Deputetët e PS-së: Jemi gati të heqim dorë nga imuniteti por të hetohen dhe Berisha me Bashën
Pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për procedim të deputetëve Besnik Bare, Tom Doshi dhe Taulant Balla, këta dy të fundit kanë reaguar duke u shprehur të gatshëm për lënien e imunitetit.
Kërkesa ashtu siç bëri me dije kryeprokurorja Ina Rama është bërë sot dhe konsiston për sqarimin e pozicionit të tre deputetëve sa i takon veprës penale të Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme.
Shpreh gatishmërinë time të menjëhershme të vihem në dispozicion të hetimeve, duke mbështetur parimisht këtë kërkesë. Do të votoj edhe vetë pro kësaj kërkese ditën që do vijë në Parlament. Unë kam qenë në këtë protestë si deputet i Partisë Socialiste dhe kam demonstruar i qetë dhe paqësisht. Edhe kur Policia dhe Garda filluan të godasin, rrahin dhe më pas vrasin protestuesit, unë kam kontribuar për të qetësuar protestuesit, për të ndaluar aktet e dhunshme. Çdo hap imi atë ditë është filmuar dhe çdo gjë është transparente, ka reaguar Doshi duke shtuar se prokuroria pasi ka zbuluar vrasësit e protestuesve duhet të gjejë dhe urdhëruesit.
Nga ana tjetër deputeti Taulant Balla është shprehur se ai që duhet të shkojë para gjyqit është Saliu dhe Lulzim Basha. Ne jemi gati të heqim imunitetin e çdo deputeti që kërkon Prokuroria. Por, të hetosh Besnik Baren dhe të mos hetosh Saliun është qesharake! Të më hetosh mua dhe jo Lul Bashën është qesharake! Ne duam drejtësi!, shkruan Balla në Facebook.