Deputetët, kundër sekuestrimit të kompjuterëve
TIRANË- Njohja me ligj të drejtës së inspektorëve tatimorë për sekuestruar kompjuterët e bizneseve nëse kanë të dhëna që këto të fundit fshehin bilancet është bërë shkak për debate të ashpra midis anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë. Debatet kishin të bënin me mënyrën se si është formuluar projektligji i cili sipas tyre lë hapësira për abuzim dhe se nuk mundet që të dhënat konfidenciale të një biznesi të lihen në dorë të inspektorëve tatimorë. Kjo është nga të paktat herë kur shqyrtimi dhe miratimi i një projektligji shoqërohet me debate ndërmjet deputetëve dhe përfaqësuesve të ministrive përkatëse.
Në diskutimet e tyre, anëtarët Igli Cara dhe Gjok Uldedaj, kundërshtuan aplikimin e një metode të tillë ndaj bizneseve duke u sekuestruar pajisjet e cila sipas tyre shpie në bllokimin e aktivitetit, aq më tepër që në to mund të ketë të dhëna personale. Por duke mos gjetur mbështetjen e anëtarëve të tjerë të komisionit për pëcaktimin në mënyrë të prerë të kësaj procedurë, deputeti Igli Cara votoi kundër dhe u largua nga mbledhja. Anëtarë të tjerë të komisionit kërkuan sqarime të hollësishme nga përfaqësuesja e Ministrisë së Financave për mënyrën se do të aplikohet kjo metodë ne terren.
Në mbledhjen e datës 11 dhjetor qeveria propozoi disa ndryshime në "Ligjin për Procedurat Tatimore", ku ndër të tjera u jep të drejtën inspektorëve tatimorë të cilët bazuar mbi indicie mund të sekuestrojnë të gjitha pajisjet kompjuterike, ato fiskale dhe dokumentet e një subjekti tregtar. "Në rast se organet tatimore kanë të dhëna të besueshme se tatimpaguesi fsheh informacione për gjendjen e tij ekonomike-financiare, organet tatimore kanë të drejtë t'ia sekuestrojnë dokumentacionin, pajisjet, kompjuterike dhe fiskale, dhe mjete të tjera të mbajtjes së dokumentacionit të tatimpaguesit në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë së tij", - sanksionohet në projektligj.
Vendosja e një rregulli të tillë është cilësuar i pakonceptueshëm nga deputetët Cara dhe Uldedaj, ndërkohë që në diskutime të njëjta janë përfshirë edhe anëtarë të tjerë të Komisionit të Ekonomisë. Sipas Carës, aplikimi i një ligji të tillë, ku parashikohet sekuestrimi i kompjuterëve është njëlloj sikur të të marrin portofolin nga xhepi. "Kjo është një marrëdhënie dy palëshe dhe nuk mundesh të më marresh kompjuterin nga zyra. Mund të vish të marrësh çfarë informacioni të duash me USB apo mjet tjetër por jo të më sekuestrosh pajisjet. Të marrësh kompjuteret nga zyra ndërkohë që aty, përveç bilanceve të kompanisë mund të ketë edhe dokumente personale, është si të të marrin portofolin nga xhepi", - tha ai.
Ndërkohë përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Arjana Dyrmishi, shpjegoi se për të sekuestruar pajisjet e subjetit inspektori më parë duhet të ketë një autorizim nga eprorët. "Ka një procedurë për të gjithë ketë. Nëse subjektit i kërkohet bilanci dhe ai nuk bashkëpunon, atëherë me autorizim të drejtorit të kontrollit bëhet sekuestrimi i pajisjeve dhe dokumenteve të tij. Për këtë mbahet edhe një proces verbal", - tha ajo.
Propozimet e qeverisë u miratuan nga komisioni pavarësisht abstenimit të Uldedajt dhe votës kundër të deputetit Cara. Në këto kushte Cara u largua nga mbledhja duke theksuar se biznesi nuk mund të lihet në dorë të inspektorëve tatimorë të cilët për shkak të hapësirave në ligj kanë rrugë të hapur për abuzime.