Berisha: Me greva s’zgjidhet problemi, në bisedime ulem vetëm me PS
Kryeministri, Sali Berisha, është shprehur dje nga Brukseli se qeveria dhe mazhoranca nuk do të hyjë në bisedime me partitë e tjera, përveç opozitës së përfaqësuar nga Partia Socialiste. Sipas kryeministrit, greva e nisur nga 10 deputetë të partive të vogla nuk është zgjidhja e problemit dhe, sipas tij, këto parti, me anë të kësaj mënyre, nuk do e fitojnë anëtarin e KQZ apo anëtarët e komisioneve vendore të qendrave të votimit.
“Së pari, duke shprehur respektin për vendimin e gjithsecilit, më duhet të them se, në qoftë se anëtarët e komisionit zgjedhor caktohen në këtë mënyrë, nëpërmjet grevës së urisë, unë mendoj se nuk do të ishte e mundur.”
Gjithsesi, mazhoranca ia lë në dorë PS të vendosë se ç’do bëhet me kërkesat e LSI, duke njohur si opozitë të vetme vetëm PS, deklaratë kjo, e cila lë pak shteg për plotësimin e kërkesave që ka LSI dhe partitë e tjera që kundërshtojnë formulën e re të përbërjes së administratës zgjedhore në Kodin Elektoral.
“Ata kanë pasur çdo rast për të qenë dhe kanë qenë në komision, sërish në parlament do të shkojë ligji, por unë e kam theksuar dhe e theksoj se unë jam në qeveri dhe me të gjithë Kodin e rregullave, sepse nuk jam unë ai që zgjedh opozitën, atë e zgjedh populli, ashtu siç zgjedh edhe qeverinë. Populli shqiptar ka përcaktuar opozitë kryesore Partinë Socialiste dhe është jashtë çdo lloj mundësie që unë të veproj nëpërmjet faktorëve të tjerë opozitarë në dëm të partisë kryesore opozitare. Kjo është e pamundur për mua,” tha Berisha.
“Populli shqiptar ka përcaktuar opozitë kryesore Partinë Socialiste dhe është jashtë çdo lloj mundësie që unë të veproj nëpërmjet faktorëve të tjerë opozitarë në dëm të partisë kryesore opozitare. Kjo është e pamundur për mua”, - vijoi kryeministri.
Kryeministri përmendi dhe periudhën kur ai ishte në drejtim të opozitës dhe kur partia e tij nuk kishte asnjë anëtar në komisione, e kur sigurisht zgjedhjet janë manipuluar hapur.
Në sallën e ngujimit më në fund hyjnë jo-parlamentarë
Një deputet belg dhe një analist i njohur në fushën e antiterrorizmit u bënë dje të parët jo-parlamentarë që hynë në grevën e urisë së 10 deputetëve shqiptarë.
Deputeti liberal belg, Denis Ducarme, si dhe Claude Moniquet, presidenti i Qendrës Strategjike Evropiane për Inteligjencën dhe Sigurinë, janë lejuar të futen vetëm pasdite vonë në sallën e Kuvendit, ku deputetët po bëjnë grevën e urisë, pasi në drekë ata u ndaluan para ambienteve të Kuvendit nga punonjësit e Gardës.
Gjatë takimit, deputeti belg, Ducarne, është shprehur se ngjarja e grevës së urisë së deputetëve shqiptarë është dëgjuar mjaft, ndaj dhe kjo është arsyeja e vizitës.
“Ju duhet të më besoni mua, se unë nuk jam deputet i majtë, por jam i qendrës së djathtë, liberal-demokrat”, - tha Ducarne.
Nga ana e tyre deputetët shqiptarë shprehën falënderimin dhe mirënjohjen e tyre për solidaritetin që po tregon delegacioni.
Gjatë paradites së djeshme, në sallë ka qenë dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
PS vazhdon të heshtë, viziton të keqtrajtuarin nga policia në Sarandë
Socialistët vazhdojnë të jenë të heshtur në lidhje me grevën e urisë së deputetëve në sallën e Kuvendit. Vetëm një zë, deputeti Arben Malaj, ka theksuar dje nevojën e dialogut. “Dialogu politik organizohet midis partive politike dhe jo midis individëve me mandat politik, për sa i përket krizës, e bërë nga 10 deputetë, të cilët janë një numër i konsiderueshëm në raport me numrin e përgjithshëm të deputetëve. Mendoj se nga pikëpamja etike dhe njerëzore është një moment që kërkon një vlerësim sa më të drejtë dhe sidomos në kushtet kur aktiviteti parlamentar ka 2 ligje të rëndësishme në javët e ardhshme, do diskutohet buxheti i shtetit dhe do të miratohet Kodi Elektoral. Për sa i përket negociatave ato realizohen midis përfaqësuesve politikë. Shqetësimi im personal ka qenë qëndrimi etik dhe njerëzor, pasi kryetarja e parlamentit detyrohet që aktivitetin parlamentar ta realizohej në një ambient sa me të qetë parlamentar”, - tha Malaj.
Por krerët kryesorë të grupit parlamentar socialist kanë vlerësuar dje një ngjarje tjetër si primare, pikërisht keqtrajtimin e një të riu nga policia. Ata e kanë vizituar atë, pa përmendur për asnjë moment faktin se përfaqësuesit e LSI deklarojnë se janë dhunuar para Kuvendit nga Policia e Shtetit.
