E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Vendi nuk është në krizë. Opozita është çorientuar

Sipas Metës, opozita duhet t'i bashkohet proceseve integruese

TIRANË - Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, theksoi dje se opozita duhet t'i bashkohet proceseve integruese të Shqipërisë.

Duke theksuar se Shqipëria do të lëvizë pa viza vitin e ardhshëm në hapësirën Shengen të Bashkimit Evropian, Meta u shpreh që nuk është momenti për të hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit se përse liberalizimi i vizave nuk u realizua më parë. "Ndaj opozita është e mirëpritur t'u bashkohet këtyre proceseve integruese.

Të kontribuojë në mënyrë konstruktive. Nuk është momenti të fajësojmë njeri-tjetrin se përse kjo gjë nuk u bë më parë, por është koha që të mos humbasim më asnjë minutë në drejtim të këtyre proceseve integruese, si për sa i takon liberalizimit të vizave ashtu dhe procesit tjetër, atij të përgjigjes për Pyetësorin e Komisionit Evropian",- tha dje Meta.

Sipas Metës, fakti që vendi ynë mbeti mbrapa vendeve të tjera të rajonit për heqjen e regjimit të vizave, kishte të bënte me mosplotësimin e kritereve teknike nga ana e Shqipërisë dhe pajisja në kohë e qytetarëve me pasaporta biometrike.

"Dihet që për arsye tepër konkrete, të cilat kanë të bëjnë edhe me trashëgiminë administrative, me cilësinë e dokumenteve të sigurisë, pra dihet që këto tre vende që më parë e kishin marrë një miratim në parim dhe kuptohet që ishin në një moment më të avancuar se Shqipëria.

Shqipëria, në momentin kur u mor vendimi për këto vende nuk kishte prodhuar asnjë pasaportë biometrike dhe pa pasaporta biometrike nuk mund të lëvizë askush në mënyrë të lirë në hapësirën Shengen të Bashkimit Evropian", - u shpreh ministri i Jashtëm.

I pyetur në lidhje me krizën politike që është krijuar në vend, si dhe faktin që ai është një nga shkaktarët e kësaj situate, kur vendosi të krijonte koalicionin qeverisës me të djathtën, Meta vuri në dukje se në vend nuk ka krizë. Sipas tij, ajo që mund të quhet problem është çorientimi politik i opozitës. "Mos prisni nga unë të bie në nivelin e provokimeve të tyre.

Nuk ka krizë në vend. Cila është kriza? Në vend ka një problem të madh, i cili është çorientimi politik i opozitës. Është dalja e saj nga binarët e demokracisë dhe parlamentarizmit dhe shpresoj që kjo thjesht të jetë e përkohshme dhe të jeni të sigurt që përpjekja e tyre për të agresivuar situatën në vend në mënyrë artificiale, do të dështojë", - nënvizoi ai.

Për sa i përket mundësisë për arritjen e një dialogu midis mazhorancës dhe opozitës, numri 2 i qeverisë, theksoi se mazhoranca ka vullnet për të dialoguar me opozitën. Por, sipas tij, pritet edhe reflektimi nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste për arritjen e një kompromisi. "Gjithmonë për të pasur dialog duhen të paktën dy palë.

Qeveria mbetet një palë e palëkundur në vullnetin për të zhvilluar dialogun dhe bashkëpunimin me opozitën, por edhe me shoqërinë civile, me gjithë grupet e interesit, sepse procesi i dialogut është shumë më i gjerë sesa vetëm midis mazhorancës dhe opozitës.

Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që të ketë një reflektim nga ana e lidershipit të PS-së, pasi kontributi që kjo forcë politike dhe opozita mund të japë për integrimin e vendit nuk është në rrugë sepse është thënë më shumë sesa një herë nga BE; që bojkoti nuk është një normë evropiane dhe që nuk e ndihmon integrimin evropian", - u shpreh Meta. Ai shtoi se opozita duhet të jetë në Parlament dhe për këtë mjafton që të ndjekë shembullin e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, për të zhvilluar një opozitë konstruktive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›