Deputetët e PS-së, bojkot Kuvendit
Aristir Lumezi
Grupi parlamentar socialist nuk do të jetë sot në seancë. Vendimi u mor dje në mbledhjen e deputetëve, ku ishte i pranishëm dhe kryetari socialist Edi Rama. Ndryshe nga seanca e javës së kaluar, socialistët nuk do të jenë as në oborrin e Kuvendit, për të shfaqur kundërshtinë e tyre ndaj vendimit të kryeparlamentares për dënimin e dy deputetëve socialistë, Balla dhe Tahiri. Sipas tyre, dënimi i dy deputetëve duhet konsideruar si dënim kolektiv dhe në këtë mënyrë, për sa kohë është i dënuar Balla, edhe 63 deputetët e tjerë nuk do të jenë në seancën parlamentare. Vendimi është marrë në unanimitet, ndërsa deputetët kanë denoncuar qëndrimin shpërfillës të kryetares së Kuvendit e cila, sipas tyre, nuk mori parasysh as kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar socialist për të tërhequr dënimin e Ballës dhe as protestën që deputetët bënë javën e kaluar me maska të zeza në fytyrë para derës së Parlamentit. Balla u dënua me përjashtim për dy javë nga Parlamenti për shkak të akuzave për vjedhje dhe korrupsion ndaj kryeministrit Berisha. Për këtë qëndrim të kryetares së Parlamentit, deputetët socialistë i dërguan një letër informuese të gjithë trupit diplomatik në Tiranë, përfshirë këtu edhe prezencën e OSBE-së dhe ambasadorin e BE-së. Përmes saj, ata paraqesin fjalën e deputetit Balla, i cili e çoi atë në pezullim dy javë nga Parlamenti dhe shprehen se për ofendime më të rënda nuk është penalizuar Kryeministri Berisha, i cili sipas tyre sa herë replikon me opozitën fyen dhe kërcënon deputetët e saj.
Protesta
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste diskutoi në mbledhjen e djeshme edhe për protestat që priten të kulmojnë më 30 prill në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në mbledhjen që zgjati për rreth 60 minuta, deputetët socialistë kanë diskutuar mbi axhendën që do të ndjekin socialistët për protestën e 30 prillit dhe për valën e re të protestave që pritet të nisë më 1 Maj nën moton “Ndal rrënimit ekonomik”. Bëhet e ditur se në protestën e 30 prillit do të grumbullohen në Bulevardin e Tiranës njerëz nga çdo fshat e qytet i vendit të cilët deri më tani janë grumbulluar në protesta lokale. Kryetari i grupit të deputetëve socialistë Ruçi i kërkoi deputetëve që nga dita e sotme të jenë të gjithë në zonat e tyre elektorale dhe të merren ekskluzivisht me protestën e 30 prillit, pa harruar dhe protestat lokale që ata duhet të organizojnë në komunat dhe bashkitë që përfaqësojnë. Pritet që deri në ditën e protestës së madhe, të organizohen protesta të mëdha në bashkitë kryesore të vendit, veçanërisht në ato bashki që drejtohen nga socialistët. Në mbledhjen e djeshme nuk janë dhënë detaje për mënyrën e organizimit të protestës disa ditore të 30 prillit, pasi ajo do të jetë objekt i mbledhjes së ardhshme të grupit, por shqetësimi ka qenë tek aktivizimi dhe inkurajimi për të sjellë sa më shumë njerëz në Tiranë në protestën e fundmuajit. Socialistët në deklaratat e ditëve të fundit janë shprehur se protesta e 30 prillit do të jetë shumë herë më e madhe se protesta e 20 nëntorit të vitit të kaluar. Ky masivitet sipas tyre, do të vijë jo vetëm për kërkesën tashmë 10 mujore të transparencës së zgjedhjeve, por e kombinuar kjo dhe me krizën ekonomike dhe rritjet e mëdha të çmimeve në artikujt bazë ushqimorë. Veçanërisht efektet e krizës ekonomike vlerësohen si një mekanizëm shtytës dhe sensibilizimi të qytetarëve dhe fermerëve që pritet të jenë prezentë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në 30 prill.