E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojet me qira, përplasje Rusmali-Bumçi



BLEDAR HOTI

Banorët që kanë ndërtuar shtëpi banimi me leje në trojet shtetërore do të paguajnë më shtrenjtë blerjen e truallit se sa ato që janë në proces legalizimi. Projektligji i miratuar dje nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, "Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror", parashikon që 13 mijë persona dhe individë të paguajnë taksën prej 10 për qind të truallit që kanë në përdorim, ose të kenë të drejtën e privatizimeve, pra të blerjes. Sipas ministrisë së Financave, janë 13 mijë subjekte apo individë që kanë marrë tokën në përdorim kundrejt një kontrate qiraje gjatë këtyre 20 viteve dhe që nuk kanë paguar asnjë lek në arkat e shtetit. Me këtë projektligj të ri prishet në mënyrë automatike dhe të njëanshme kontrata dhe kjo kategori vendoset në detyrimin e pagimit të taksës, në masën 10 për qind të vlerës së truallit. Kësaj kategorie i jepet e drejta dhe e blerjes së truallit, kundrejt një afati 12 mujor me këste. Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, deputeti i PD-së, Aldo Bumçi kontestoi fuqishëm pagesën me çmimin e tregut të asaj kategorie që kanë marrë truallin shtetëror, jo për aktivitet privat, por për qëllime jetese, duke ndërtuar një banesë. Ai kërkoi që kategoria e personave që kanë trojet e paprivatizuara, mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa, mbi bazën e lejeve të ndërtimeve, të lëshuara nga komitetet pluraliste të këshillave, në periudhën e funksionimit të tyre, sipas gentplaneve në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit. "Unë si deputet kam shqetësimin e të qenurit i drejtë dhe i ndershëm me njerëzit që jetojnë në të njëjtën lagje, që do të paguajë çmime të ndryshe kur dikush është me leje dhe dikush pa leje. Por edhe votat pastaj, sepse pakënaqësia është relative, dikush paguan më pak si zaptues, tjetri më leje paguan më shumë. Kjo do të reflektohet në pakënaqësi. Ky është shqetësimi im si deputet", deklaroi Bumçi. Nisur nga kjo ish-ministri i Drejtësisë, Bumçi kërkoi që kjo kategori të trajtohet njësoj si ato të procesit të legalizimit, duke paguar pra me bono privatizimi gjysmën e vlerës. Zëvendësministri i ministrisë së Financave, Alfred Rushaj theksoi se nuk mund të bëhej një gjë e tillë, pasi duhet të realizohet një trajtim i barabartë dhe jo me diferencime. Një gjë e tillë është kontestuar ashpër nga kryekomisioneri Ilir Rusmali. "Komuniteti i shqiptarëve është shumë më i madh se komuniteti i komshiut, apo lagjes sime. Duhet të operojmë me këtë logjike se jemi përfaqësues të popullit dhe kemi detyrime ndaj tyre. Nuk mund të bëjmë ne lapsusin logjik. Zëvendësministri tha se ne i trajtojmë në mënyrë të barabartë të gjitha kategoritë. Nuk mund të barazojmë mollën me kumbullën. Janë të ndryshme dhe nuk kanë lidhje, nuk i bëjmë dot kumbulla të gjithë o vëlla. Nuk mund të operojmë me termin barazi, drejtësi apo padrejtësi kur gjërat janë të ndara, s'kanë lidhje me njëra-tjetrën. Nuk mund t'i hedhim në një tepsi", tha Rusmali. Amendamenti i ish-ministrit mori vetëm dy vota. Përpos votës së tij,edhe pse me mungesë kuorumi në komision, Bumçi mori përkrahje vetëm nga deputeti i PD-së, Viktor Gumi. Maxhoranca kontestoi dhe nenin 16 që 25 për qind të fondeve të shkonte në arkat e pushtetit vendor. Deputetët demokratë Bumçi, Hoxha dhe Trashani kontestuan këtë nen për faktin se fondi shkon për kompensimin e ish-pronarëve dhe se pushteti vendor s'ka lidhje me këtë proces që menaxhohet nga Qeveria. Por një gjë e tillë u hodh poshtë nga ana e kryekomisionerit Rusmali.

