Deputetët grevistë po banalizojnë vlerën e jetës së tyre
Më vjen keq që në grevën e urisë, e cila zhvillohet në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, nuk janë futur më shumë deputetë. Jam i bindur, Kuvendi ka edhe shumë deputetë të tjerë po kaq të gatshëm për të diskredituar veten dhe Shqipërinë, por që nuk ndodhen aty për arsye teknike (sepse i shefi i partisë së tyre është pozicionuar kundër grevës).
Kjo grevë urie është një banalitet ekstrem.
Është e rëndë të shprehesh në këtë mënyrë, kur ata njerëz vuajnë fizikisht (në qoftë se nuk kanë ngrënë asgjë gjithë këto ditë; nuk dua t’i fyej, por në Shqipëri ka humbur besimi thuajse për çdo gjë), por është akoma më e rëndë, kur mendon se fatet e vendit u janë lënë në dorë njerëzve, mendja e të cilëve gjeneron vetëm vulgaritet.
Arsyeja e grevës është banale. Deputetët nuk mund të bëjnë grevë, për shkak se janë kundër një projektligji. Dihet, minoranca është në shumicën e rasteve kundër projektligjeve të mazhorancës. Nëse minoranca do të futej në grevë urie për çdo pakënaqësi, atëherë ose deputetët e saj do të vdisnin për shkak të mostërheqjes së mazhorancës, ose nuk do të kishim demokraci, sepse ligjet nuk do të ishin as vullneti i shumicës së votuesve, as rezultat i konsensusit. Greva e urisë është veprim i skajshëm, aty luhet me ekstremin: ose fiton gjithçka, ose vdes.
Kjo nuk është greva e urisë e parë në botë dhe qytetarët (që në disa artikuj cilësoheshin si indiferentë), nuk dinë se ç’bëjnë.
Greva e urisë është një formë proteste kundër një gjendjeje ekzistuese. Në rastin në fjalë, kjo gjendje nuk ekziston. Edhe miratimi i ligjit për komisionerët e KQZ dhe gjithë komisioneve të tjera, krijimi i tyre dhe numërimi i votave nga komisionerët nuk janë “gjendje ekzistuese”, por çështje teknike. Deputetët në fjalë kanë gjithë të drejtën e Zotit të respektojnë Kushtetutën e Shqipërisë dhe gjithë ligjet e tjera që vetë i kanë miratuar për të rregulluar atë çfarë ata mendojnë se duhet patjetër të bëhet ndryshe. Ata mund të çojnë në gjykatë edhe ligjin, edhe komisionerët, edhe gjithë procesin zgjedhor më vonë. Këtu nuk ka një “gjendje ekzistuese” të padurueshme që e detyron një deputet të kërkojë ose ndryshimin e saj, ose vdekjen.
Deri tani gjithë protesta e deputetëve është ngritur mbi një situatë të paragjykuar. Paragjykohet projektligji, paragjykohen kolegët e tyre, paragjykohen komisionerët, paragjykohen gjykatat, paragjykohen gjithë ligjet ekzistuese dhe paragjykohen edhe vetë deputetët grevistë. Sjellja e tyre të bën të dyshosh se diçka çalon seriozisht në gjykimin e tyre.
Grevat bëhen për gjëra themelore dhe arsyeja e grevës së deputetëve nuk rezultonte në asnjë nga pikat e Deklaratës së të Drejtave Themelore të Njeriut. Njeriu mund të vendosë të vdesë ose të fitojë të drejtën të jetë i lirë, të drejtën e besimit, të pronës, të krijimit të familjes, të mosdiskriminimit racor, gjinor etj., por nuk mund të vetësakrifikohet, nëse nuk i pëlqen numri i personave që do të numërojnë votat, sepse numri i komisionerëve edhe mund të shtohet e sërish numërimi i votave mund të paragjykohet.
Shenjat e joseriozitetit të grevës së urisë janë të dukshme. Po të ishte ndryshe, greva nuk kishte pse zhvillohej në sallën e seancës plenare. Greva e urisë është një akt personal dhe ajo mund të zhvillohej në mjedise të tjera – në selitë e partive të deputetëve, për shembull. Duke qëndruar në sallën e seancave plenare të Kuvendit, greva është kthyer në veprimtari politike me elementë anarkizmi.
Veç publicitetit, nuk shikoj asnjë arsye tjetër përse ata njerëz ndodhen në grevë urie.
Deri këtu kam folur në parim, por, po t’u hyjmë më me hollësi gjërave, greva e urisë mund të na nxisë gjithë ne të tjerëve që të hyjmë në grevë urie, ku të kërkojmë mosplotësimin e kërkesave të deputetëve grevistë.
Ata nuk janë njerëz që erdhën sot në Shqipëri dhe po vetësakrifikohen për të vendosur rregull në kaosin e mosbesimit ku janë zhytur institucionet shqiptare. Një ish-kryeministër dhe disa ish-deputetë nuk mund të ankohen më për situatën e mosbesimit, sepse ata kanë pasur mundësi t’i bënin ndryshe gjërat dhe nuk i kanë bërë. E shkuara e tyre nuk jep asnjë garanci se ata nesër do të jenë ndryshe nga ç’ishin. Greva e urisë po ndihmon që ata të bëhen qesharakë.
Nëse ka një çështje që vërtet ia vlen të futesh në grevë urie në Shqipëri, kjo është hapja e dosjeve, por unë kurrë nuk do të futesha dhe nuk do t’ua sugjeroja të tjerëve. Ajo nuk është një e drejtë themelore e imja apo e ndonjë tjetri dhe nuk e justifikon vetëflijimin.
Në demokraci punohet me durim, mund të mos fitosh, por nuk je i humbur.