit ka pasur edhe në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës kryesisht në Ajasëm dhe në “Livadhe” në brigjet e liqenit të Shkodrës, por pa arritur që të ketë probleme për banesat e këtyre zonave. Mësohet se niveli i ujit gjatë natës u rrit me 10 deri në 20 cm. Një situatë më e përmirësuar paraqitet në fshatrat e Dajçit e Darragjatit falë përforcimit që u është bërë argjinaturave të këtyre zonave në dy përmbytjet e mëparshme. Autoritetet thonë se vendosën t’i rihapin portat e hidrocentraleve pasi niveli i ujit në digat e liqeneve të tyre arriti kuotën më të lartë të lejuar, ndërsa kanë vënë në punë të gjitha turbinat. Sipas tyre, situata po monitorohet me kujdes. Dje në Shkodër mbërriti edhe Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha. Pasi u njoh me situatën, Basha premtoi se shumë shpejt do të ngrihen grupet e vlerësimit dhe fermerët do të dëmshpërblehen.
LEZHE
Përmbytjet, disa fshatra nën ujë
LEZHE- Harta e përmbytjeve është zgjeruar edhe në Lezhë. Mësohet se në qytetin e Shëngjinit rreth 20 banesa rrezikohen nga përmbytjet. Problematike mbetet situata sidomos në komunën Balldre, ku 1200 ha tokë janë ende nën ujë. Sipas policisë, zonat më të prekura janë ish- Këneta e Torovicës si dhe fshati Balldre i Vjetër. Situata e rëndë paraqitet edhe në Mirditë për shkak të rrëshqitjes së dherave. Policia bëri të ditur se në fshatin Prosek, dy banesa rrezikojnë të shemben, ndërsa në komunën e Blinisht janë rreth 150 hektarë janë nën ujë. “Në komunën Dajç nuk ka probleme të krijuara nga reshjet, ndërsa në komunën Zejmen, aktualisht nuk ka probleme në njerëz dhe në banesa, por në fshatrat Spiten, Markatomaj dhe Gajush ka ende sipërfaqe toke nën ujë”, bëri të ditur policia e Lezhës.