LSI: Berisha është kthyer në avokat të interesave të PS-së
Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, shprehu indinjatën ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha, i cili tha se pavarësisht grevës është i detyruar që të mirëpresë vetëm propozimet e Partisë Socialiste për Kodin e ri Zgjedhor. “Berisha nuk mund të zgjedhë si pretekst për prishjen e standardeve të zgjedhjeve respektimin e interesave të ngushta të PS-së, meqë ajo është forca më e madhe e opozitës, sipas zgjedhjeve të Mega-Dushkut të 2005-s, pasi këtu nuk bëhet fjala për marrëveshje PD -PS, por për një marrëveshje të përgjithshme për një start të barabartë në zgjedhje për të gjithë forcat politike, ku do të jenë zgjedhësit ata që do të vendosin. Berisha, me hipokrizi dhe djallëzi thotë se nuk mund të veprojë kundër interesave të PS-së dhe ne bëjmë pyetjen se kur qenka bërë kaq i dhimbsur Berisha për interesat e PS-së? Interesat e vendit nuk mund të preken kurrë për hir të interesave të ngushta dhe zgjedhjet e drejta e të lira dhe të barabarta nuk mund të jenë peng dhe pronë e asnjë force të përveçme politike”, - tha Vasili. Ai e akuzoi kryeministrin Berisha se po përdor justifikime për të shpëtuar marrëveshjen me Ramën, e cila, sipas Vasilit, ka të bëjë jo vetëm me zgjedhjet, por edhe me Gërdecin, me ndryshimin e Kushtetutës dhe me mjaft afera të tjera.
16 Nentor 2008