E Diel, 1 Nëntor 2026

Rokadë në Gjykatën Kushtetuese, ikin 6 anëtarë

Për shkak të mbarimit të mandatit, shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të zëvendësohen me emra të rinj brenda 6 mujorit të parë të vitit që vjen

"Kujtim Puto, Fehmi Abdiu, Sokol Sadushi, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza pas pak muajsh nuk do të jenë më anëtarë"

TIRANË- Fillim viti 2010 do të sjellë për mazhorancën mundësinë për të "marrë" edhe një nga institucionet e fundit kushtetuese, që kishte mbetur jashtë orbitës së saj të influencës.

Bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese, e cila jo rrallë herë gjatë katër viteve të shkuara e ka vënë në vështirësi shumicën qeverisëse, duke i rrëzuar një sërë ligjesh të rëndësishme, dhe që gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm do të përfshihet nga një stuhi e vërtetë ndryshimesh në përbërjen e saj.

Plot dy të tretat e trupës aktuale të gjyqtarëve, ose thënë me shifra të tjera 6 anëtarë të tij do të duhet që brenda gjashtë mujorit të parë të vitit t'ia lënë karrigen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, 6 emrave të rinj, që natyrisht do të kalojnë përmes procedurave normale të propozim-miratimit Presidencë-Kuvend dhe ku mazhoranca do të tentojë që të ndryshojë balancat e përfaqësimit në favorin e vet.

Mandatet

Kur në tryezën e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë ende pa një vendim një sërë çështjesh të "nxehta", si ligji i "Dosjeve", "Pakti detar", "Pensionet e ushtarakëve", "Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve", "Makinat e gjyqtarëve" dhe kur nuk përjashtohet edhe ndonjë kërkesë e mundshme e mazhorancës për të interpretuar kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit, trupa aktuale e gjyqtarëve do të pësojë një ndryshim rrënjësor.

Kujtim Puto, Fehmi Abdiu, Sokol Sadushi, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza pas pak muajsh nuk do të jenë më anëtarë të kësaj gjykate, pasi në bazë të normave ligjore në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e këtij institucioni atyre u mbaron mandati.

Gjithçka është një koeçidencë, por që pritet të krijojë një situatë të nderë jo vetëm në këtë institucion, por edhe në klasën politike e cila shpesh herë e ka parë këtë gjykatë si mundësinë e vetme për të frenuar abuzimin e mazhorancave qeverisëse. Kështu, tre anëtarëve Puto, Abdiu dhe Sadushi, të cilët janë edhe më të vjetrit në këtë institucion u mbaron mandati 12 vjeçar.

Të tre ata janë zgjedhur në fillim të vitit 1998, sipas dispozitave të atëhershme kushtetuese për një mandat 12 vjeçar, i cili mbaron pikërisht në fillim të vitit 2010. I pari që do duhet të largohet është Kujtim Puto, i cili sipas burimeve pranë këtij institucioni i mbaron mandati 12 vjeçar brenda muajit Janar. Më pas vijnë, Abdiu dhe Sadushi të cilët janë emëruar dhe betuar në të njëjtën ditë dhe për pasojë i mbaron mandati në të njëjtën ditë brenda prillit të ardhshëm.

Anëtari i katërt që largohet është Admir Thanza, i cili është zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese për një mandat plotësues të vendit të mbetur vakant pas daljes në pension një vit më parë të ish-kryetarit Gjergj Sauli, i cili gjithashtu ishte zgjedhur sipas dispozitave kushtetuese për një mandat 12 vjeçar. Thanza ushtron funksionin e anëtarit të kësaj gjykate që nga muaji shkurt i vitit 2009.

Gjykatën do ta lërë edhe gjyqtari Xhezair Zaganjori, i cili është zgjedhur anëtar në vitin 2003 për një mandat plotësues, të një anëtari të mëparshëm të kësaj gjykate i zgjedhur edhe ai sipas dispozitave kushtetuese për një mandat 12 vjeçar. I vetmi gjyqtar që i mbaron mandati kushtetues 9 vjeçar është Petrit Plloçi i cili është zgjedhur anëtarë i kësaj gjykate në vitin 2001.

