Banorët i ankohen Bashkisë së Tiranës: Urbanët janë të pistë
Urbanët e kryeqytetit janë të pistë, nuk respektojnë oraret dhe vonohen deri në treçerek ore në stacion. Ky shërbim përdoret nga 64 për qind të kryeqytetasve, transporti publik është një ndër problemet më shqetësuese për cilësinë e dobët dhe koston e lartë. Për këtë kryeqytetasit i janë ankuar Bashkisë së Tiranës duke i kërkuar ta përmirësojë.
Transparenca
Transporti publik është një ndër problemet më të klikuara nga banorët e Tiranës. Në botimin e përvitshëm të bashkisë, “Transparenca 2009”, janë radhitur disa probleme ku në krye të listës, me 324 klikime, urbanët radhiten si e keqja e qytetit. Sipas mendimit të banorëve, ky transport ka mjaft problematika si mungesë e pastërtisë, numër të vogël të urbanëve në qarkullim, vonesa dhe qëndrim të zgjatur në stacione. Me gjithë ndryshimet e bëra, transporti publik është rritur me 5% të përdorimit të tij.
Vonesat
Një vendim i marrë së fundmi nga kryebashkiaku Rama jep edhe masat e reja administrative, çka parashikon eliminimin e mundur të këtyre problemeve, që jo rrallë ua prishin humorin qytetarëve që në pikë të mëngjesit. Mbarëvajtja e transportit rrugor në kryeqytet, si një nga prioritetet e punës së Bashkisë së Tiranës ka qenë në fokus të një prej pikave të rendit të ditës në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak.
Me propozim të Drejtorisë së Kontrollit të Territorit Urban në Bashkinë e Tiranës, këshilltarët kanë miratuar vendimin për “Vendosjen e gjobave në vend ndaj subjekteve, për shkeljet e kryera në fushën e transportit rrugor”.
Në këtë vendim janë përfshirë tabelat kryesore që parashikojnë shkeljet e ligjit nga ana e drejtuesve të automjeteve apo drejtuesve të agjencive të transportit si dhe sanksionet përkatëse për çdo shkelje.
Sipas relacionit të paraqitur nga drejtoria përkatëse, që shoqëron projektvendimin në fjalë, “për shumë çështje që kanë të bëjnë me cilësinë e shërbimit të transportit, janë vendosur rregulla, respektimi i të cilave është i detyrueshëm, por për shkeljen e tyre nuk kanë qenë të përcaktuara sanksione konkrete”. Në këtë mënyrë, vendimi i miratuar bën detajimin e disa shkeljeve specifike dhe sanksioneve përkatëse.
Eliminimi i këtyre shkeljeve do të rrisë standardet e këtij transporti rrugor dhe cilësinë e tij. Gjobat e parashikuara për të gjitha shkeljet varijojnë nga 1500 deri në 5000 lekë dhe vjelja e tyre bëhet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore. Nga ana tjetër, Drejtoria e Kontrollit të Territorit Urban në Bashkinë e Tiranës, si autoriteti që do të zbatojë në praktikë këtë vendim, do të marrë menjëherë masa për përgatitjen dhe kualifikimin e specialistëve kontrollorë, në përputhje me dispozitat ligjore.