Tërhiqet Berisha, nuk ndryshon pragu për biznesin e vogël
Kryeministri Berisha paralajmëroi dje miratimin në seancën e fundit parlamentare për këtë vit të draftit për disa ndryshime në ligjin "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore"
Tërhiqet Berisha, nuk ndryshon pragu për biznesin e vogël Tiranë - Biznesi i vogël do të vazhdojë të paguaje taksat në bashki. Kryeministri Sali Berisha është tërhequr dje pas presionit të vendorëve, të cilët prej kohësh kanë kërkuar anulimin e vendimit që i konsideron bizneset e vogla si të mëdha. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha ka deklaruar se nuk do të ketë lëvizje të kufirit të biznesit të vogël.
"Kufiri ka qenë 8 milionë dhe do të mbetet 8 milionë. Kufiri nuk do të zbresë. Pas disa konsultimeve të gjera, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj konfuzioni dhe asnjë lloj spekulimi, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Ajo ç'ka i gjithë ky biznes do të paguajë, pa asnjë përjashtim, në bashki dhe në komuna, është taksa e biznesit të vogël.
Ne po shqyrtonim dy variantet dhe njëri ishte që t'ua kompensonim ne, por, meqenëse vendosëm të mos lëvizim kufirin e biznesit të vogël, atëherë, në raport me bashkitë dhe komunat situata mbetet pa asnjë ndryshim", - tha Berisha.
Bizneset që bëjnë një xhiro vjetore nga 1-8 milionë lekë të reja në vit quhen biznes i vogël dhe taksat i paguajnë në bashki. Por, sipas variantit të qeverisë, pragu do të ulej në 5 milionë lekë dhe të gjithë ata që do të ishin mbi këtë vlerë, do të konsideroheshin biznes i madh dhe për pasojë taksat nuk do t'i paguanin më në bashki.
Tërheqja nga kjo lëvizje ka ardhur pikërisht pas protestave të krerëve vendorë. Ndërkohë, kreu i ekzekutivit shtoi dje se TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë.
"Por, edhe këtu do të ketë një dallim, në rast se biznesit të madh i kërkohet një rigorozitet i përmuajshëm në të gjitha llogaritjet dhe librat, atëherë këtij biznesi, i cili është sërish i vogël, por që TVSH-ja do të përfshijë të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë, do t'u kërkohet diçka më e thjeshtuar. Përndryshe, evazioni nuk mund të luftohet", - shtoi ai.
Kryeministri theksoi se çdo biznes, i cili gjykon se autoriteti tatimor ka arbitraritet në përcaktimin dhe në përzgjedhjen e tij për TVSH-në, është i ftuar të paraqitet, të ankimojë pranë autoritetit tatimor, madje, duke propozuar që këtë ankesë ta bëjë edhe në telefonin e tij të hapur për mesazhe. "Përgjigjen biznesi që do të ankohet se autoriteti tatimor ka qëndrim arbitrar në vlerësimin e tij do ta marrë pas 5-7 ditëve",- tha ai.
Tokat në përdorim
Kryeministri Berisha paralajmëroi dje miratimin në seancën e fundit parlamentare të projektligjit që synon të bëjë disa ndryshime në ligjin "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore".
Projektligji parashikon uljen e masës së kompensimit për të gjithë ato familje që kanë toka të ish-ndërmarrjeve bujqësore në përdorim, qofshin këto në periferitë e qyteteve apo fshatrave, ashtu edhe në zonat me përparësi të zhvillimit të turizmit.
"Në seancën që vjen do të trajtojmë dhe ligjin për banorët e zonave turistike, por që në kohën kur turizmi ishte ndaluar, ato ishin ferma dhe që këta qytetarë kanë ngelur faktikisht pa një vlerësim.
Dekreti i presidentit, për fat të keq ka pasur një, nuk mund të mos them një skandal, pasi nuk është votuar në atë kohë në parlament dhe banorët e këtyre zonave kanë ngelur krejtësisht duarbosh. Komisioni, dhe unë nuk jam kundër këtij mendimi, propozon që dhënia e tokës të proporcionohet, të ketë një lloj proporcionimi për frymë të familjes. Dhe e kanë propozuar nga 300, minimumi gjer në 750 në varësi të frymëve të familjes.
Unë jam dakord me këtë koncept. Pak a shumë mund të shkojë pak më tepër, por unë e vlerësoj këtë ndërhyrje. Sidoqoftë, ligji duhet të kalojë, pasi është në kuadër të reformave të premtuara dhe duhet të vazhdojmë të kompletojmë reformën e pronësisë", - tha ai.
Deputeti i PS-së, Tauland Balla, citoi dje disa akuza që Berisha ka adresuar ndaj Metës dhe Hajdarit
Balla: Për Berishën, Meta përfaqësonte klanin mafioz
TIRANË - Në një kohë kur kryetari i LSI-së, Ilir Meta, bën përgjegjëse opozitën për krizën politike në vend, deputeti i PS-së, Tauland Balla, ka kujtuar dje përmes një konference për shtyp akuzat që Berisha dikur i ka adresuar Ilir Metës dhe familjes së tij.
"Sali Berisha do të mbahet mend në politikën shqiptare si gojëpërdali më i shfrenuar që me shpifjet, fyerjet dhe sharjet e veta nuk ka kursyer askënd, duke shkelur çdo normë morali, e ligji, por edhe për paburrërinë për t'u përballur në gjykatë e prokurori sa herë që këto institucione i kanë kërkuar të dëshmojë lidhur me pisllëqet që nxjerr prej gojës së tij. Sot po sjell në vëmendjen e shqiptarëve ç'ka thënë Sali Berisha për të ndjerin Azem Hajdari e për Ilir Metën.
Po e filloj me çfarë ka thënë Sali Berisha për zëvendësin e tij të sotëm, Ilir Metën. Ja çfarë thoshte Sali Berisha për Ilir Metën pak vite më parë: "Për PD-në, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura.
Në historinë e vendit, ky mbetet njeriu që me bandat e tij ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit, të trafiqeve të skllevërisë së seksit, të fëmijëve të drogës dhe armëve", - citoi dje Balla. Ky i fundit shtoi se "Sali Berisha për Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij, pak vite më parë akuzonte se mbi këta të dy rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas malit të Dajtit".
Balla përmendi dje edhe disa akuza të ashpra që Berisha ka adresuar ndaj Azem Hajdarit ndër vite. Lidhur me grevën e urisë së Azem Hajdarit, Sali Berisha ka thënë: "Vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë".
Në "kafenenë e Xhelës" thuhet se deputeti Hajdari, i përfolur nga shtypi dhe nga zëra të tjerë për problemin e vrasjeve dhe në prag të zgjedhjeve të 22 marsit, i futur në grevën e urisë, i armatosur, rast unikal në historinë e grevave të urisë, i braktisur nga të gjithë, i shtrydhur nga Çupi dhe Këndezi, i keqtrajtuar nga Kurt Kola, i rrethuar nga ish-80-lekshat (dhe ata janë të shumtë), vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë", - citoi Balla.