E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët i ankohen Topallit: Duam zyra në Kuvend

E ndiejnë në maksimum mungesën e një zyre të posaçme në mjediset e Kryesisë së Kuvendit dhe për këtë arsye i janë ankuar kryeparlamentares Jozefina Topalli. Pa dashur ta quajnë një luks të tepërt, çdonjëri nga deputetët aktualë ndien nevojën e një zyre të veçantë për ushtrimin e aktivitetit të tij parlamentar. Në mënyrë të vazhdueshme ata i kanë kërkuar titullares së këtij institucioni që t’u bëjë të mundur nga një zyrë siç ndodh në çdo parlament të botës perëndimore. Por përgjigjja është e prerë: Nuk kemi kushte. Përveç mungesës së hapësirës, 140 zyra për secilin nga deputetët, do të duhej të kompletoheshin me pajiset e duhura: tavolina, karrige, kompjuter, minibiblotekë, telefon e gjithçka tjetër që i duhej një zyre deputeti, çka do të thotë të fusësh thellë dorën në buxhetin e Kuvendit, gjë që duket e pamundur për një qeveri si kjo e Kryeministrit Sali Berisha, që një ndër objektivat e saj ka dhe qeverinë e vogël, duke shkurtuar shpenzimet e tepërta. Por zyrat që kërkojnë deputetët, mund të kenë një zgjidhje (jo dhe aq afatshkurtër), pikërisht atëherë kur të ndërtohet kompleksi i ri parlamentar, i cili pavarësisht projektit të miratuar tashmë, ende nuk ka filluar. Gjithsesi, deputetët janë të detyruar të zhvillojnë takime me elektoratin e tyre, që jo rrallë i ndjek nga pas edhe në Tiranë për ndonjë problem apo hall, në lokalet përreth godinës së Kryesisë së Kuvendit. Ky është një prej shqetësimeve kryesore të deputetëve, por, pse jo, edhe ai i kompjuterave, pasi për t’i ulur para tij, duhet të presin radhën në zyrën e vetme të grupeve parlamentare, që në pamje të parë nuk të lënë përshtypjen e një komoditeti të mirë apo hapësire të duhur për 68 deputetë që ka grupi kuvendor i demokratëve. Madje, jo rrallë deputetët duhet të shfrytëzojnë edhe kompjuterat e zyrave ku zhvillohen mbledhjet e komisioneve parlamentare. Edhe atëherë kur i gjejnë të mbyllura, u duhet të vihen në kërkim të sekretareve të këtyre komisioneve për të marrë “me qera” çelësin për pak kohë përdorim të kompjuterit, kështu që përveç heqjes së luksit të makinave, tani deputetët duhet të përballen edhe me mungesën e zyrave dhe të orvaten sa tek një zyrë tek një tjetër qoftë dhe për të shkruar disa fjalë në email apo për të hedhur një vështrim të shpejtë mbi internet dhe të rejat më të fundit që ofron ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›