E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S’kemi marrëveshje me Ramën, të hapur për bashkëpunim me PD-në”

23/01/2012  Nard Ndoka drejt largimit nga koalicioni i majtë, afrohet me Berishën

Partia Demokristiane duket se është drejt largimit përfundimtar nga Opozita e Bashkua dhe kalimit drejt koalicionit të djathtë. Pas intervistës së Kryeministrit Berisha për gazetarin Alfred Peza, që la një derë bashkëpunimi për Dashamir Shehin, por dhe PDK-në e Nard Ndokës, dy ditë më vonë vjen reagimi i këtij të fundit për gazetën “Metropol”. Ndoka thotë se Partia Socialiste është pa strategji për koalicionin opozitar dhe se PDK-ja është e hapur për bashkëpunim dhe me Partinë Demokratike, sidomos për sa i përket reformës zgjedhore “PDK-ja është parti e qendrës së djathtë dhe në opozitë nuk kemi marrëveshje me PS-në, jemi thjesht në një aksion opozitar si Opozitë e Bashkuar. Të dyja palët janë të paqarta për reformën zgjedhore, por Rama nuk ka një strategji për koalicionin opozitar. PDK-ja është e hapur për bashkëpunim edhe me PD-në. Për ne të rëndësishme janë zgjedhjet parlamentare dhe përfaqësimi i alternativës demokristiane nesër në qeverisjen e vendit”, - është shprehur Ndoka në prononcimin e tij.

Ndërkohë ende nuk dihet qëndrimi i Dashamir Shehit për këtë çështje, por burime brenda së djathtës konfirmuan se është biseduar në parim dhe më parë me këtë të fundit për bashkëpunim dhe është rënë dakord, sidomos për çështje që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore.

Qejfmbetjet

Ndërkohë prej disa kohësh është vënë re një shkëputje e Nard Ndokës nga koalicioni i majtë dhe në tryezat e kohëve të fundit nuk ka marrë pjesë. Mungesa e tij u vu re dhe në homazhet e 21 janarit. Bashkëpunimi me PS-në i PDK-së nuk rezultoi frytdhënës, sidomos në zgjedhjet e vitit 2009, ku jashtë parlamentit mbeti dhe vetë kryetari i saj. Më pas në formë më të zbutur e njëjta skemë u përsërit dhe në zgjedhjet vitit 2011, ku sërish aleatët dhe PDK-ja patën ankesa për vjedhje votash nga ana e PS-së. Sa për Dashamir Shehin, ky i fundit mund të thuhet se, pavarësisht qëndrimeve që ka mbajtur ndaj Kryeministrit, sërish ka ruajtur një lloj individualiteti në qëndrime, por ka treguar se të paktën në Tiranë është faktor në mbledhjen e votave. Në vitin 2011 qëndrimi jashtë kandidimit të LZHK-së që ai drejton mund të konsiderohet vendimtar për fitoren e Lulzim Bashës

Marrëveshja me Idrizin

Kryeministri Sali Berisha gjatë intervistës tha se ka mbyllur një marrëveshje me PDIU-në. Sipas tij, ajo është në zbatim e sipër dhe përmban poste zëvendësministrash, por dhe funksione të tjera. “Kjo marrëveshje do të ketë një sërë funksionesh, do të ketë zëvendësministra, do të ketë funksione të tjera.”

Berisha për Shehin

“Dashamir Shehu është një nga ish-drejtuesit e rëndësishëm të PD-së, ka qenë zëvendëskryeministër, ka qenë ministër. E vërteta është se Dashamir Shehi në 20 vjet pozicionin nuk e ka ndryshuar. Në tërësinë e tij, edhe kur janë bërë koalicione, nuk i ka ngelur ai borxhli koalicionit, por koalicioni atij. Absolutisht është i mirëpritur.”

Berisha për Ndokën

“Problemi është se me partitë e spektrit të djathtë është gjëja më normale, që nuk mund të ketë asnjë lloj qëndrimi tjetër përveçse përpjekjes për mirëkuptim, sepse është spektri. Unë s’them se kanë filluar negociata, por është parti e spektrit. Spektri është, pra. Mund të themi se jemi në një shtrat, në një rrjedhë, spektri është spektër.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›