Kryetarja e grupit të PSSH, Valentina Leskaj, duke folur për mediat ka dhënë vlerësimin e saj politikisht për keqtrajtimin e këtij të riu e dhunën e ushtruar mbi të. “Askush nuk ka të drejtë, qoftë ky funksionar apo polic, që të shkelë të drejtat e liritë e njeriut. Mendoni një djalë të ri, i cili është kapur me bukë, djathë dhe domate për të kaluar kufirin dhe është trajtuar në mënyrën më çnjerëzore, duke i shkaktuar dëmtime në kokë, në krah, në trup. Unë besoj se kjo është një ngjarje shumë e rëndë, ku janë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. Është një ngjarje shumë e dhimbshme. E them që është shumë e dhimbshme, jo vetëm si politikane, po edhe si nënë duke parë një djalë të ri të trajtohet në mënyrën më çnjerëzore nga Policia e Shtetit”, - tha Leskaj.
Meta: Do e shpallim të pavlefshëm Kodin
Kryetari i LSI, Ilir Meta, ka deklaruar se partia e tij do ta shpallë të pavlefshëm Kodin Zgjedhor të hartuar nga PD dhe PS, i cili do të kalojë për votim javën e ardhshme.
Duke folur në një intervistë për “Top Channel”, Meta ka akuzuar Ramën dhe Berishën se përmes këtij Kodi po tentojnë të vjedhin votat në zgjedhjet e ardhshme.
“Do të jetë një Kod i pavlefshëm, pasi do të prishë zgjedhjet. Unë shpresoj që të ketë reflektime. Këtu behet fjalë për të ruajtur integritetin e votës së shqiptarëve. Ne do vazhdojmë të sillemi në mënyrë më konstruktive, pasi qëllimi ynë nuk është bllokimi i parlamentit, por shpëtimi i parlamentarizmit që u prish më 21 prill me ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Rama dhe Berisha”, - ka pohuar Meta.
Duke komentuar akuzat e bëra ndaj tij nga eurodeputetja Doris Pack, Meta ka akuzuar edhe dy liderët e partive të mëdha se po tentojnë të manipulojnë zgjedhjet duke i hequr LSI anëtarin në KQZ.
“Nuk prisja ndonjë reagim të pjekur nga zonja Pack. Nëse kjo është një çështje kaq teknike, pse PD dhe PS në zgjedhjet e 2005 i shtuan komisionerët dhe tani i heqin anëtarët LSI, që është partia e tretë?” - është shprehur Meta, i cili ka paralajmëruar dështimin e zgjedhjeve, nëse nuk bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor.
“Ne nuk vëmë kushte të karakterit ekstrem, por kemi kërkuar që çështjet e Kodit të diskutoheshin. Është menduar për një kohë të gjatë nga Rama dhe Berisha për të monopolizuar votat. Ky Kod, nëse miratohet, është dështimi i zgjedhjeve të ardhshme, kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Ne nuk tolerojmë dhe nuk pranojmë zgjedhje jashtë standardeve”, - ka shtuar Meta.
PBDNJ: PD-PS po i vënë minat procesit zgjedhor
Partia e Të Drejtave të Njeriut (PBDNJ) ka dalë dje kundër formulimit dhe përbërjes së komisioneve vendore dhe qendrore, sipas Kodit të ri Elektoral. Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, tha dje në një konferencë për shtyp se formula është diçka pa krye, e pabarabartë dhe jo-konkurruese, e cila do të sjellë kontestime në zgjedhjet e ardhshme. Vangjel Dule është i pari kryetar partie nga koalicioni i djathtë që del kundër Kodit të ri Zgjedhor, pas Nard Ndokës, dhe PDK, i cili ka shpallur largimin nga ky koalicion. Dule u shpreh se, megjithëse projekti erdhi për herë të parë në kohën e duhur, sërish ai është ende larg praktikave evropiane. “Megjithëse, projekti për Kodin Zgjedhor erdhi për herë të parë në kohën e duhur dhe i formuluar kryekëput nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, pa asistencën e ndërkombëtarëve, është ende larg praktikave evropiane, pasi nuk jep garanci se kur do të përfundojë procesi i pajisjes së qytetarëve me dokumente përkatëse për të votuar dhe listave adekuate të zgjedhësve”, - tha kreu i PBDNJ. Dule preferoi ta konsideronte Kodin e ri Zgjedhor si një “minë me sahat” që dy partitë kryesore po kërkojnë t’i vënë procesit zgjedhor. Në lidhje me grevën e urisë së dhjetë deputetëve, Dule u shpreh se sistemi ynë demokratik ka akoma deficite të mëdha. “Edhe 6 muaj na ndajnë nga zgjedhjet më të rëndësishme parlamentare dhe monopolizimi i dy partive më të mëdha, PD-PS, për administrimin e zgjedhjeve është një minë me sahat që këto dy parti po i vënë këtij procesi. Në një shtet demokratik kryesor është dialogu, por, përderisa ky nuk është arritur, kuptohet qartë se sistemi ynë demokratik ka deficite akoma shumë të mëdha”, - tha Dule.