E Diel, 1 Nëntor 2026

Grushte në qeli, izolohet Romeo Leka



Fatos Mahmutaj

Romeo Leka, grabitësi i një banke në kryeqytet dhe pengëmarësi i studentes L.Hatellari, pak kohë më parë në Tiranë, ka përfunduar në qelitë e izolimit në para-burgimin 313. Burime nga ky burg pohojnë se Leka është mbyllur në qelitë e izolimit të premten e javës së kaluar dhe është nxjerr ditën e djeshme ende pa e përfunduar ndëshkimin pasi ka normalizuar marrëdhëniet me shokun e qelisë më të cilin ishte rrahur. Shkak për zënkën është bërë fakti se shoku i qelisë i ka kërkuar Lekës të çohej nga loja me letra pasi nuk dinte të luante. Leka, i ndërgjegjshëm që nuk dinte të luante, është fyer nga fjala e shokut dhe ka nisur ta qëllojë atë, por kanë ndërhyrë të paraburgosurit e tjerë, të cilët i kanë ndarë, ndërsa kanë ndërhyrë edhe punonjësit e paraburgimit 313 që kanë mbyllur në izolim agresorin. Ndërkohë burime nga burgu pohojnë se Leka gjatë paradites së djeshme shtë shprehur i penduar për sjelljen dhe i ka kërkuar falje shokut të qelisë. Kjo është bërë shkak që atij t'i hiqet masa disiplinore dhe të dërgohej në një qeli tjetër. Ndërkohë burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se Leka ka pranuar autorsinë për ngjarjen e 8 marsit në Grqi ku është vrarë i riu nga Kukësi Renato Krasniqi. Sipas Lekës ai së bashku me Krasniqin dhe një shokun e tyre tjetër po lëviznin me një makinë luksoze amerikane në shoqërinë e dy vajzave. Kur ishin prezantuar mes tyre, Krasniqi kishte pohuar se Leka vinte nga Amerika. Në këtë moment vajzat kanë thënë se me siguri që makina luksoze, prodhim amerikan duhet të ishte e Lekës, por janë kundështuar nga dy djemtë e tjerë, të cilët kishin thënë se Leka nuk kishte makinë, aq më tepër një të tillë luksoze. I fyer nga këto fjalë Romeo Leka u ka kërkuar dy bashkëatdhetarëve të tij të dilnin jashtë makinës për t'u sqaruar dhe sapo kanë zbritur ka nxjerrë një thikë dhe më të i ka qëlluar. Fatmirësisht njëri prej tyre shpëtoi vetëm me disa plagë të rënda dhe pas ndihmës mjekësore e kaloi rrezikun për jetën, ndërsa Krasniqi vdiq si pasojë e goditjeve në organet jetësore. Burime nga hetimi pohojnë se pak ditë më parë autoritetet amerikane të drejtësisë kanë dërguar në Tiranë disa analiza mjekësore të Romeo Lekës të bëra disa kohë më parë, në të cilat është shënuar fakti se ai në këtë vend ka bërë një aksident me makinë dhe si pasojë ka marrë një goditje në kokë.

Celularët në burgje, Qeveria hap tender për zhurmuesit
TIRANE - Bllokimi i celularëve në burgje, qeveria hap tender për antenat zhurmuese. Gjatë mbledhjes së djeshme qeveria me propozim të Ministrisë së Drejtësisë vendosi të hapte procedurat për blerjen dhe montimin e sistemit dhe pajisjve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Në këtë VKM, i propozuar nga ministri i Drejtësisë, i cili hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare pohohet se është bërë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, nenit 6 të ligjit "Për prokurimin publik", dhe ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë". Qeveria pohon në vendimin e djeshëm përzgjedhjen e jo më pak se dy operatorëve ekonomikë, të njohur për ofrimin e këtij shërbimi, të cilëve u dërgohet ftesa për ofertë, për realizimin e blerjes e të montimit të pajisjeve që bllokojnë valët e celularëve. Procedura për realizimin e këtij procesi nis brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kur mblidhet Komisioni i Hartimit të Dokumenteve Standarde, në përbërje të të cilit është një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë që mban rolin e kryetarit ndërsa anëtarë janë: një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme; Ministrisë për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit; Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit; si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas VKM-së këto institucione brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, i dërgojnë ministrit të Drejtësisë emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Komision, të cilët duhet të jenë specialistë të fushës. Ndërsa kryetari i Komisionit njofton anëtarët për datën, orën dhe vendin e mbledhjes. Ky komision, sipas VKM-së është përgjegjës për përcaktimin e standardeve të pajisjes për bllokimin e valëve celulare; përzgjedhjen e operatorëve, të cilëve do t'u dërgohet ftesa për ofertë; përcaktimin e kritereve për vlerësimin dhe për përzgjedhjen e operatorit ekonomik; përgatitjen e ftesës për ofertë, të cilën e dërgon në adresat përkatëse të operatorëve ekonomikë. Ndërkohë në ftesë duhet të përcaktohen institucionet në favor të të cilave do të bëhet blerja dhe montimi i pajisjeve, standardet e kërkuara për pajisjen, si dhe kriteret e tjera të veçanta, data, ora dhe vendi i paraqitjes së ofertës, si dhe çdo element tjetër i vlerësuar si i nevojshëm. Po kështu me tej në VKM parashikohet se dokumentacioni i paraqitur nga operatorët ekonomikë ruhet dhe nuk hapet deri në datën dhe orën e përcaktuar në ftesën për dorëzimin e ofertave si dhe faktin se komisioni përmbush të gjitha përgjegjësitë e mësipërme jo më vonë se një muaj nga data e mbledhjes së parë të tij. po kështu brenda dy ditëve nga mbarimi i afatit të dorëzimit të ofertës, mblidhet Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, kryetar i të cilit është një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa anëtarë janë përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, si dhe Drejtorisë së Burgjeve. Qeveria ka parashikuar në VKM se nëse për ofrimin e shërbimit paraqitet vetëm një subjekt i interesuar, i cili i plotëson standardet e kërkuara për pajisjen, si dhe kriteret e tjera të përcaktuara sipas këtij vendimi, komisioni vijon me procedurën e përzgjedhjes së tij si fitues. Pas kësaj komisioni i Vlerësimit të Ofertave, brenda 5 ditëve nga data e shpalljes së fituesit njofton operatorët për klasifikimin përfundimtar të ofertave, ndërsa në fund pohohet se për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar ministri i Drejtësisë, ai i Brendshëm, ai për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, si dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Kontrollet, për 5 vjet u kapën qindra celularë
TIRANE - Pas nëntorit të vitit 2005 nëpër burgjet shqiptare janë kryer qindra kontrolle policore për gjetjen dhe bllokimin e celularëve që të burgosurit mbajnë në qeli. Gjatë kontrolleve janë kapur një numër i konsiderueshëm celularësh, ndërsa për pronarët e tyre janë marrë masa ndëshkimore maksimumi i të cilave është mbyllja në izolim deri në disa ditë. Disa vite më parë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tentoi të bllokonte valët e celularëve nëpër burgje, por dështoi pasi antenat zhurmuese pësuan dëmtime dhe nuk u riparuan, ndrsa ato që funksiononin më tepër kishin efekt në zonën jashtë burgut sesa brenda, duke u bërë në këtë mënyrë objekt ankesash nga banorët e zonave përreth burgjeve. Tashmë në asnjë institucion të vuajtjes së dënimit apo para-burgim nuk funksionojnë këto antena. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›