E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët grevistë, letër autoriteteve: “Dy variantet për zgjidhjen e krizës”

Propozimi i parë është që komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve të jenë jopolitike. Propozimi i dytë është i lidhur me gjithëpërfshirjen në komisione, të paktën në nivel parlamentar

Shaban Sulçe

Dhjetë deputetët grevistë, të cilët dje kanë qenë në ditën e tyre të 6-të të grevës së urisë, u kanë dërguar një letër autoriteteve të larta shtetërore si dhe përfaqësive diplomatike perëndimore, për t’iu paraqitur propozimet e tyre për zgjidhjen e krizës politike që ka shkaktuar Projekt-Kodi i miratuar në parim nga PS-ja dhe PD-ja.
Letra e deputetëve grevistë të LSI-së, PDK-së dhe PS ’91-shit drejtuar Presidentit të Republikës Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, kreut të PS-së Edi Rama, ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, ambasadorit të Bashkimit Europian, Helmut Lohan, si dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers. Deputetët grevistë kanë propozuar dy variante për procesin e administrimit të zgjedhjeve. Në letër deputetët grevistë theksojnë se për zgjidhjen e krizës propozohet që komisionet e të gjitha niveleve ose të kenë përbërje jopolitike, ose të kenë një përbërje gjithëpërfshirëse të partive politike, të paktën në nivel parlamentar. Sipas tyre, miratimi i njërit apo i tjetrit variant do t’i jepte fund krizës dhe do të ndikonte në hartimin e një kodi zgjedhor të barabartë, demokratik dhe................

Letra
“Ne, grupi i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët prej disa ditësh kemi filluar një grevë urie në selinë e Kuvendit tonë, dëshirojmë t’Ju drejtohemi Juve me një shqetësim të jashtëzakonshëm për fatet e demokracisë dhe zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. Zgjedhjet e vitit 2009 janë sfida kryesore që ka Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian dhe NATO. Reforma zgjedhore dhe Kodi i ri Zgjedhor, i dalë si produkt i bashkëpunimit të ngushtë midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, sjellin pengesa serioze në zhvillimin e demokracisë në vend, dhe realizimin e standardeve të kërkuara për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, - thuhet në fillim të letrës së 10 deputetëve grevistë, e cila është nënshkruar gjithashtu edhe nga deputetët Prifti dhe Ndokaj. Deputetët shprehin shqetësimin se Kodi i ri Zgjedhor i propozuar nga PS-ja dhe PD-ja po shënon hapa të rrezikshëm mbrapa në standardet e administrimit të zgjedhjeve. “Për herë të parë në historinë e Shqipërisë demokratike komisionet e administrimit të zgjedhjeve monopolizohen nga dy parti politike dhe ndërtohen mbi kriteret e mbylljes dhe përjashtimit”, - vijojnë deputetët në letrën e tyre. Ata theksojnë se Kodi po shkel të drejtën e barazisë së partive politike dhe se po i detyron shqiptarët që t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme.

Propozimet

Deputetët theksojnë në letrën drejtuar autoriteteve të larta shqiptare dhe përfaqësive diplomatike se nuk janë futur në grevë për interesat personale, por për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri dhe për të rikthyer te shqiptarët besimin te vota e lirë. Për këtë arsye, deputetët e LSI-së, PDK-së dhe PS ’91-shit propozojnë që komisionet zgjedhore të kenë ose përbërje jopolitike, ose ato të përbëhen nga përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare. “Në këtë kontekst ju propozojmë që të bëjmë një depolitizim të plotë të të gjitha komisioneve të administrimit të zgjedhjeve duke zgjedhur gjithë anëtarët e tyre nga shoqëria dhe administrata civile, jo anëtar të forcave të ndryshme politike. Në këtë mënyrë të gjitha partitë bëhen të barabarta para ligjit. Përbërja politike e administratës zgjedhore kur mbetet si opsion nuk është aspak çështje teknike. Nëse nuk pranohet ky propozim për të depolitizuar gjithë procesin e administrimit të votave, atëherë t’u japim mundësinë të gjitha partive parlamentare apo grupimeve të tyre në koalicione zgjedhore të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në komisionet e administrimit të votave dhe zgjedhjeve. Ne propozojmë që shteti mos të marrë përsipër pagesën për këto komisione, por partitë të gjejnë vullnetarë për t’i përfaqësuar ato pa shpërblim. Në këtë mënyrë nuk i harxhojmë taksapaguesve shqiptarë asnjë qindarkë për komisionet e administrimit të zgjedhjeve”, - vijon letra e deputetëve grevistë. Ata ftojnë drejtuesit e shtetit shqiptar si dhe partnerët ndërkombëtarë që të përpiqen për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›