Debati Bumçi-Rusmali

Aldo Bumçi: Kam një koment. Unë e kuptoj që Ministria e Financave mund të ketë vështirësi në identifikimin. Kjo nuk është arsyeja që të mos e përfshijmë. Janë 13 mijë ndërtime të tilla një pjesë janë dyqane, aktivitete dhe një pjesë janë shtëpi. Atëherë krahasimi nuk bëhet me dyqanin, por me shtëpinë me procesin e legalizimit. Unë si deputet kam shqetësimin e të qënurit i drejtë dhe i ndershëm me njerëzit që jetojnë në të njëjtën lagje, që do të paguajë çmime të ndryshe kur dikush është me leje dhe dikush pa leje. Por edhe votat pastaj, sepse pakënaqësia është relative, dikush paguan më pak si zaptues, tjetri më leje paguan më shumë. Kjo do të reflektohet në pakënaqësi. Ky është shqetësimi im si deputet.
Ilir Rusmali: Me këtë logjikë largohemi nga objekti e qëllimi i këtij ligji që është vendosja e një takse të një pasurie publike që nuk është e Aldos dhe as e Ilirit. është e shqiptarëve. Nëse deri sot nuk është administruar, sot e mbrapa administrohet për t'i siguruar të ardhurave shqiptarëve dhe këtu kam parasysh votuesit e tu Aldo, votuesit e mi dhe ata që nuk kanë votuar për ty e mua. Janë të gjithë njerëz, interesat e të cilëve ne po kërkojmë të mbrojmë. Komuniteti i shqiptarëve është shumë më i madh se komuniteti i komshiut, apo lagjes sime. Duhet të operojmë me këtë logjike se jemi përfaqësues të popullit dhe kemi detyrime ndaj tyre. Nëse ligjin e bëjmë në interes të shqiptarëve ta bëjmë në interes të tyre dhe jo të themi se tani që plotësuam interesin e shqiptarëve të hamë pak nga interesi i tyre për komshiun, mëhallës apo zonës elektorale.
Aldo Bumçi: Sa për ndërhyrje se e shoh që s'kam konsensus. Unë si deputet kam votuar ligjin për legalizimet që parashikon një çmim të caktuar. Unë si deputet i qytetarëve që kanë ndërtuar me leje po i caktoj një çmim më të shtrenjtë. Mendoj se nuk është e drejtë sepse kam votuar të dy ligjet..
Ilir Rusmali: Aldo sa po të thashë, jo më fal në të gjitha ligjet e botës.
Aldo Bumçi: Unë si shtet, më lër të përfundoj unë...
Ilir Rusmali: Jo Aldo të lutem. Me të gjitha ligjet e botës dhe ligjet e këtij vendi, aktet kushtetuese që njeh Evropa dhe Gjykata Kushtetuese barazia nuk mund të vendoset mbi kategori të ndryshme. Nuk mund të bëjmë ne lapsusin logjik. Zëvendësministri të tha se ne i trajtojmë në mënyrë të barabartë të gjitha kategoritë. Nuk mund të barazojmë mollën me kumbullën. Janë të ndryshme dhe nuk kanë lidhje, nuk i bëjmë dot kumbulla të gjithë o vëlla. Nuk mund të operojmë me termin barazi, drejtësi apo padrejtësi kur gjërat janë të ndara, s'kanë lidhje me njëra-tjetrën. Nuk mund t'i hedhim në një tepsi
Aldo Bumçi: Ta përfundoj. Atëherë jam dakord që nuk mund të barazojmë gjëra që nuk barazohen. Për këtë arsye neve nuk mund tu kërkojmë njerëzve që kanë ndërtuar me leje një çmim më të shtrenjtë se ata që kanë ndërtuar pa leje, sepse nuk mund të barazohen. Jam interesuar për të drejtën e nuk më intereson vështirësia që ka Ministria e Financave për identifikimin e personave që kanë ndërtesë banimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›