PS: Gati të heqim imunitetet, por të merren masa ndaj Berishës dhe Bashës

Selia e Partisë Socialiste
Partia Socialiste ka reaguar në mënyrë zyrtare pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të tre deputetëve opozitarë. Në një deklaratë për shtyp, deputeti Saimir Tahiri, i cili foli në emër të kreu të partisë Edi Rama tha se PS është e gatshme të votojë heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët që ishin të pranishëm në protestën e 21 janarit të vitit të kaluar. Por nga ana tjetër Tahiri në emër të PS-së e cilësoi të pa drejtë kërkesën e prokurorisë në një kohë kur ndaj eprorëve të vrasësve të katër protestuesve nuk ka asnjë masë.
Nëse prokurorisë i duhet kontribut jemi gati të votojmë heqjen e imunitetit për tre deputetët dhe të gjithë deputetëve që kanë qenë të pranishëm në protestë. Të kërkosh imunitetin e tre deputetëve opozitar dhe jo të Sali Berishës nuk është aspak normale. Gjithashtu nuk kërkohet edhe për eprorin e vrasësve, Lulzim Basha. Ata duhet të merren në procedim menjëherë, përndryshe kërkesa për deputetët opozitar nuk mund të mos na duket si një manovër për të krijuar balancë në hetim u shpreh Tahiri.
Deputeti i PS-së nënvizoi se Prokuroria e Përgjithshme nuk duhet të tërhiqet para shantazheve të Sali Berishës. Akuzat e tij për bashkëpunim të prokurorisë me opozitën është siç bënte Enver Hoxha pasi zbulonte komplote të sajuara, ka shtuar Tahiri.