E Diel, 1 Nëntor 2026

Stojku: Për dy ditë ndalim shkarkimet



Përmirësimi i motit pritet të ndryshojë edhe situatën në kaskadën e Drinit dhe më shumë mundësi shkarkimet do ndërpriten në dy ditët e ardhshme. Deklaratën e bëri kreu i KESH-it, Muharrem Stojku, ditën e djeshme gjatë një konference për shtyp lidhur me situatën në vend. Sipas Stojkut, është vënë re një rënie e prurjeve, çka rrjedhimisht do të sjellë edhe uljen e shkarkimeve e më pas ndërprerjen totale të tyre. “Situata është në kontroll të plotë dhe ne po shkarkojmë sot 1760 m3/sek ujë, 300 m3/s më pak se dita e djeshme. Njëkohësisht prurjet në liqenin e Fierzës kanë rënë, janë afërsisht me 1050 m3/sek, kështu që në pak orë ne do hyjmë në prurjet normale. Kjo situatë do ndiqet deri në uljen e prurjeve dhe me siguri që në dy ditët e ardhshme këto shkarkime do të ndërpriten”, u shpreh drejtori i Korporatës. Dje në orët e pasdites kuotat e niveleve dhe prurjeve janë paraqitur më të ulëta. Kështu, Fierza shënonte një nivel rreth 296.58 metra me prurje 960 m3/sek dhe me shkarkime 710 m3/sek. Komani ishte në nivelin 173.76 metra me prurje në kuotën 360 m3/sek dhe me shkarkime në kuotën e 700 m3/sek. Liqeni i fundit i kaskadës, ai i Vaut të Dejës, shënonte dje nivelin 74.85 metra me prurje në nivelin 100 m3/sek dhe me shkarkime 1200 m3/sek nga porta, ose 1760 m3/sek në total bashkë me turbinat. Situata edhe pse është vlerësuar në kontroll nga kreu i KESH-it, është përkufizuar si shqetësuese, për shkak të mesatares mujore të prurjeve, e cila është relativisht e lartë në vlerë, plot 730 m3/sek. Duke marrë si referencë vitin problematik 1963 për aspektin e situatës hidrike në kaskadën e Drinit, Stojku tha 2010-ta është paraqitur më i vështirë. Gjatë këtij viti KESH-i ka hapur portat për shkarkime nga liqenet e hidrocentraleve plot tri herë. Të gjitha këto herë janë shoqëruar edhe me përmbytje masive në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës. Edhe pse këtë herë nuk u mendua që do të kishte përmbytje banesash dhe tokash bujqësore, ndodhi e kundërta, veçse jo në përmasat e përmbytjeve të para. Komisioni i Posaçëm ka zhvilluar disa mbledhje me kërkesë të Sekretariatit Teknik, për të vendosur mbi nivelet e shkarkimeve, me synim kryesor ruajtjen e sigurisë së digave. Sa i përket situatës energjetike në vend, nga ana e KESH-it konfirmohet prodhimi me kapacitete maksimale në nivele 30 milionë kwh në ditë dhe me një import 16 milionë kwh në ditë. Pritet që për të gjithë prillin eksporti të jetë në shifrat mbi 15 milionë kwh në ditë. Në tre muajt e fundit KESH-i ka arritur që të sigurojë plot 40 milionë euro nga eksporti, ndërkohë që për prillin pritet të arrihet një tjetër shumë mjaft e mirë, që mund ta çojë vlerën e katër muajve eksport energjie në 60 milionë euro. Të ardhurat e siguruara nga eksporti, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po i përdor në 70% të totalit për shlyerjen e borxhit të vjetër dhe 30% për shpenzimet e tjera që i nevojiten institucionit. n.m

Situata dje

Fierza
Prurjet 960 m3/s
Niveli i liqenit 296.58 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta 710 m3/s
Derdhjet turbina 470 m3/s
Derdhje gjithsej 1180 m3/s

Komani
Prurjet anësore 300 m3/s
Prurjet nga Fierza 1180 m3/s
Prurje gjithsej 1480 m3/s
Niveli i liqenit 173.76 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 700 m3/s
Derdhje turbina 650 m3/s
Derdhje gjithsej 1350 m3/s

Vau i Dejës
Prurjet (anësore) 100 m3/s
Prurjet nga Komani 1350 m3/s
Prurjet gjithsej 1450 m3/s
Niveli i liqenit 74.85 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 1200 m3/s
Derdhje turbina 560 m3/s
Derdhje gjithsej 1760 m3/s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›