Të vetmit anëtarë që do duhet të vazhdojnë detyrën e tyre janë kryetari i gjykatës Vladimir Kristo, dhe gjyqtaret Vitore Tusha dhe Sokol Berberi, të cilët janë në vitet e para të konsumimit të mandatit të tyre kushtetues 9 vjeçar.

Procedurat

Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkesa për të bëhet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Procedura e zëvendësimit për shkak të kohëve të ndryshme të emërimit të tyre do të bëhet rast pas rasti dhe në bazë të Kushtetutës zëvendësimi i tyre do të bëhet me emërim të Presidentit të Republikës dhe dhënie pëlqimi nga Kuvendi i Shqipërisë.

Duke nisur nga rëndësia që ka një gjykatë e tillë për shkak të natyrës së saj si institucioni më i lart vendimmarrës në vend, kryerja e zëvendësimeve pritet të kthehet në një betejë të vërtetë mes institucionit të kreut të shtetit si garant i Kushtetutës dhe mazhorancës qeverisëse, që do përpiqet që të marrë shumicën e anëtarëve duke garantuar kështu vendimmarrjen e mëtejshme në favorin e saj.

Pavarësisht se Kushtetuta i jep Presidentit kompetencën e emërimit të anëtarëve të kësaj gjykate, për të marrë fuqi ligjore një emërim i tillë, duhet të marrë më parë edhe pëlqimin e Kuvendit, çka do të thotë që çdo kandidaturë do të votohet.

Një procedurë e tillë bën të detyrueshme për Presidentin, që të marrë pëlqimin edhe të shumicës në pushtet, e cila në rastin konkret do të kërkojë ti imponojë atij emrat e saj për të marrë në këtë mënyrë shumicën në Gjykatën Kushtetuese me qellim garantimin e vendimmarrjes në favorin e saj. Çdo veprim i kundërt me vullnetin e mazhorancës, rrezikon të sjellë precedentin e vitit 2008 kur Kuvendi rrëzoi propozimet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Pavarësisht se çfarë mund të ndodh në muajt në vijim, në kushtet kur opozita gjendet jashtë Kuvendit, Kreu i Shtetit mbetet e vetmja garanci për të pasur një gjykatë sa më profesionale dhe të pavarur nga politika.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që largohen

Fehmi Abdiu që nga viti 1998 e në vijim ushtron funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe nga viti 1998-2004 ka qenë kryetar i saj. Ai është emëruar anëtar, sipas Dispozitave Kushtetuese për një mandat 12 vjeçar.

Kujtim Puto prej vitit 1998 është emëruar dhe ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Ai është emëruar anëtarë sipas Dispozitave Kushtetuese për një mandat 12 vjeçar.

Sokol Sadushi nga viti 1998 ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Është emëruar në këtë gjykatë sipas Dispozitave Kushtetuese për një mandat 12 vjeçar.

Petrit Plloçi prej vitit 2001 është anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Është zgjedhur në bazë të Kushtetutës me mandat 9 vjeçar.

Xhezair Zaganjori është bërë pjesë e trupës së gjyqtarëve kushtetuese në vitin 2003. Ai është emëruar për një mandat plotësues të një gjyqtari të mëparshëm.

Admir Thanza është zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese për një mandat plotësues të vendit të mbetur vakant pas daljes në pension një vit më parë të ish-kryetarit Gjergj Sauli. Nga muaji shkurt i vitit 2009 ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuta

Neni 125

1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.
4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh.
5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.

Ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese"

Neni 8
Fillimi i detyrës

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Formula e betimit është: "Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë".
Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese fillon nga data e betimit dhe mbaron në datën e njëjtë të atij muaji, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.

Neni 9
Mbarimi i mandatit

Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur:
a) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
b) nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më shumë se 6 muaj;
c) mbush moshën 70 vjeç;
ç) jep dorëheqjen;
d) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar.
Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit bëhet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit emëron një gjyqtar të ri brenda 1 muaji, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›