Meshkujt, aksesorët për një luk të ri vjeshte
Për fat të mirë, stili dhe moda e rrobave dhe e aksesorëve për meshkuj nuk ndryshojnë aq shpesh ashtu si te femrat. Por cila është fjala e fundit e aksesorëve për stinën vjeshtë - dimër?
Sofistikim. Veshja në tërësi dhe një kujdes i veçantë ndaj detajeve të zgjedhura mund të krijonte një pamje të veçantë pa u dukur formal. Edhe një veshje e përditshme mund të kishte efektin që nëpërmjet aksesorëve të përdorur në këtë stinë (një pulovër e lidhur rreth qafës, krijon një efekt mjaft interesant). Kur ju duhet të zgjidhni aksesorët për këtë periudhë kohe, mundohuni të përqendroheni më shumë te ngjyrat, sesa te modelet.
Kravata
Aksesori më i rëndësishëm i veshjes së një mashkulli është kravata. Të zgjedhësh kravatën e duhur është një veprim mjaft i vështirë. E ndërsa përpiqeni ta lidhni ashtu siç duhet gjithçka që bëni është rikthimi i plotë i personalitetit. Ky është një nga aksesorët që i është rikthyer modës, por ato që spikasin tashmë janë ngjyrat dhe kombinimet e grisë me rozën, të përdorshme si për mbrëmje të veçanta, ashtu edhe për prezantime të rëndësishme pune.
Shallet
Janë gjithashtu një gjetje e stinës vjeshtë-dimër 2008, duke filluar nga ato të punuar me dorë e deri te variantet shumëngjyrëshe të stilistëve më të njohur. Ngjyrat e preferuara janë grija, vishnja, bluja, por edhe ngjyrat e ngrohta si roza, e blerta dhe portokallia. Shallet janë të domosdoshme në stinën e ftohtë të dimrit, por edhe në fund të vjeshtës. Materiali perfekt për to do të ishte kashmiri.
Portofolat
Përsa u përket portofolave, më të preferuarit për momentin konsiderohen klasikët, që përveç elegancës janë edhe funksionalë. Dy versionet e përzgjedhura janë: versioni i sofistikuar për ditët e zakonshme prej lëkure dhe një tjetër i tipit trendi, më shumë për të lënë mbresë në mjedisin ku jeton, sesa i domosdoshëm.
Rripat
Rripat janë një tjetër detaj mjaft i rëndësishëm për pamjen e një mashkulli. Ajo që dominon për momentin është materiali prej metali antik i ndërthurur me stilin sportiv. Rripat gjithmonë kanë qenë në qendër të vëmendjes që në kohët e hershme si një element surprizues dhe joshës për femrat. Megjithatë, nëse nuk ju pëlqen ta teproni me metalin, mund të zgjidhni një rrip që ka vetëm tokëz metalike. Të dyja versionet janë surprizuese.
Syzat
Pamjes së një mashkulli mund t’i shtohen edhe syzat. Ato krijojnë idenë e një tipi të kujdesshëm, pasi kështu në sytë e femrave do të shfaqeni më tërheqës dhe inteligjentë. Pamja “inteligjent” është më e preferuara për femrat kërkuese dhe me besim në vete. Tipat muskulozë janë pjesë e së shkuarës, tani pamja duket të jetë alternim i punës, hobeve, çka të japin idenë e mashkullit reflektues.
Çantat
Ju duhet të merrni disa sende me vete? Shumë çanta për meshkuj janë të përshtatshme për këtë stinë. Më e madhe se një portofol dhe më e vogël se një valixhe, çantat për meshkuj janë përshtatur me stilin dhe prakticitetin. Për këto çanta përpiquni të zgjidhni ato me ngjyra të forta si blu, gri dhe kafe.
Këmishët e hapura janë mjaft të preferuara për këtë stinë, të shoqëruara me varëse me kombinime lëkure dhe gurësh, një kombinim perfekt i elegancës dhe mashkullores, të përdorura kohë më parë nga të rinjtë rebelë. Më në fund keni mundësinë të mendoni për ngjyrat. Përdorni aksesorë me ngjyrat më të nxehta të stinës si e zeza, vjollca, grija dhe kafeja.
Dorezat
Më të preferuarat për këtë vit janë dorezat prej leshi, të ndërthurura me lëkurë. Ato i mbajnë duart të ngrohta si kurrë më parë dhe janë tepër në modë. Ngjyrat e përdorshme edhe sivjet janë kafja, e zeza, grija dhe jeshilja e errët. Meshkujt që mbajnë doreza janë më tërheqës dhe enigmatikë për femrat.
Çadrat
E konsideruar si stina e shiut, çadra është një nga aksesorët më të rëndësishëm përsa u përket kërkesave dhe mirëqenies së një mashkulli. Ideale do të ishte të zgjidhnit dy çadra: njërën për ta mbajtur në makinë ose shtëpi dhe tjetrën për ta marrë gjithmonë me vete. Ngjyrat e këshillueshme janë e zeza, kafja dhe me kuadrate të vogla.
Çorapet dhe këpucët
Për t’u marrë në konsideratë janë edhe çorapet. Rregulli i përgjithshëm të cilin nuk mund ta anashkalojmë është evitimi i çorapeve të bardha. Ky rast është i vlefshëm vetëm nëse edhe veshja është e bardhë. E rëndësishme është të zgjidhen këpucë serioze për t’u përshtatur me veshjen. Më të preferuarat janë këpucët e zeza.
15 Nentor 2008