E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti Frrok Gjini në gjendje të rëndë. Brokaj: “Nuk mund të pranohet më zgjatja e grevës”



Dita e 6-të e grevës së urisë ka sjellë probleme të theksuara për të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Të paktën tre prej tyre kanë shfaqur dje komplikime serioze, ku përveç deputetit të LSI-së Spartak Braho, shumë problematike ka qenë gjendja e deputetit të PDK-së, Frrok Gjini. Siç u bë e ditur, Gjini ka vijuar protestën ekstreme duke hequr dorë edhe nga pirja e ujit të pijshëm, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme atij i ka rënë në mënyrë të vazhdueshme të fikët. Falë ndërhyrjes së vazhdueshme të ekipit mjekësor gjendja e deputetëve është mbajtur në kontroll, megjithatë problemet e tyre kanë qenë shumë të rënduara. Kjo është bërë e ditur dje nga nënkryetari i LSI-së, Zabit Brokaj, i cili është mjek me profesion, pas vizitës që ai u ka bërë deputetëve grevistë. “Gjendja e deputetëve është mjaft e rënduar. Mua më habit fakti se si nuk po ndërgjegjësohet dhe të reagohet ndaj këtij kërcënimi real i kësaj situate shëndetësore. Mjaft i kërcënuar është deputeti Frrok Gjini, i cili ka ndaluar tërësisht marrjen, qoftë edhe të ujit, që nuk pranon të marrë ndihmën mjekësore. Dhe ky problem, do të thosha unë, në rastin konkret e shpejton mundësinë e një aksidenti”, - tha Brokaj. Ai deklaroi se greva duhet të ndërpritet, sepse deputetët grevistë rrezikojnë seriozisht jetën e tyre. “Nuk mund të pritet e të pranohet një zgjatje e një greve të tillë, e cila tashmë në aspektin mjekësor dhe njerëzor, mospërfillja dhe mosvlerësimi i kësaj greve po merr karakter kriminal. Për mua, pothuajse tani zbehet aspekti politik dhe ngrihet si dominim aspekti njerëzor. Tashmë kërcënohet jeta e deputetëve tanë dhe kur kërcënohet jeta e deputetëve, e cilitdo njeriu, i cili është kërcënim i paralajmëruar, i njohur e i deklaruar, ata që nuk realizojnë zgjidhjen e krizës, tashmë kanë përgjegjësi. Kanë përgjegjësi jo për një zgjidhje politike të thjeshtë, por për jetën e njerëzve. E ritheksoj edhe njëherë që jeta e deputetëve është mjaft e kërcënuar që prej këtij momenti”.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›