Policia e Shtetit padit Fatos Klosin në Prokurori
Policia e Shtetit padit për shpifje Fatos Klosin. Por jo vetëm kaq. Në padinë e Policisë së Shtetit, Klosi akuzohet edhe për nxitje të turmës, çka ka sjellë edhe reagimin e tyre duke qëlluar me vezë brenda ambienteve të Kryeministrisë. Policia e Shtetit ka bërë dje padinë penale ndaj ish-drejtorit të Shërbimit Informativ Shqiptar, Fatos Klosi. Sipas këtij institucioni, deklaratat e Klosit se uniformat blu po përgjonin telefonat celularë të përfaqësuesve të opozitës me anë të një makine brenda oborrit të Kryeministrisë nuk janë të vërteta dhe ato kanë ndikuar tek protestuesit, duke nxitur reagimin e tyre. Në një deklarate zyrtare për shtyp nga ky institucion bëhet e ditur se “në asnjë rast dhe as në procedurat standarde të përdorura nga strukturat e policisë nuk është e parashikuar që Policia e Shtetit të kryejë veprime të tilla”. Sipas policisë, pajisja së cilës i referohet shtetasi Fatos Klosi është blerë nga ish-drejtuesi i Gardës së Republikës dhe sot deputeti aktual i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe kjo pajisje ka si funksion sigurimin dhe ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë nga veprimet e mundshme kriminale. Nisur nga këto akuza të pavërteta që nxitën reagimin e protestuesve, Policia e Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë një kallëzim penal për shpifje dhe nxitje të turmave gjatë protestës për shtetasin Fatos Klosi. Përveç ish-drejtorit të SHISH-it, i cili u shpreh në një nga mediat elektronike se gjatë protestës së organizuar nga Partia Socialiste, policia nëpërmjet një mjeti të vendosur ka përgjuar telefonat e deputetëve dhe qytetarëve gjatë protestës së zhvilluar në datat 20 deri më 22 nëntor 2009 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të njëjtën akuzë bëri edhe një prej pjesëtarëve të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafa. Një makinë e llojit “Fuoristradë” e vendosur brenda oborrit të Kryeministrisë, duket se ka qenë shkaku i gjithë rrëmujës. Xhafa ka kërkuar që makina të lëvizte menjëherë, pasi sipas tij, shkaku i vetëm që ajo ndodhej ishte që të përgjonte telefonat e përfaqësuesve të PS-së dhe protestuesve. Një gjë e tillë kë ngjallur edhe reagimin e protestuesve, të cilët kanë nisur që të qëllojnë ndaj makinës me vezë. Më pas, pas largimit të mjetit dhe pas ndërhyrjes së bërë, gjendja u qetësua, por akuzat u hodhën ndaj Policisë së Shtetit, se ajo po kryente përgjimin e telefonave celularë të pjesëmarrësve në tubim. Në reagimin e saj, Policia e Shtetit u shpreh se nuk ka vendosur automjete apo pajisje përgjuese për monitorimin apo kontrollimin e kësaj proteste dhe se një gjë e tillë nuk është në procedurat standarde të Policisë së Shtetit për monitorimin e tubimeve apo manifestimeve.